Kulturë

Koncerti humanitar e kthen orkestrën simfonike “Ibrahim Madhi” në Prizren

Në kuadër të mbrëmjes koncertale ka interpretuar orkestra simfonike “Ibrahim Madhi” me tenorët Josif Gjipali, Kastriot Tusha, sopranoja Ardita Meni, në piano Genita Hoxha, nën udhëheqjen artistike dhe dirigjimin e Isak Shehut. Programi mbi njëorësh me melodi të njohura botërore e shqiptare ka ofruar një mbrëmje artistike të veçantë për publikun, i cili në fund me duartrokitje në këmbë ka shpërblyer artistët për performancën e tyre

Prizren, 7 nëntor – Disa muaj pas njoftimit me publikun prizrenas, orkestra simfonike “Ibrahim Madhi” është kthyer për të dhuruar performancën e radhës në qytetin e vjetër. Këtë herë, muzika është luajtur për motive humanitare, me qëllim që të grumbullohen mjete financiare për shërimin e një vogëlusheje që vuan nga një sëmundje e rrallë.

Për dallim prej paraqitjes së kaluar në skenën e improvizuar të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, këtë herë kjo orkestër programin e vet muzikor e ka shpalosur në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se është organizatore e koncertin humanitar për vogëlushen 10 muajshe, Stina Laçi, “e cila vuan nga një sëmundje e rrallë gjenetike, Atrofi Muskulare Kurrizore”. Në kuadër të mbrëmjes ka interpretuar orkestra simfonike “Ibrahim Madhi”, me tenorët Josif Gjipali, Kastriot Tusha, sopranoja Ardita Meni, në piano Genita Hoxha, nën udhëheqjen artistike dhe dirigjimin e Isak Shehut. Aty bëhej e ditur se mjetet e grumbulluara nga biletat e shitura i dedikoheshin shërimit të vogëlushes Stina Laçi, dhe se të gjithë ata që dëshironin të kontribuonin me një shumë më të madhe për shërimin e vogëlushes këtë mund ta bënin te kutia e vendosur në hyrje.

Udhëheqësi artistik dhe dirigjenti Isak Shehu në hapje të koncertit humanitar ka shprehur mirënjohjen ndaj autoriteteve të Prizrenit për krijimin e kësaj mundësie, dhe ka bërë thirrje që të gjithë të ofrojnë kontributin financiar për shërimin e vogëlushes.

“Ftoj të gjithë që të ndihmojmë vajzën për problemin që ka. Të tregojmë tamam ato vlera tona humanitare dhe njerëzore. Dëgjim të këndshëm!”, ka thënë Shehu.

Pas kësaj tenorët Josif Gjipali e Kastriot Tusha dhe sopranoja Ardita Meni janë paraqitur në skenë për të hapur koncertin me këngën “Dua më shumë Shqipërinë”.

Programi ka vazhduar me këngën “O Prizren, Prizreni jonë”.

“Kjo është një përshëndetje nga orkestra për Prizrenin”, ka theksuar Shehu, duke ftuar në skenë tenorin Kastriot Tusha. Pastaj sopranoja Ardita Meni ka kënduar variantin arbëresh të titulluar “Moj vajzë e vogël”. Ndërsa tema e këngëve melankolike që shprehin mallin e dashurinë për atdheun është ndërruar me paraqitjen e tenorit Gjipali.

“Tani do të ndërrojmë temë. Kemi një arie nga ‘Verteri’, opera e famshme e Jules Massenet... 'Përse më zgjon o fllad i pranverës', kështu është titulli i këngës . Do ta dëgjojmë nga mjeshtri i madh, