Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova hap ekspozitën në Bienalen e Arkitekturës në Venecie

Kosova ka çelur Pavijonin e vet në ekspozitën më të madhe botërore të arkitekturës, në Venecie të Italisë.

Me kuratore arkitekten e njohur Eliza Hoxha, Kosova paraqitet në edicionin 16 të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. “The city is everywhere” (Qyteti është gjithandej) siç titullohet ekspozita e Hoxhës është hapur për vizitorët.

Nën praninë e shumë politikanëve të Kosovës, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, atë të Kulturës, Kujtim Gashi e atë të Ambientit, Albena Reshitaj është “prerë shiriti” i ekspozitës, që zë vend në pjesën e qytetit që njihet si Arsenale.

Shumë satelitë, shumë pasqyre dhe një shtëpi që i ngjan atyre të viteve ’90-a është thelbi i ekspozitës së Hoxhës. Kosova atje prezantohet me rrëfimin për kohën kur hapësirat private ishin shndërruar në publike. Një shtëpi e papërfunduar për nga pamja e jashtme, e ndërtuar me tulla të kuqe, por me hapësira publike brenda saj, është konstruksioni i shtetit më të ri të Evropës në këtë ngjarje. Çatia e shtëpisë do të ndërtohet nga satelitët.

Në edicionin e sivjetmë të Bienales përfaqësohen 63 shtete. E në ekspozitën e përgjithshme në Bienalen e sivjetshme, ku temë qendrore është “Hapësirat e lira”, me veprat e tyre do të marrin pjesë 71 arkitektë.

Kosova për herë të parë mori pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia më 2012. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama dhe për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial.

Në të dy përfaqësimet, Pavijoni i Kosovës u ngrit në Arsanale, i cili bashkë me Giardinin janë vendet kryesore ku shtrihen veprat e shteteve pjesëmarrëse. Pikërisht aty, Kosova ngriti pavijonet edhe në Bienalen Ndërkombëtare të Artit më 2013, 2015 dhe 2017. Debutoi me Petrit Halilajn me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër po nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Me izolimin e kufijtë u mor edhe Flaka Haliti në “Spekulim në të kaltër”. Vitin e kaluar Sislaj Xhafa me “E humbur dhe e gjetur” ngriti zërin për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm