Kori “Siparantum” ka dëshmuar edhe një herë potencialin që ka. Ka triumfuar në festivalin ndërkombëtar të koreve “Lisbon Sings” në Portugali. Përpos pjesëmarrjes në program garues, ishte edhe pjesë e koncertit “Friendship Concert”, i cili u mbajt në sallën e Universitetit të Lisbonës. “Siparantum” ia ka dalë të zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës
Kori “Siparantum” ka triumfuar në festivalin ndërkombëtar të koreve “Lisbon Sings” në Portugali.
Formacioni nga Peja është vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I”- që është kategoria më e vështirë e Festivalit.
Përpos pjesëmarrjes në program garues, ishte edhe pjesë e koncertit “Friendship Concert”, i cili u mbajt në sallën e Universitetit të Lisbonës. “Siparantum” ia ka dalë të zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës.
“Puna po shpërblehet. Faleminderit gjithë anëtarëve të korit për sakrificën dhe përkushtimin maksimal”, shkruhet, midis të tjerash, në njoftimin e Korit.
Festivali është aktivitet që bën pjesë në “WORLD'S BEST CHOIRS Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles”.
Formacioni koral nga Peja është paraqitur në këto koncerte me vepra të epokave të ndryshme stilistike të kompozitorëve shqiptarë.
Grumbullimi vullnetar i prirë nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi ishte prezantuar edhe në festivalin ndërkombëtar të korit “We are Singing Ljubljana” me tri koncerte me karakter jogarues.
Edhe
Portugalia, stacioni i radhës i “Siparantumit”
Në maj të këtij viti “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.
“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-tës mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit të kaluar, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.