Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
In Memoriam

Alban Bujari – fisniku i rrëfimit me fotografi

Alban Bujari (13 maj 1970 – 27 shkurt 2025)

Alban Bujari (13 maj 1970 – 27 shkurt 2025)

Shpjegimi i fjalës fisnik në Fjalorin e shqipes, është sikur të jetë shkruar për të. Në njëvjetorin e vdekjes së fotoreporterit të KOHËS, Alban Bujari, trashëgimisë së tij veç i është rritur vlera. E me kohë, puna e tij do të peshojë edhe më. Njësoj sikurse kujtimet. “Përherë fëmijëve u fliste për gjëra të bukura”, thotë gruaja e tij, Jeta Dida-Bujari. “Çdo ditë flas me të... tash e një vit, kushedi sa herë kur kam pasur ndonjë dert apo kam parë ndonjë lajm e kam kapur telefonin për ta thirrur”, thotë miku i tij, Afrim Vitia-Xhovani

Kur në arkivin e KOHËS kërkohen fotografi për të ilustruar ngjarje, ato të Alban Bujarit janë të pashmangshme. Bëhen të pashmangshme edhe kur përzgjidhen e publikohen shkrepjet ilustruese. Shkrepjet, bashkë me punën e tij janë krejt të patejkalueshme kur kërkohen fakte për luftën e fundit në vend. Janë imazhe të tmerrit në anë të ndryshme të Kosovës. Aso që u botuan edhe në mediat më prestigjioze e u vendosën në tavolinat diplomatike e vendimmarrëse në vende të ndryshme të botës.

Në njëvjetorin e vdekjes së fotoreporterit të KOHËS, Alban Bujari, trashëgimisë së tij veç i është rritur vlera. E me kohë, puna e tij do të peshojë edhe më. Kujtimet me të e për të janë të shumta. Prej atij portreti serioz, shtathedhurit, e një prej njerëzve me më stil në qytet, deri te rrëfimet e luftës, harmonia familjare, miqësore e kolegiale dhe fisnikëria me të cilën bashkëjetonte. Bashkë me rrëfimet e tij sa tragjike edhe komike e “foret” e pashmangshme me njerëzit më të afërt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“A nuk po ke frikë?”

Për një vit prej 27 shkurtit të 2025-s kur vdiq, karrigia e tij në vendin e punës është bosh. Afër kompjuterit që nuk është ndezur më, është vazoja e vogël e një luleje. Në të djathtë, ulet kolegu e miku i tij, Driton Paçarada. Heshtja e Paçaradës në njëvjetorin e vdekjes, flet vetë. S’e nxjerr dot një fjalë. I flasin sytë. E kujton përditë.

Te folderi i fotografive ditore ku ka qasje e gjithë redaksia është ai me emrin “DitoreAlban”. Mandej janë shumë folderë që lidhen me emrin e tij e një prej tyre “Prekaz KD Alban”.

Alban Bujari që vdiq pa u bërë 55 vjeç e ka pasur një sens të natyrshëm për t’u bërë përshtypje njerëzve. Me qetësinë e tij që zor kush e ka, e portretin që heshtja i fliste fort, ai rrëfente. E kur shikohen shkrepjet e tij, në njëfarë mënyre dëshirohet edhe personaliteti i të riut prishtinas që iu bashkua “Kohës Ditore” pak pas themelimit më 1997 për të punuar deri në ditën e fundit të jetës. Për t’u përkushtuar me krejt fisnikërinë që e karakterizonte. Afro katër vjet para se të niste këtë punë, do të njihej me Jeta Didën, një pianiste e re asokohe në kryeqytet.

“Vitin e kaluar e kemi festuar 31-vjetorin që jemi bashkë. Saktësisht më 11 janar. Më pas më 11 janar u lind edhe djali, Zjarri”, tregon Jeta Dida-Bujari.  Bashkë me Alban Bujarin më pas do të bëheshin prindër të dy fëmijëve:  Zjarrit dhe Sharrit. Jeta Bujari-Dida e kujton mirë kohën kur asokohe i dashuri i saj u bë pjesë e “Kohës Ditore”. Në ditët e para të punës ai kishte ilustruar atmosferën e qetësinë e Prizrenit gjatë muajit të Ramazanit.

“Por shpejt filluan trazirat e luftës dhe ai dilte në terren. I thosha: ‘a nuk po ke frikë? Thoshte ‘Jo’. E kishte një vullnet shumë të madh për të shkuar në zona të ndryshme gjatë luftës. Nuk di ta shpjegoj atë vullnet që e kishte. Më ka pas bërë shumë përshtypje. Komunikonim me telefon në mbrëmje për të marrë vesh se a është kthyer”, kujton Dida-Bujari në një bisedë të gjatë të ndjeshme kujtimesh, pasditen e 26 shkurtit, një ditë pa u shënuar njëvjetori i vdekjes së Albanit.

Në ditët më të vështira të Kosovës, Alban Bujari me ekipet e asaj periudhe të “Kohës Ditore”, nuk u ndal asnjëherë. Prekazi, Reçaku, Rogova e Hasit janë veç disa prej hapësirave të tragjedive ku ai dokumentoi atë që po ngjante. Shkrepjet e tij, rrumbullakojnë një mozaik të plotë të krejt ngjyrave të asaj kohe në Kosovë.

“Asokohe nuk ka pasur reflektim të traumave. Disi ka qenë i vetëdijshëm se çfarë po bën dhe s’ka pasur shumë fotoreporterë. Ka qenë shumë entuziast dhe ka pasur entuziazëm ta dokumentojë luftën. Asokohe nuk vëreja ndonjë ndryshim tek ai”, rrëfen Dida-Bujari.

Qetësia që fliste zëshëm

Në vitet e fundit të jetës, Alban Bujarit sikur i shtohej qetësia. Shpesh në ambientet e punës a në kafene, sikur rrinte në kujtesë. E në muhabet që bënte krejt pak tregonte se po i shpaloseshin “filmat” e ditëve të vështira.

“Më thoshin fotoreporterët e huaj, mos u fokuso shumë në viktima. Thjesht shkrep fotografi”, rrëfente ai. Dhe këtë e bënte me njëfarë mllefi. I dukej se të huajt s’kishin ndjeshmëri ndaj viktimave. Dhe Bujari vepronte ndryshe. Ishte i bindur se nuk duhet t’i shpëtonin detajet.

“Ai e ka pasur një kënd të veçantë të fotografimit dhe ka qenë shumë i kujdesshëm në profesion”, do të thoshte kolegu i miku i tij, Hazir Reka një ditë pas vdekjes së Bujarit. Shtonte se Bujari e ka pasur më të veçantë paraqitjen e portretit.

“Portretin e ka me më shumë emocion. Janë foto pak si të realizuara në stilin ‘paparaci’. Personazhet nuk e kanë ditur se po fotografohen. Kur e dinë, ndryshon pamja e personazhit dhe shkrepja nuk e përçon krejt emocionin. Këto detaje e kanë bërë të veçantë paraqitjen e portretit nga Albani”, shtonte ai. Përmendte Prekazin e marsit të vitit 1998. Atë rast e ka përmendur edhe vetë Bujari disa herë, përderisa ai rrëfim gjithmonë përfundonte me një fjali: “Paslufte, asnjëherë më s’kam qenë në Prekaz...”. Atë kohë e përmend edhe Jeta Dida-Bujari. Bashkëshorti i saj do të rrëfente se si ishin zhvarrosur krejt trupat e familjes Jashari për t’u varrosur sërish. Më shumë kishte trupa të vdekur sesa njerëz që bënin rivarrimin. Procesi që do të zgjaste deri në mbrëmje qe një prej vragave të mëdha në kujtesën e tij. Do të hiqnin rripat për të manovruar me arkat e kufomave. Fotografitë e tij të asaj kohe, janë imazhe të pashmangshme. Madje edhe televizioni gjerman kishte bërë një reportazh atyre ditëve për punën e tij. Por Bujari në përgjithësi rrëfente pak. Me raste kur shihte ndonjë koleg ndërkombëtar që i kishin rënë bashkë krye e tërthor Kosovës së atyre ditëve, tregonte ndonjë detaj. Si ato të fshehjes së negativëve nëpër skuta të makinës që gjatë kthimit të mos ia merrte policia serbe. Shpesh ia kanë marrë. Por veç ata të rinjtë që i vendoste në aparat për t’i mashtruar se kinse aty janë fotografitë.

