Kulturë

Koncerti i Robert Bishës në Prizren

50 veta që zunë vend në kino “Bahçe”, perëndimin e diellit të së shtunës mbrëma e pritën në mënyrë të pazakontë.

Një prej qendrave më të njohura kulturore në Prizren u bë vendtakim i tyre me lojën pianistike të Robert Bishës.

Për ata që s’patën mundësi të jenë në “Lumbardh”, pamje të qytetit historik dhe të koncertit u transmetuan drejtpërdrejt në ekranin e Kohavisionit.

Mbrëmja koncertale erdhi si një rrugëtim tingujsh nëpër vepra të kompozuara nga vetë Bisha. Koncerti i tij pianistik u përmblodh nën titullin “Home Neverland”.

Për Bishën, atdheu i secilit njeri është fryma dhe këngët që ai sjell më vete.

Multi-instrumentisti nga Shkodra, i cili jeton në Itali, koncertin e së shtunës e nisi me kompozimin “Prayer” (Lutje). Kompozimi përveç si lutje, përshkruhet edhe si një lloj meditimi e lidhje me paraardhësit.

Shumica e veprave, të cilat Bisha i interpretoi për një orë, ishin kompozime të dy vjetëve të fundit.

Solo koncertin në Prizren e përmbylli me kompozimin “Garden of Meja”, që u interpretua si një homazh për viktimat e masakrës në të cilën u vranë 372 civilë shqiptarë.

“Tingulli është, jeton mes dy heshtjeve”, është fraza që e përcjell Bishën në çdo rrugëtim muzikor. Ai kishte insistuar që koncerti para publikut kosovar të mos anulohej.

Bisha, i cili ka migruar në Itali kur ishte 14 vjeç, ka koncertuar në skena dhe me emra të njohur të pianos.

Kërkimet e tija muzikore gjejnë interes në shumë dimensione; duke u nisur nga mekanizmat bazikë të folklorit deri te linguazhet e muzikës bashkëkohore evropiane.

Nga kritika, Robert Bisha ka marrë vlerësimin si improvizues i veçantë e virtuoz i pianos.