Rrugëtimi nëpër kohë u bë përmes veprave prej barokut, renesancës e deri te modernia. A cappella, muzikë vokalo-instrumentale, po ashtu, ishin një thurje tjetër.
Në këtë formë Kori i Filarmonisë së Kosovës për një orë shpalosi kapacitetin e tij në gjini, stile e në kohë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dëshmoi se 15 vjetët e fundit të ekzistencës së tij si njësi e dytë e Filarmonisë së Kosovës kanë qenë të frytshme. Mirëpo, ky është vetëm një vazhdim i traditës së gjatë që Kosova ka me këso formacioni.
Kori i Filarmonisë së Kosovës është ansambël profesional me 50 anëtarë, i cili vazhdon punën e Korit profesionist të ish-Radiotelevizionit të Prishtinës, i cili veproi me shumë suksese që nga vitit 1980 pikërisht në drejtimin e dirigjentit aktual, Rafet Rudit.
Me aktivitetin e tij, Kori i Filarmonisë gjithashtu vazhdon të kultivojë traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston që nga vitit 1945. Programi i këtij ansambli përfshin vepra të një game të gjerë stilistike, duke filluar nga veprat e mjeshtërve – Monteverdi, Morley, Arcadelt, Marenzio – e deri te veprat e kompozitorëve të rëndësishëm nga literatura moderne korale – Britten, Arvo Prat, Eriq Whitacre.
E të dielën mbrëma në koncertin në kishën katolike “Shën Ndou”, shënoi 15-vjetorin e themelimit si institucion i Filarmonisë së Kosovës, me vepra prej “Ave Maria” të Heitor Villa Lobos, “Exulate Deo” të Alessandro Scarlattit, “Judas Mercator Pessimus” të Jose Mauricio Nunes Garcia e “Il Este Bel Et Bon” të Pierre Passereau, në pjesën e parë të mbrëmjes.
Nën drejtimin e dirigjentit brazilian Marcio Da Silva, rrugëtimin e tij muzikor, pas veprave a cappella e shënoi edhe me një vepër vokalo-instrumentale. Solli për herë të parë veprën e kompozitorit kosovar Hajrullah Syla, “Kënga e Rexhës”, e cila vjen nën përcjellje të violinës. Festim Fanaj në violinë dhe Luan Durmishi tenor u bën bashkë me Korin për të sjellë këtë këngë, e cila është e njohur për publikun kosovar, por kësaj radhe me një kompozim më ndryshe... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)