Kulturë

Kosova e izoluar dhe fati i emigrantit takohen në “Balkan What!” e “Fritland”

“Balkan Trafik” tashmë ka ardhur në Prishtinë, para edicionit të 17-të që mbahet në prill në Bruksel, dhe në kryeqytet ka rikthyer dokumentarin e dy dekadave më parë, “Balkan What!”, i cili mbetet aktual me kosovarët pa liberalizim vizash. Krahas dokumentarit të Nicolas Wieërs që organizon festivalin, ka sjellë edhe shfaqjen “Fritland”, ku Zenel Laçi, një emigrant në Belgjikë, luan veten e tij. Në skenë sjell rrëfimin si patatexhi në dyqanin “Fritland” e në skenë realizon ëndrrën e tij të kahershme

Dokumentarin që shpalos kulturën e jetën e kosovarëve dhe shfaqjen teatrale me rrëfimin e një shqiptari në Belgjikë, “Balkan Trafik” i ka sjellë në Prishtinë, dhe nëpërmjet tyre nuk kapërthen vetëm përditshmërinë e personazheve, por edhe anën tjetër të këtij vendi. Aty thuren rrëfimet e sukseseve por edhe sfidat e një emigranti tok me suksesin e tij.

I titulluar “Balkan What!” dhe i realizuar nga Nicolas Wieërs në vitin 2003, dokumentari nis e përfundon në vende të ndryshme të Kosovës. Situata mbetet e njëjtë: Kosova e izoluar. Janë personazhet e ndryshme ato që e pasurojnë këtë dokumentar. Nis në sallë boksi me personazhe relativisht të reja që sportin e kanë pasion. Vazhdon në studio incizuese e kalon edhe në salla sporti me xhudisten Majlinda Kelmendi. Udhëton edhe në pjesë më të thella të Kosovës duke qëndruar në odë burrash të malësisë e duke prekur traditat e vjetra të të bërit nuse e të qenit grua në familje patriarkale. Nga të gjitha këto vende nëpër të cilat udhëton dokumentari bashkë me Wieërs e publikun, paraqitet Kosova e fortë, me vlera e me potencial për zhvillim. Me këtë udhëtim ndiqen talentet e sferave të ndryshme që emrin e Kosovës e kanë çuar nëpër botë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Nuk lihen anash as zakonet. Përmes dokumentarit tregohet që përtej burrit si të tillë, ekzistenca në një ambient patriarkal e bën edhe gruan të jetë e fortë.

Takimi i Nicolas Wieërs me artistët nga Kosova e bëri atë që me “Balkan What!” të hapë dyert e Kosovës së vogël me talente të mëdha. Botës, këtu e dy dekada më parë ia shpalosi një tjetër Kosovë.

Përderisa dokumentari ndalet te personazhet që jetën e kanë në Kosovë, shfaqja teatrore “Fritland” në sallën e qendrës kulturore “Termokiss” në Prishtinë solli bashkë me të edhe personazhe që jetën e zhvillojnë në shtetin belg. Kur për kosovarët u theksua rëndësia e liberalizimit të vizave për të parë Evropën, për shqiptarët në Belgjikë kryefjalë qe emigrimi. Ndonëse në situata e vende krejt të ndryshme, emërues të përbashkët kanë suksesin.

Shfaqja që u luajt mbi 100 herë nuk është thjesht një produksion teatror. Është një histori e vërtetë e personazhit Zenel Laçi, i cili ëndërr kishte artin por u bë patatexhi. Hapi dyqanin “Fritland”. Ani pse të arriturat e tij me dyqanin e patateve të skuqura janë të mëdha, kjo nuk qe ëndrra e tij. Ëndrra realizohet kur historia e tij shkruhet e pastaj edhe realizohet si shfaqje teatrale nga vetë ai.

Në këtë shfaqje të cilën Laçi e interpretoi bashkë me regjisorin francez Denis Laujol, ai erdhi mjeshtërisht në rol, ani pse luan veten. Mbështjellë në tis komedie, historia e tij tregon për vështirësitë që i dolën gjatë rrugës. Sa tregonte për to fizikisht, sa qëronte patate. Madje, pos regjisorit francez Denis Laujol, në skenë ftoi edhe pjesëtarë të publikut për t’iu bashkuar në qërim patatesh. Në mesin e tyre edhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

E gjithë historia e tij që e solli në formë shfaqjeje të shkruar e të aktruar nga vetë ai, përfundoi në realitet. Zeneli merr titullin e autorit dhe të aktorit. Sukseset që prek shtrihen përtej biznesit të tij.