“Çdo ditë flas me të... tash e një vit...”

Pashmangshëm në shumicën e atyre udhëtimeve ishte me Afrim Vitinë – Xhovanin. Vitia kishte një ritual që nuk e humb asnjëherë. Vendi ku ulej Bujari në desk shihet nëpërmjet një dritareje në krye të shkallëve që çojnë në ambientet e punës.

“Çdo mëngjes e zgjas kryet aty për ta shikuar...”, thotë ai derisa fjala i pritet në gjysmë. Sa herë e shihte që Bujari ka arritur para tij në punë, së pari shkonte tek ai për ta përshëndetur e më pas në zyrën e tij.

“Çdo ditë flas me të... tash e një vit, kushedi sa herë kur kam pasur ndonjë dert apo kam parë ndonjë lajm e kam kapur telefonin për ta thirrur”, rrëfen Vitia. Bashkë kanë përjetuar shumë. Në luftë e paqe.

“Por ja që njeriu i paska ditët e numëruara”, thotë Vitija. Për dallim nga shumë raste me Vitinë, Alban Bujari s’rrinte aq i heshtur.

Qëndrimi i tij i heshtur ka mundur të pasohej nga ndonjë rrëfim të bukur. Aso prej meraklie të ushqimit se si në familje paskan pasur një darkë me ndonjë specialitet të veçantë. Apo si kanë qenë në një restorant diku në Shqipëri gjatë pushimeve ku ushqimi ishte shumë me shije por pastërtia jo bash në nivel dhe Jetës i ngjitej në dorë mbajtësja e mëlmesave. Qeshej shumë me këtë. Njëjtë qeshet edhe Jeta Dida-Bujari.

“Ai ka bërë për ne gjithçka çfarë ka mundur”

“Familjen e ka dashur shumë. Me krejt stresin e dinamikën në punë, ai ka qenë shumë i qetë, megjithëse pat nisur ta mundojë trauma e luftës. Ai ka bërë për ne gjithçka çfarë ka mundur. Për familje ka qenë tejet i dashur”, thotë ajo. Flet shumë për mprehtësinë e tij. Për kuriozitetin për gjithçka që e rrethonte. Bujari ka qenë në gjendje të flasë gjatë për pemët në oborrin e tij në “Velani” të Prishtinës.

“Sharri e ka një mendje të mprehtë. Albani ka qenë i tillë. Është thelluar në gjëra të ndryshme. Blinte shumë literaturë për fotografi. Të dy fëmijët Zjarri e Sharri i kanë ngjarë shumë në këtë aspekt”, thotë Dida-Bujari. Përmend disa herë se kishte respekt e dashuri për secilin familjar.

“I ka dhënë shumë rëndësi autoritet tim si nënë te fëmijët”, thotë ajo. Fëmijët asnjëherë nuk do t’i ngarkonte me rrëfimet e luftës. Do t’u fliste veç për gjëra të bukura. Por në vitet e fundit traumat kishin nisur t’i shfaqjen. Ka pasur njëfarë zelli emergjent për të organizuar ekspozita.  

