Letërsia e Kosovës këtë vit do të ketë vëmendje më të madhe në Panairin e Librit në kryeqytetin francez. Në edicionin e 39-të të kësaj ngjarjeje, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka ekspozuar 300 tituj që janë botime të viteve të fundit, shkruan sot Koha Ditore.
Shteti më i ri i Evropës që merr pjesë për herë të katërt në këtë Panair, sivjet është rreshtuar në shtandet e atyre që janë të ftuar të nderit. Pos kësaj, disa autorë kosovarë kanë debatuar për letërsinë në Kosovë në 20 vjetët e fundit. I hapur për vizitorë të premten, Panairi do të jetë në dispozicion të vizitorëve deri në ditën e 18-të të këtij muaji. Pritet që kjo ngjarje të vizitohet nga rreth 165 mijë veta.
Sipas të dhënave që ka publikuar Shoqata e Botuesve në Francë, në këtë edicion do të jenë të pranishëm 3.900 autorë, midis tyre edhe emra të njohur si Orhan Pamuk, Delphine de Vigan, Javier Cercas, Maylis de Kerengal, Bernard Werber, Douglas Kennedy e të tjerë.
Kosova prezantohet midis 515 pjesëmarrësve dhe është në listën e të ftuarve të veçantë të Evropës, pasi Kontinenti i Vjetër sivjet është mysafir nderi.
(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)