Koncerti i së martës mbrëma i Filharmonisë së Kosovës qe sikur një dramë që vihet në skenë për të rrëfyer e festuar. Një dramë muzikore ku bashkohen ditët e vështira bashkë me ato të mira, kujtesa kolektive e aspirata për të ardhmen. Veprat shqiptare kanë qenë në fokus, por përtej tyre edhe ato të muzikës klasike të nivelit botëror që kanë ngjyrat emocionale të asaj çfarë ka kaluar edhe Kosova. Unike ka qenë edhe vepra “Nunquam Iterum – Lamenti i Nënës” e Valton Beqirit
Koncertet solemne me të cilat shënohet Dita e Pavarësisë së Kosovës për nga përmbajtja dhe kurimi i programit nga viti në vit janë më kuptimplota. Por jo edhe kushtet në të cilat interpreton institucioni. Por kjo shkon përtej Filharmonisë. Historia vendore e ngjarjet ndër shqiptarë, vijnë nëpërmjet veprave që muzikalisht shprehin festë, sakrificë e shpresë. Veprat shqiptare janë në fokus, por përtej tyre edhe ato të muzikës klasike të nivelit botëror që kanë ngjyrat emocionale të asaj çfarë ka kaluar edhe Kosova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUvertura “Nabucco” e Guiseppe Verdit me të cilën është hapur koncerti solemn i Filharmonisë së Kosovës në ditën e 18-vjetorit të Pavarësisë, është pjesa e operës me të njëjtin titull ku tregohet tmerri nën robëri e lufta për ekzistencë. Kujtesa kolektive, malli për atdheun e shpresa për liri e përshkojnë një pjesë të madhe të uverturës. Është një udhëtim emocional nga robëria, te kujtesa, shpresa e çlirimi. Nën dirigjimin e Baki Jasharit – dirigjentit permanent të koncerteve të Pavarësisë – Orkestra i ka dhënë jetë këtij rrëfimi muzikor për t’i hapur rrugë një vepre shqiptare.
Tema dhe variacione për trombon dhe orkestër të Aleksandër Vezullit me solist Betim Krasniqin e kanë çuar programin nga veprat shqiptare që për bazë e kanë traditën. Dhe, Filharmonia e Kosovën në koncertet solemne sikurse u jep prioritet premierave. Kjo vepër me trombonin si instrument kryesor ka bërë që meloditë me tingull shqip të përçojnë te publiku frymë identitare.
Premierat kanë vazhduar me “Shi lotësh” për fyell, cylë dyjare, piano dhe orkestër të Aulon Naçit. Është një vepër me motive të jugut që plotëson mozaikun e veprave shqiptare në program.

Vendim Kapaj me veshje tipike të asaj ane duke interpretuar në fyell dhe cylë dyjarësh ka sjellë para publikut shkathtësi prej interpretuesi bashkë me tingujt e melosit të jugut të Shqipërisë. Në piano ka interpretuar vetë kompozitori, aktualisht drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri. E dueti nga baleti “Shotë dhe Azem Galica” i Nikolla Zoraqit ka sjellë frymën e betejave e të triumfit. Me bazë te ngjarjet e kryengritësit shqiptar të pjesës së parë të shekullit të kaluar, muzika e Zoraqit me tone epike ka përçuar emocionet e betejave e ditëve të vështira bashkë me frymën e triumfit.
Te ditët e vështira në këtë koncert e ka çuar publikun edhe vepra e Valton Beqirit. “Nunquam Iterum – Lamenti i Nënës” është rrëfim më vete. S’hyn te veprat e festës, por tek ato që tregojnë rrugëtimin e Kosovës deri në festë. E komisionuar nga Filharmonia e Kosovës, kjo vepër ka në fokus të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftës në Kosovë. Bazohet në rrëfimin e një nëne që gjendet i shkruar me dorë në një prej mureve të muzeut “Çast”, i inauguruar më 2024 nga fondacioni “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga. Nëna që ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe bashkë me të dy të bijat njëra 10 e tjetra 7-vjeçe rrëfen për tmerrin. E mitura 7-vjeçare s’ka mbijetuar. Kompozitori Beqiri këtij rrëfimi ia ka dhënë ngjyrat muzikore duke e shndërruar në një dramë shtatëminutëshe për kor dhe orkestër. Krejt në fillim vepra mbyll horizontet njerëzore dhe paralajmëron tmerrin me artileri ushtarake. Vetëm me zanore si ofshama e fut publikun në tmerrin e përjetuar nga dhuna seksuale, përderisa “britmat” me “jo” bëjnë thirrje që ngjarjet e tilla të mos përsëriten. Beqiri është kujdesur që vepra të komunikojë universalisht dhe nëpërmjet titullit nga latinishtja që përkthehet “Kurrë më”, bën thirrje që ngjarjet e tilla të mos përsëritën. Është prej dedikimeve më kuptimplota nëpërmjet së cilës Filharmonia prek kujtesën kolektive për të mos harruar atë që ka ndodhur gjatë rrugës për liri e pavarësi.
“Realisht krijuesi asnjëherë nuk është i kënaqur me punën e tij dhe mendon se gjithmonë ka hapësirë për të dhënë më tepër. Mendoj se edhe instrumentistët e kanë këtë ndjenjë. Me rendësi është që mesazhi dhe emocionet janë përçuar nëpërmjet veprës. Besoj që në të ardhmen me pak më shumë kohë e sforcim, kjo vepër mund të jetë në nivelin çfarë unë kam pasur dëshirë”, ka thënë Beqiri pas koncertit. Sipas tij, duke pasur parasysh temën që shtjellon, beson që vepra duhet të dëshmojë dhe rikujtojë gjithë atë periudhë të rëndë që kanë kaluar jo vetëm ato në të cilat është bazuar vepra, por edhe një numër i madh i grave dhe burrave në luftën e fundit në Kosovë. Kompozitori është munduar që krejt ai tmerr – që sipas organizatave të huaja e kanë përjetuar 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë vitit 1998 dhe 1999 – të pasqyrohet në një vepër ku bashkohen vuajtja, ditët e vështira e shpresa.

