Kulturë

“Dodona” merr pesë aktorë, akuza për dallavere e paralajmërim padie

Shpallja e listës me pesëshe që bëhet pjesë e ansamblit rezident të “Dodonës” ka ardhur bashkë me akuza për dallavere me konkurs e njëri nga kandidatët që nuk është pranuar ka paralajmëruar se këtë çështje do ta çojë edhe në gjykatë. Është aktori Sunaj Raça që thotë se janë bërë një seri shkeljesh. Anëtarët e komisionit japin versionin e tyre, por akuzat kanë shpërthyer edhe deri tek ato për zbulim aferash milionëshe në një tjetër institucion

Konkursi për aktorë rezidentë të teatrit të qytetit të Prishtinës “Dodona” – që nisi me bojkot, kërkesa për anulimin e tij, si dhe nisma për protesta – në finalizim të tij ka “avancuar” në akuza për dallavere e paralajmërim për padi.

Pas publikimit të pesë emrave të përzgjedhur për këtë ansambël, të menjëhershme kanë qenë reagimet.

Aktori Sunaj Raça, i cili në konkurs ka marrë 78 pikë, të cilat e kanë vendosur në vendin e gjashtë, ka paralajmëruar padi. Sipas tij, fakti që me konkurs nuk përmbushet numri që përcakton Ligji për teatro sa i përket ansamblit rezident e nënshkrimi i kontratave, sipas tij, në mënyrë klandestine, janë vetëm dy prej arsyeve për të cilat pohon se ka bazë ligjore.

Njëzet e një aktorë ia kishin mësyrë konkursit për pesë vende në ansamblin rezident të teatrit “Dodona”. Dy prej tyre s’i kishin plotësuar kushtet për t’u përfshirë në listën e ngushtë e të vazhdojnë në fazën e audicionit. Ishin vlerësuar tetëmbëdhjetë prej tyre pasi që kandidatja Valina Mugolli kishte munguar në audicion.

Pas vlerësimeve, të martën janë publikuar emrat e aktorëve të përzgjedhur. Molikë Maxhuni është vlerësuar me 93 pikë, Ermal Sadiku me 91 pikë, Leonit Maloku me 90 pikë, Vjosë Tasholli me 87 pikë, si dhe Arta Lahu me 84 pikë, janë emrat që i bashkohen stafit të “Dodonës” që prej pasluftës asnjëherë nuk e ka kompletuar ansamblin rezident të aktorëve. Një lajm i mirë u konsiderua ky hap për shumëkënd, e nga disa të tjerë u kritikua që në hapje të tij. Teatri “Dodona” deri më tash ka pasur vetëm katër aktore rezidente, kurse pas këtij konkursi numri i përgjithshëm i aktoreve ka arritur në nëntë.

Visar Krusha, drejtor i “Dodonës”, regjisorja Zana Hoxha, aktorja Aurita Agushi, aktoret Shengyl Ismaili dhe Teuta Kabashi-Rugova, si kryetarja për burime njerëzore në Komunën e Prishtinës, kanë qenë pesëshja e komisionit vlerësues.

Aktori Raça ka thënë se në krejt procesin janë bërë seri shkeljesh.

“Në mënyrë klandestine janë pranuar pesë aktorë në teatrin e qytetit ‘Dodona’”, ka thënë ai gjersa ka treguar se të gjitha kriteret e konkursit i kishte plotësuar, mirëpo “konkursi është bërë në mënyrë manipuluese e që të gjithë atyre të përfshirëve në këtë rast duhet që t’u vijë turp”.

“Fillimisht duhet të jenë njëzet aktorë, zgjedhja duhet të jetë transparente, pastaj anëtarët e jurisë janë nën kualifikimet e mia dhe asnjëri nga ta nuk është nga Prishtina”, ka thënë Raça (54) gjersa ka shtuar se ai vetë është një nga kontribuuesit që tradita e “Dodonës” të vazhdojë. Ka thënë se do të ketë takim edhe me avokatin e tij pasi që për herë të parë ballafaqohet me një situatë të tillë.

“Kjo lëndë do të shkojë në gjyq. Kjo lënde korruptuese fillimisht është shkelje pasi që është bërë kontrata me pesë aktorë të rinj pa u shpallur vendimi zyrtarisht, pa na u dërguar vendimi të gjithë neve që kemi aplikuar e pa u vendosur i njëjti në faqe zyrtare. E dyta është se gjysma prej tyre nuk kanë kualifikime, nuk është e verifikuar asgjë, as përvoja e punës, as kualifikimet universitare, as CV-ja, as njohja e gjuhëve të huaja, biografia nuk merret parasysh, interpretimi jo se jo”, ka thënë Raça.

Ka treguar se ai vetë ka punuar me kukulla që prej viteve ’90. Sipas tij, për këtë proces të manipuluar përgjegjësi duhet të mbajë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

Vetë Berisha ka thënë për KOHËN se përzgjedhja e aktorëve për teatrin “Dodona” ka kaluar nëpërmjet konkursit të hapur nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Kulturës, më 22 prill 2021.

“Konkursi në fjalë, i publikuar edhe në faqen zyrtare të Komunës, ka paraparë edhe kriteret ligjore për kandidatë. Përveç përgatitjes ligjore dhe administrative, Komuna e Prishtinës nuk ka pasur rol vendimmarrës në përzgjedhjen e kandidatëve. Për këtë qëllim është krijuar Komisioni vlerësues i kandidatëve. Sa i përket aspektit teknik të vlerësimit nga ana e Komisionit, mund të referoheni tek ai”, ka thënë ai. Ka shtuar se përzgjedhja e aktorëve ka qenë kompetencë ekskluzive e anëtarëve të komisionit.

Regjisorja Zana Hoxha, anëtare e Komisionit vlerësues, ka thënë se janë respektuar të gjitha procedurat e procesit.

“Personat të cilët janë ndarë të pakënaqur nga konkursi unë i kuptoj pasi që shpesh nga konkurset edhe vetë ndoshta nuk kam kaluar më së miri. Mirëpo në këtë rast e kam bërë vlerësimin personal mbi integritetin profesional që e kam mbi të gjitha njohuritë e mia të cilat i kam, pa pasur asnjë trysni a presion nga askush”, ka thënë Hoxha në përgjigjet me shkrim. Ka shtuar se ajo mendon se është një listë që tregon personat të cilët kanë qenë më të mirë në komision dhe me aktorë të rinj që janë përgatitur shumë mirë kur kanë ardhur në komision “me gjithë respektin për të gjithë aktorët e tjerë që po ashtu janë përgatitur mirë”.

“Këtu është bërë një mbledhje e pikëve prej pesë anëtarëve të jurisë dhe këto pikë kanë ardhur si rezultat i vlerësimit individual të secilit. Për secilin aktor, aktore e kemi pasur nga një fletë të veçantë dhe aty kemi dhënë pikët sipas asaj që kemi vlerësuar që është e drejtë”, ka thënë ajo. Sipas saj, ka pasur kandidatë të mirë për së paku tetë aktorë, mirëpo fatkeqësisht kanë qenë vetëm pesë vende. Sipas saj, Komuna duhet të shohë mundësi të hapë thirrje edhe për numër me të madh të aktorëve.

“Më vjen keq në përgjithësi që aktorët si Sunaj Raça e Avni Dalipi, që kanë qenë aktorë më me përvojë e që kanë qenë pjesë edhe e zhvillimit të ‘Dodonës’, nuk janë pjesë e kësaj pesësheje, mirëpo në të njëjtën kohë unë mendoj se këta dy aktorë duhet të merren parasysh më shumë për Teatrin Kombëtar kur të shpallë konkurs për plotësimin e vendeve për pjesën e mbetur të trupës pasi që janë aktorë që duhet të jenë pjesë e ansamblit të Teatrit Kombëtar”, ka thënë ajo, duke shtuar se qëndron prapa vlerësimeve që i ka bërë.

Në lidhje me mospërzgjedhjen e Sunaj Raçës ka reaguar edhe e bija e tij, regjisorja More Raça. Ajo ka dhënë një arsye tjetër përse ai nuk ka marrë pikët maksimale.

“Sot babi im, aktori Sunaj Raça, një nder themeluesit e teatrit ‘Dodona’, është përjashtuar nga konkursi për punësim. Kjo për arsye se unë jam duke e luftuar krimin në Qendrën Kinematografike të Kosovës, kam gjetur shkelje të rënda dhe vjedhje të rënda, të cilat janë vepra të rënda penale që peshojnë me miliona euro, ku janë të përfshirë edhe ata që e persekutuan aktorin Sunaj Raça për shkak të parimeve të mia dhe luftës për drejtësi. Por lufta ime kundër krimit dhe hajnave veç sa ka filluar. Suksese Shpend Ahmeti, të njohim të gjithë kush je, je turpi më i madh i Prishtinës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook. Raça për KOHËN nuk ka dhënë më shumë detaje për ato që pretendon se ka gjetur në QKK, ku prej fillimit të këtij muaji është kryetare e Këshillit Drejtues.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se nuk e ka të qartë se për çka është fjala.

“Sido që të jetë, kushdo që ka çfarëdo dëshmie le t’u drejtohet institucioneve përkatëse”, ka thënë shkurt Zharku në një prononcim për KOHËN.

Konkursi për aktorë të ansamblit rezident të “Dodonës” ishte hapur më 22 prill të këtij muaji pas protestave që ishin mbajtur vitin e kaluar para Komunës dhe pasi teatrot e qyteteve të tjera i kanë përfunduar proceset e angazhimit të rregullt të aktorëve rezidentë më 2020.

Sipas konkursit, aktorët e angazhuar do të luajnë në të gjitha shfaqjet në të cilat i angazhon regjisori, po ashtu do të luajnë në studio apo lokacion tjetër varësisht nga nevojat që paraqet produksioni. Të punësuarit në pozitën e aktorit do të kujdesen për kukullat, kostumet dhe rekuizitat me të cilat luajnë në shfaqje dhe në rast dëmtimi janë të obliguar ta paraqesin dëmtimin me qëllim dhe të bëjnë riparimin. Sipas konkursit që ishte i hapur për dy javë, ata që ia mësyjnë pozitës së aktorit ose aktores duhet të kenë njohuri profesionale specifike në fushën përkatëse të punës, të fituar përmes arsimimit universitar. Mirëpo kriteret e fakti se kërkoheshin vetëm pesë aktorë ishin kritikuar që në fillim.

Në maj, një grup prej 21 aktorësh nënshkruan ankesë ku kërkohej anulimi i konkursit për pesë aktorë rezidentë të teatrit të qytetit “Dodona” dhe rishpallja e tij me të tjera kritere. U paralajmërua edhe bojkotimi i konkursit. Në mesin e të nënshkruarve ishin edhe Molikë Maxhuni e Arta Lahu, që tash janë në pesëshen e aktorëve të ansamblit rezident. Për konkursin, në prill disa aktorë protestuan para objektit të Komunës së Prishtinës tek kërkonin që “Dodona” të ketë së paku 20 aktorë të punësuar, konkurs me të tjera kritere.