Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Korrupsioni” bashkon në Prishtinë vepra nga 12 vende të botës

“All against corruption” është titulli i ekspozitës ndërkombëtare të posterëve, që ka sjellë në kryeqytet mbi 60 posterë nga artistë vendesh të ndryshme. E kuptueshme, kryefjalë e ekspozitës është goditja ndaj korrupsionit, por secila vepër sjell një rrëfim prapa. Në ekspozitë mungojnë artistë nga Kosova dhe ka një arsye për këtë

“Driven by Dollars Big Pharma” titullohet posteri i artistes nga SHBA-ja, Lisa Grahman. Një gjarpër i ndarë e i gjakosur në mes nga shenja e dollarit në anën e kokës mban një injeksion e në bisht disa ilaçe. Te pjesa e epërme nëpër të është shkruar fjala – “corruption”, ndërsa te gjysma e poshtme fjala “medical”. Është version i simbolit të farmaceutikës. Përmes tij reflektohet qartë ideja se korrupsioni është i pranishëm edhe në farmaci e shëndetësi.

Jo fort larg gjarprit, dy duar të lidhura në pranga tentojnë të çlirohen nëpërmjet monedhës që futet në vrimën e çelësit. Titullohet “Korrupsioni” dhe i përket artistit Yi Ji Hsueh nga Tajvani.

Ndryshe nga të tjerët, por të ngjashme në temë, janë posterët e dy artistëve nga Kina, Rongxun Han dhe Lei Cheung. Që të dy paraqesin çekanin e drejtësisë. I titulluar “Anti-corruption”, posteri i Rongxun Han është një çekan drejtësie i formuar nga monedha, ndërsa ai i Lei Cheung “Hummer of justice” shihet i mbështjellë nga para të letrës. Që të dy këta posterë përçojnë mesazh të njëjtë: korrupsionin në drejtësi.

Ivan Kashlakov nga Bullgaria vjen me katër posterë që përveç ngjyrave bardhezi kanë gjithmonë të pranishme monedhat prej ari. “Stop the endless corruption sycle” (Ndaloni ciklin e pafund të korrupsionit) titullohet njëri nga posterët e këtij disenjatori. Paraqet një rreth të madh të formuar nga shkallë që mbahet nga shtylla e cila në krye ka shenjën e dollarit. Nëpër shkallët që formojnë rrethin shihet një njeri që vrapon. Korrupsoni, një rreth në të cilin njeriu sillet e sillet duke u thelluar edhe më në të, është ideja kryesore e këtij posteri.

Image
Ekspozita e kuruar nga Rrezeart Galica pas Prishtinës do të zhvendoset edhe në qytete të tjera

Këta së bashku edhe me mbi 60 posterë të tjerë vijnë me “All against corruption” (Së bashku kundër korrupsionit), e hapur të mërkurën në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ekspozita ndërkombëtare e posterit bën bashkë veprat e më shumë se 40 artistëve nga vende të ndryshme të botës. Kurator i saj është Rrezeart Galica, profesor në Fakultetin e Arteve dhe disenjator grafik. Argjentina, SHBA-ja, Turqia, Irani, Meksika, Kina, Tajvani, Spanja, Bullgaria, Hungaria, India dhe Uruguai janë vendet që përfaqësohen.

Edhe Demokracia në posterë modifikohet si imazh, thirrje e kujtesë Kulturë Demokracia në posterë modifikohet si imazh, thirrje e kujtesë

“Pjesëmarrja ka qenë e hapur. Ideja e saj ka qenë që të gjithë disenjatorët nga mbarë bota të marrin pjesë me temën ‘All against corruption’, mënyrën se si ata e trajtojnë këtë temë nga këndvështrimi i tyre, nga problemet që kanë në shtetet e tyre prej nga vijnë e të tjera”, ka thënë Galica, i njohur për posterët e tij, pjesëmarrës në ekspozita botërore e fitues çmimesh të njohura.

Stacioni i parë i “All against corruption” është Prishtina, ku do të qëndrojë për një muaj, dhe synimet që të rrugëtojë edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. Përveç kësaj, “All against corruption” synon të krijojë traditë dhe të organizohet për çdo vit.

“Është hera e parë që po hapet kjo ekspozitë dhe posterët janë bërë enkas për të. Ekspozita do të qëndrojë e hapur dy muaj dhe do të lëvizë edhe në qytetet e tjera, si në Pejë dhe Prizren. Po shpresoj që kjo ekspozitë të jetë tradicionale dhe të mbahet çdo vit, të ketë punime të veçanta dhe të bartë mesazhe të disenjatorëve nga shtete e ndryshme të botës”, ka thënë Galica.

Image
Synimet janë që “All against curruption” të bëhet ekspozitë e përvitshme

Edhe pse Kosova cilësohet si vend me korrupsion të lartë, ekspozita “All against corruption” nuk përmban asnjë poster nga artistët shqiptarë.

Edhe Shtatë të arrestuar nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës Arbëri Shtatë të arrestuar nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës

“Punimet janë vetëm nga shtetet e tjera. Kjo është bërë me qëllim, sepse ato vijnë si mesazh nga shtetet e tjera për ne. Posterët që vijnë nga 12 shtetet pjesëmarrëse japin mesazhe thumbuese që godasin direkt për atë që i sheh. Sigurisht këto mesazhe vijnë nga përvoja e vendeve ku jetojnë dhe jetës që kanë bërë në atë vend. Ne jemi në mesin e këtyre vendeve që çalojnë në këtë aspekt”, ka thënë Galica. Mesazhi i ekspozitës është i qartë.

“Vjen si një mesazh për shoqërinë tonë, rrethanat ku jetojmë, reagimin tonë ndaj kësaj dukurie, sepse çdo shtet ka probleme të tilla dhe secili këndvështrim i këtyre disenjatorëve ka një mesazh edhe për ne. Duke nisur sensibilizimin e shoqërisë përmes kësaj ekspozite arti, besoj se do të kemi përparim në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Galica, i cili deri tani ka hapur rreth 9 ekspozita personale dhe disa kolektive e kjo është ekspozita e dytë si kurator.