Kulturë

Konkursi i “Dodonës” për aktorë, bashkë me paralajmërime protestash

Jo më shumë se pesë veta do të mund t’i bashkohen ansamblit rezident të teatrit të qytetit “Dodona”, për ta çuar në nëntë numrin e atyre që do të jenë aktorët e përhershëm të këtij institucioni. Por që në ditën e parë konkursin e hapur nga Komuna e Prishtinës e ka kundërshtuar grupi i aktorëve që protestoi vitin e kaluar kur e kërkoi konkursin. Ka paralajmëruar rikthim në protestë pasi numri, por edhe kriteret janë të papranueshme

Rezistencë deri në protestë ka paralajmëruar grupi i aktorëve i cili kërkonte që teatri “Dodona” të rriste ansamblin rezident. Por konkursi për pesë veta që ansamblin e shumëpritur rezident të Teatrit të Qytetit do ta bënte me nëntë aktorë, del të jetë i papranueshëm për grupin e aktorëve prishtinas. Është kundërshtuar që në ditën e parë të konkursit. Ashtu si në të kaluarën, kërkesa është që “Dodona” të ketë së paku 20 aktorë të punësuar.

Reagimet e aktorëve – që dy herë kanë protestuar gjatë vitit të kaluar – pos numrit kanë të bëjnë edhe me kriteret.

Sipas konkursit, aktorët e angazhuar do të luajnë në të gjitha shfaqjet në të cilat i angazhon regjisori, po ashtu do të luajnë në studio apo lokacion tjetër varësisht nga nevojat që paraqet produksioni.

“Animon kukullat, pjesë të dekorit dhe rekuizitat, merr pjesë në të gjitha provat e caktuara në shfaqjet në të cilat është i/e angazhuar sipas orarit të provave (puna në tavolinë, puna me lektor, puna me regjisorin në tekst, puna në skenë me koreografin, puna me bashkëpunëtorin e muzikës, trajnerin kondicional) e të tjera”, shkruhet në konkurs.

Aktori Ilir Prapashtica është prej atyre që ka organizuar dhe u ka prirë protestave të aktorëve prishtinas në shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar, kur kërkohej që “Dodona” të bëhet me të paktën 20 aktore në ansamblin rezident. Sipas Ligjit për teatro, këto institucione publike të qyteteve duhet të kenë të paktën 10 aktorë në ansambël rezident e maksimum 20. Vetëm Teatri Kombëtar gëzon të drejtën dhe detyrimin të ketë 30.

Për Prapashticën, është e pakuptimtë që nga katër sa janë tash me konkurs të shtohen edhe pesë aktorë.

“’Dodona’ ka dy repertorë. Ditën janë shfaqjet me kukulla dhe pastaj shfaqjet e mbrëmjes. Ne nuk duam të lejojmë që të jenë vetëm pesë të punësuar me këtë konkurs. Janë shumë pak të bëhen nëntë gjithsej”, ka thënë Prapashtica. Sipas tij, kryeqyteti duhet t’i ketë të paktën 20 aktorë rezidentë në institucionin e vet teatror.

“Ne si aktorë të Prishtinës nuk kemi hapësirë në teatro të tjera. Unë kam kontribuar shumë aty. Nuk kam ku të shkoj pos këtij Teatri. Edhe gjeneratat e reja shpresojnë te ky Teatër”, ka thënë ai. Ka kontestuar edhe kriteret e konkursit. Saktësisht faktin se kërkohen aktorë që do të jenë të angazhuar edhe në shfaqjet me kukulla për fëmijë e edhe në skenën e mbrëmjes ku jepen shfaqje për të rritur.

“Tash a duam të bëhemi aktorë të kukullave apo për skenë të mbrëmjes. Ne si grup nuk duam ta pranojmë këtë konkurs. Do të mundohemi të rezistojmë që të hapen më shumë vende të punës aty. Duhet që çdo vit të hapen vende pune për aktorë”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar rezistencë deri në protesta.

“Me siguri do të dalim në protestë paqësore në mënyrë që të rezistojmë”, ka thënë ai.

Deri te pavarësimi buxhetor është arritur pasi Komisioni i Granteve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të vitit 2019 ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022. Me miratimin e buxhetit për vitin e kaluar, në mars, tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident. Teatrot e tjera angazhimin e ansamblit rezident e kanë përfunduar vitin e kaluar. Asnjë prej tyre nuk ka mundur që të ketë mbi 12 aktorë të përhershëm.

Drejtori i teatrit “Dodona”, Visar Krusha, është prej atyre udhëheqësve që kanë kontribuar që të arrihet deri te mundësia që teatrot e qyteteve të kenë ansambël rezident.

“Të gjitha teatrot e qyteteve në maksimum mund të punësojnë deri në 22 persona përfshirë aktorët, administratën, teknikët, do të thotë i gjithë stafi i institucionit. Ne në ‘Dodonë’ jemi 17 veta. Me këta pesë edhe ne bëhemi 22. Ka shumë aktorë që kanë nevojë për punë dhe janë të mirë. Numri pesë është shumë i vogël”, ka thënë ai të enjten në emisionin “Express” të KTV-së.

Ka treguar se ka qenë një përpjekje e Komunës që të rritet numri i aktorëve që do të pranohen në ansamblin rezident. Por, sipas tij, është problem pasi pesëshja është miratuar nga Qeveria.

“Normalisht që ka nevojë edhe më shumë. Me nëntë është numër që mund të bëhen shfaqje. Ka shumë shfaqje që do të mund t’i ringjallnim”, ka thënë ai. Ka treguar se për sivjet në bazë të programit synojnë tri shfaqje për skenën e mbrëmjes dhe dy për atë të fëmijëve.

“Kurse pasi t’i marrim aktorët, për vitin që vjen, planifikojmë më shumë”, ka thënë ai, derisa ka paralajmëruar një rinovim të objektit të “Dodonës” gjatë verës.

Sipas konkursit që do të jetë i hapur për dy javë, ata që ia mësyjnë pozitës së aktorit ose aktores duhet të kenë njohuri profesionale specifike në fushën përkatëse të punës, të fituar përmes arsimimit universitar.

“Diplomë universitare – aktrim dhe përvojë profesionale të dëshmuar (minimum 2 vjet)”, shkruhet në konkursin që mbyllet në ditën e 6-të të majit.

Duke kërkuar këtë konkurs, 15 aktorë me filikaqa kishin zhurmuar para Komunës së Prishtinës në shtator e dhjetor të vitit të kaluar.

Paraprakisht aktorët kishin mbajtur një konferencë për media më 5 gusht. Meqenëse nuk ishin plotësuar kërkesat e tyre, aktorët kishin mbajtur në duar thirrjet “#përteatrindodona”. Paraprakisht kishin pasur edhe një lloj proteste përmes rrjeteve sociale.

Të enjten KOHA ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës sa i përket konkursit. Por zyrtarët komunalë nuk janë përgjigjur.

“Dodona” si teatër i qytetit është themeluar në nëntor të vitit 1986. Prej pasluftës asnjëherë nuk ka e kompletuar ansamblin rezident të aktorëve.