Që nga marsi nuk janë mbajtur koncerte. Të shtunën, “Lumbardhi” e theu qetësinë që e solli koronavirusi. Kur ora shënoi 19:30, në Prizren nisi solo-koncerti pianistik “Home Neverland” i muzikantit shqiptar Robert Bisha. Mirëpo, atmosfera përreth ishte dëshmi që koncerti po realizohej në kushte jo të zakonshme. 50 veta - sa ishte e lejuar që të ndiqnin koncertin për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit - dezinfektuan duart në hyrje, aty ku treguan biletat.
Gjithçka kishte aureole. Të pranishmit llogarisnin distancën e sigurt dhe afërsinë e rrezikshme gjersa gjenin karriget e shënjuara me ngjitës, ku mund të uleshin. Edhe artisti krahas koncentrimit në muzikë, është siguruar që nuk e ka harruar edhe maskën.
Bisha ishte i lirë në lojën e tij në piano, improvizues i aftë dhe mjeshtër në piano. Këtë epitet e dëshmoi me lojën e tij në taste, kur ngrihej në këmbë dhe i interpretonte kompozimet e tij përmes lojës me tela, kur godiste me shkopinj apo krijonte tinguj me rrahje këmbe. Interpretimi i tij ishte dëshmi që muzika mund të të shkëpusë nga realiteti dhe të të ofrojë një strehë edhe në kohë të pazakonta. Përgjatë kohës që dielli perëndonte në Prizren, muzikanti shqiptar që njihet për muzikën e tij eksperimentuese, solli një koncert që do të mbahet mend gjatë nga 50 personat që ishin të pranishëm në “Kino Bahçe”. Pjesa tjetër patën mundësinë që ta ndiqnin koncertin pianistik drejtpërdrejt në Kohavision.
Në mesin e atyre që ndoqën koncertin në “Kino Bahçe”, ishte edhe muzikantja Agona Shporta. Vokalistja nga Prizreni ka thënë se solo performanca e pianistit Robert Bisha solli një valë të fuqishme frymëzimi.
“Edhe pse ishte solo në skenë, ai vazhdimisht ishte i shoqëruar nga tingujt e zogjve, frymës së lehtë, ritmeve që dajret përçonin nga sheshi i Shatërvanit, si dhe nga komunikimi i tingujve të namazit që vinin në formë polifonie nga xhamitë e shumta të Prizrenit. E gjithë kjo së bashku me virtuozitetin, melankolinë e spontanitetin e Bishës ua dha një freski të gjithë dashamirësve të muzikës së tij”, ka thënë ajo.