“Ndjeva që titulli ishte në ajër ‘Erë gjaku’ – që e kujtoj ende”, do të thoshte Alban Bujari në janarin e 2023-s në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës kur hapi ekspozitën “Erë gjaku”. I shoqëruar nga gazetari Naser Miftari e shoferi Afrim Vitia kishte dokumentuar masakrën e ushtarëve të UÇK-së të rënë në pritë në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës. Në krejt ato shkrepje dominon gjaku që shkonte rrëke. I rrethuar nga ato fotografi, Bujari sikur nuk e duronte hapësirën. I kthehej “filmi” i 1999-s. Fjalët para gazetarëve e të pranishmëve i kishte të pakta. I lidhej goja dhe e mbulonin djersët.

“Ngrihu se ka shumë gjak, ndija erën...!”

Jeta Dida-Bujari rrëfen se traumat e luftës nisën t’i shfaqeshin më vonë.

“Natën kishte ankth. Në mesnatë zgjohej e thoshte: ‘Ngrihu se ka shumë gjak, ndija erën...!’ Qante e bënte kështu derisa i kalonte ankthi”, kujton ajo. Festat e lirisë e të pavarësisë i përjetonte fort. Dida-Bujari tregon se në shtëpi lëshonte muzikë patriotike. Por edhe mërzitej shumë. Në ditën e shpalljes së Pavarësisë derisa po dokumentonte atë moment historik, sikur kishte pasur një “flashback” të krejt asaj që kishte dokumentuar në luftë. Do të shkrehej në vaj në një qoshe të bulevardit kryesor të Prishtinës. Festat me atë muzikë që lëshonte ai në shtëpinë e tij, përjetohen prapë. Dida-Bujari tregon se kështu tash bëjnë fëmijët.

Luftëtari krenar me fotoaparat

“Tash e një vit, fëmijët kanë nisur ta krijojnë një stil që i ngjan veshjes së Albanit. Albani njëmend ka pasur stil. Kur jam njoftuar unë me të, ai ka qenë djali më me stil në Prishtinë e edhe djali më i pashëm në qytet”, thotë ajo. E përshkruan si njeri me natyrë modeste e me pritshmëri të mëdha për vendin.

“Nuk e mori certifikatën e veteranit të luftës. Thoshte: ‘Unë s’kam qenë luftëtar që të them se jam veteran, unë isha fotoreporter’. Thoshte: ‘S’mund t’u them fëmijëve se jam veteran’. Dhe me të këtë muhabet s’ke munduar ta çosh më tej sepse ka qenë i prerë. Ka qenë shumë krenar”, tregon ajo derisa pi një çaj. Në një rast të tillë duke bërë muhabet, Alban Bujari do të rrëfente për ndonjë çaj interesant që ka pirë diku. Për aromën e tij. E eventualisht do të nxirrte ndonjë rrënjë karafili për t’i marrë erë. E normalisht, për ta “detyruar” tjetrin ta bënte të njëjtën gjë. Reagimet pas vdekjes së tij ishin të shumta. Sikurse edhe në njëvjetorin e vdekjes ku midis të tjerash, Asambleja e Komunës së Prishtinës mbajti një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së Bujarit. Ndodhitë me të, tok me përshkrimin prej djali fisnik janë rrëfyer pa numër. E në sytë e familjes kjo tregonte shumë.

“Fëmijët tanë pas vdekjes e kanë marrë vesh mirë kush ishte Albani. Ai nuk ka dashur t’i ngarkojë. Mua, kur m’i tregonte fotografitë gjatë luftës, për besë një muaj nuk vija në vete. Reagimet pas vdekjes kanë qenë shumë lehtësuese për fëmijët. Dy fëmijët janë shumë krenar për babanë e tyre”, rrëfen Dida-Bujari. Dhe jo veç familjarët, por krejt kolegët, miqtë, e ata që kanë parë shkrepjet e tij. Flasin me të çdo ditë si puna e mikut te tij, Xhovanit. Me fotoreporterin e njeriun fisnik. Me Alban Bujarin.  

Lexo edhe: