Në muzikë kishte qenë punëtor i veçantë dhe profesionist i një prej instrumenteve më të vështira sa i përket interpretimit, kornos. Mjeshtërinë e tij e nxirrte në pah më së miri fakti i të qenët kornisti i parë i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Kishte vendosmëri për të arritur karrierë artistike, i pandalshëm drejt vizioneve të tij dhe me përkushtim maksimal. Të gjithë e përshkruajnë si person shumë të qetë. I rrethuar me heshtjen e tij, kishte qenë fjalëpakë e shumë i sjellshëm.
Kështu u kujtua Bledar Bujupi në mbledhjen komemorative të mbajtur mesditën e së mërkurës nga Filharmonia e Kosovës. Familjarë, miq e kolegë janë mbledhur në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ambient ky ku Bujuka ka interpretuar shumë herë.
Ishte hera e parë në të gjithë rrugëtimin e Ansamblit të tunxhit që interpretonin pa prezencën e tij. Dhe këtë e bënin pikërisht duke ia dedikuar të gjithë programin atij. Suita “Peer Gynt” e kompozitorit Edvard Grieg, si një nga pjesët më të famshme skandinave, hapi kujtimin për anëtarin e kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”, pjesëtarin e Orkestrës së Forcave të sigurisë së Kosovës, të “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”. Pas saj në skenë u bashkuan orkestra për interpretim të “Sentimental Sarabande” nga Benjamin Britten dhe krejt në fund edhe me bashkëngjitjen e korit për ta përmbyllur kujtimin me “Lacrimosa” të Wolfgang Amadeus Mozart.
Ish-studentin e arteve muzikore në Universitetin e Prishtinës, kolegët e kujtuan me fjalë të mira. E veçuan bashkëpunimin e tij me instrumentistë të njohur ndërkombëtarë, si me italianin Guido Curti, çekun Premysl Vojta e Gregory Jones nga SHBA-ja. Ndërkaq drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, për instrumentistin që e dha një dekadë jetë në këtë institucion, ka thënë se vdekja e tij do të jetë mungesë e skenës muzikore kosovare.
“Për ne që e njohëm për shumë vite me radhë, është tejet e vështirë ta pranojmë faktin se Bledarin nuk do ta kemi më në mesin tonë, i cili rrugëtoi për një dekadë të tërë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë Jashari.
Ai ka thënë se Bujupi ishte instrumentist i angazhuar, i pandalshëm dhe me vendosmëri drejt ndërtimit të karrierës artistike.
“Qysh në fillimet e angazhimit të tij, ai u pozicionua shumë shpejt në vendin e parë të seksionit të kornove brenda Orkestrës Simfonike. Kjo arritje nuk ishte pasojë e ndonjë vendimi formal, por ishte pikërisht aftësia e tij interpretuese dhe përkushtimi i palëkundur për muzikimin profesional artistik”, vlerësoi Baki Jashari.
Sipas tij, Filharmonia e Kosovës ka arsye të ndihet e pikëlluar dhe e hidhëruar, për shkak se ka humbur një instrumentist të devotshëm. Si njeri e ka përshkruar si të kulturuar e të saktë në punë.
“Ai ishte shumë i qetë për nga natyra, i mirëkuptueshëm, fjalëpakë, por i hareshëm. I urtë, por i afërt me të gjithë dhe me një edukatë të lartë familjare”, përfundoi Jashari.
Me pjesëtarët e “Prishtina Brass”, kornisti i ndjerë kishin rrugëtuar bashkë plotë dhjetë vjet. Pikërisht trumpetisti Avni Krasniqi ka thënë Bujupi ka lënë pas bagazh veprash. E potencoi që ka pasur vend të veçantë në skenën muzikore kosovare.
“Bledari ka qenë në të gjitha ansamblet kornist i parë, në Filharmoni të Kosovës, në “Prishtina Brass” për 10 vjet kemi qenë si familje e dytë për shkak që kemi vepruar në shumë koncerte nga Prishtina e deri në Amerikë”, theksoi Krasniqi.
Vdekjen e tij e ka vlerësuar jo si “shok” veç për familjen, por edhe për gjithë komunitetin artistik.
“Bledari si person ka qenë shumë i qetë, djalë shumë i mirë, punëtor prej vetë faktit që ai ka qenë pjesë e rëndësishme si instrumentist nëpër krejt këto çka i përmenda”, ka thënë Krasniqi.
Shefi i zyrës së informimit të FSK-së, Vëllaznim Qerimi, ka thënë se vdekja e Bujupit është humbje për Orkestrën Frymore të këtij institucioni.
“I kanë dhënë një imazh mjaft të mirë FSK-së dhe Kosovës, për arsye se kjo Orkestër e ka përfaqësuar Kosovën në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai, duke shtuar se angazhimi i Bujupit ka qenë në nivel të lartë.
Rrugëtimin me këtë Orkestër, Bujupi e kishte filluar në vitin 2010, bashkë me kolegët e tjerë.
“Do të jetë vështirë i zëvendësueshëm në Orkestrën Frymore dhe Filharmoninë e Kosovës”, u shpreh ai.
Zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Bislim Bislimi, ka thënë se gjithmonë do ta kujtojnë me pietet shembullin që Bujupi ka lënë pas.
“Një koleg i yni, një njeri i afërt që kushdo që e ka njohur nga afër ka lënë mbresa të pashlyeshme si njeri, si artist dhe si profesionist me kulturë të lartë”, përfundoi Bislimi.
Bujupi ka vdekur në moshën 31-vjeçare. Për vdekjen e Bujupit kishte njoftuar të martën Filharmonia.