“Prapa dokumentarit jemi mundur të shfaqim diversitetin e Kosovës rreth artit, sportit, aktivizimit e kualitetit. Secila sekuencë e dokumentarit ka një kuptim të veçantë. Për shembull, sekuenca e parë është rreth boksit. Unë e dua boksin dhe jam marrë me të në Belgjikë. Dhe kjo ka qenë një lidhje e mirë që të organizoj një takim me boksierët e Kosovës dhe me mua si boksier. Pyetja ime ka qenë çfarë eksperience mund të marrin jashtë vendit dhe ata më thanë se nuk mund të marrin gjë, sepse nuk kanë liberalizim vizash. Ata janë të detyruar të qëndrojnë në Kosovë dhe të luftojmë në ring me njëri – tjetrin”, ka thënë Wieërs. Ky, sipas tij, ka qenë qëllimi i dokumentarit: të paraqitet në Evropë, Bruksel, që t’u tregojë se çfarë janë në gjendje të bëjnë vetë këta njerëz gjenialë të Kosovës. “Siç tha Bimbima, ju jeni Evropë”, ka thënë Wieërs për dokumentarin që erdhi në kuadër të festivalit. Në fakt, dokumentari trajton një problematikë me të cilën shtetasit e Kosovës përballen edhe tash sikurse atëherë kur u realizua “Balkan What!”, dy dekada më parë.

“Shpresoj që të gjithë të kemi dorë që të liberalizohen vizat. Nuk është fjala për shkuarje në pushime, është fjala për vizita, takime, të kuptuarit, të mësuarit. Është fjala për lidhjen e njerëzve mes vete. Qëllimi i dokumentarit ka qenë ky”, ka thënë Wieërs.

Krejt baza e këtij dokumentari, madje edhe vetë “Balkan Trafik”, është takimi i Nicolas Wieërs-it me kosovarin e emigruar në Belgjikë. Historia e Ilir Sefës u bë shtysë që ai të interesohej më shumë për popullin e ta paraqesë atë para botës.

“Mikpritja e bujaria e kanë tërhequr aq shumë, saqë me materialin që ka ardhur këtu menjëherë si është kthyer në Bruksel ka thënë se duhet të kthehet kjo mikpritje dhe bujari që e kanë treguar me të në mënyrë tjetër. Dëshironte që edhe të na ndihmonte me vizat. Ka hasur direkt në pengesa, të cilat i kemi sot e kësaj dite. Dëshiron që të bëjë diçka me kulturë. Ta prezantojë kulturën shqiptare, traditën, artet dhe çdo gjë që është shqiptare në ‘Balkan Trafik’”, ka thënë Ilir Sefa, që tash e 17 vjet nuk mungon në këtë organizim.

Me migrimin lidhet dhe historia e cila mbrëmjen e së martës erdhi si shfaqje teatrore nga Zenel Laçi.

“Kjo është një befasi. Në radhë të parë unë nuk jam aktor. Kam shkruar gjithë jetën. Jam tip që jam shkolluar shumë vonë. Dëshira për të shkruar dhe lexuar ka qenë një ëndërr, diçka e pakapshme. Një drejtor i famshëm i teatrit të Belgjikës pati dëgjuar për një shqiptar që është patatexhi dhe shkruan, dhe iu duk interesant. Më takoi, e lexoi tekstin dhe më tha që e kam një perlë në dorë. ‘Unë do ta përditësoj, do ta fus në skenë por me një kusht: Do ta luash vetë’, më tha ai. Unë thashë ky qenka budalla”, ka thënë Laçi teksa kujtonte fillimin e shndërrimit të historisë së tij në një shfaqje. “E kemi shfaqur mbi 100 herë. Janë 60 mijë persona që kanë ardhur si publik. Krejt e dinë historinë e Shqipërisë ose të Kosovës përmes meje”, ka thënë tutje aktori i mbrëmjes, teksa u kthye në rolin e patatexhiut dhe publikun e tij e ushqente me patate të skuqura.

Në skenën teatrore të Kosovës shfaqje të tilla nuk janë fort të shpeshta. Aktorja Ilire Vinca, njëherësh profesoreshë universitare, ka çmuar punën dhe natyrën e “Fritland”.

“Jam shumë e lumtur që arrita ta shoh këtë shfaqje për të cilën para 2 vitesh Zeneli vetëm më ka folur në tavolinë derisa e kishim pauzën e drekës në mes të xhirimeve. U gëzova shumë që e pashë më në fund. Po e shkëpus një fjali prej shfaqjes që më mbeti në mendje: ‘Fjalët që nuk jetohen bëhen hi’. Kështu që unë e përgëzoj jashtëzakonisht shumë që fjalët dhe rrëfimin e tij na i rikthyen aq bukur në vendin tonë në këtë mënyrë sonte Denisi bashkë me Zenelin. Rrëfimi i tij nuk u bë hi, por dha shumë dritë sonte këtu”, ka thënë Vinca.

Edhe “Balkan What!” e edhe “Fritland” u shfaqën për herë të parë para audiencës vendore me “Balkan Trafik”, i cili promovon diversitetin dhe një rrëfim tjetër për Kosovën.

Image
“Balkan What!” rikthen imazhin e Kosovës së izoluar