Pas këtij përjetimi ka qenë koha e veprës “Gloria” e kompozitorit anglez, John Rutter. Është një udhëtim muzikor modern që vjen si lavdërim, reflektim, triumf dhe gëzim. E kompozuar më 1974 nga një prej emrave më të njohur në Britaninë e Madhe, “Gloria” ka bazën te lutja liturgjike latine “Gloria in excelsis Deo”, një nga tekstet më të njohura të traditës kishtare. Energjia festive bashkë me kontrastet emocionale e bëjnë atë të veçantë. E ndarë në tri kohë, ajo nis me triumf për të kaluar te lutjet e qetësia shpirtërore. Më pas rikthehet energjia e ndjesia triumfuese për të përfunduar me gëzim kolektiv. Ashtu siç edhe bëhet në ditë të shënuara si ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Dirigjenti Baki Jashari, i cili ka udhëhequr me Filarmoninë e Kosovës për gati dy dekada ka thënë se ka emocione të veçanta në koncerte të tilla, pasi ka dirigjuar koncertet qysh prej atij të shpalljes së Pavarësisë.
“Meqë është ditë festive shumë e rëndësishme, nuk mjafton vetëm festa muzikore. Në program kishim edhe dhimbje në veprën e Valton Beqirit e cila është shkruar enkas për këtë përvjetor”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, janë munduar që të përçojnë mesazhe edhe të historisë së popullit të Kosovës dhe atij shqiptar në përgjithësi.

“Kishim vepra që aludojnë edhe në të kaluarën tonë më të largët. Po ashtu kishim edhe vepra të jugut të Shqipërisë që janë një konglomerat i muzikës kombëtare. Gjithmonë Filharmonia në programet e veta kujdeset që të komunikojë edhe me botën e jo vetëm të ketë vepra shqiptare. Por t’i tregojmë botës së dinjitetshëm interpretojmë vepra të literaturës botërore. Vepra e fundit lidhet edhe me seriozitetin e festës dhe atë të Orkestrës”, ka thënë ai.
E ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se në vitet e fundit institucioni në koncertet e Pavarësisë kryesisht fokusohet në promovimin e muzikës së kompozitorëve të Shqipërisë dhe Kosovës ose kompozitorëve të cilët materialin tematik të kompozimeve të tyre e kanë me bazë në muzikën shqiptare apo trajtojnë tematika të cilat lidhen me Kosovën.
“Kemi konsideruar se ndoshta në një ditë si ajo e Pavarësisë, më mirë është që të promovojmë kompozitorët shqiptarë duke mos lënë anash edhe kompozitorët e tjerë nga literatura e muzikës klasike botërore, qoftë ajo e traditës apo e kompozitorëve bashkëkohorë siç ka qenë për shembull vepra ‘Gloria’ e njërit prej emrave më të rendësishëm të muzikës britanike dhe jo vetëm”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, logjika mbi të cilën është trajtuar programi beson se është pranuar nga publiku edhe për faktin se tentojnë që përbrenda tij, përveç festës e momenteve të krenarisë, të kujtohet edhe rruga nëpër të cilën është kaluar.

“Për shumë prej nesh, sot liria dhe shtetësia festohen ndryshe, por për shumë të tjerë ajo vazhdon të jetë jo e plotë për shkak se drama nëpër të cilën kanë kaluar është e jashtëzakonshme. Tentojmë që panorama e përgjithshme e programit të përfshijë krejt peizazhin e gjerë që është vështirë të përmblidhet në pak më shumë se një orë muzikë. Por ne tentojmë ta arrijmë këtë e se sa arrijmë mund ta shohim në ditët në vazhdim kur reflektojmë mbi programin”, ka thënë ai.
Por me krejt avancimin profesional që ka bërë, institucioni përballet me kushtet e njëjta qysh prej kur u themelua. E nëse krahasohet me koncertin e Ditës së Pavarësisë, improvizimi me hapësira është konstantja tash e 18 vjet.
“Është jo për t’u lavdëruar fakti se edhe sot e kësaj dite ky vend nuk ka një sallë koncertesh, por besoj dhe shpresoj që në vazhdim ritmi për shtyrjen para të projekteve kapitale në kulturë të intensifikohet dhe ndoshta në 25-vjetorin e Pavarësisë të kemi një sallë koncertale që plotëson kushtet dhe ta kujtojmë këtë moment si pjesë të historisë e jo të përditshmërisë sonë”, ka thënë Selimaj. Përtej kësaj, koncerti i së martës mbrëma qe sikur një dramë që vihet në skenë për të rrëfyer e festuar. Një dramë muzikore ku bashkohen ditët e vështira bashkë me ato të mira, kujtesa kolektive e aspirata për të ardhmen.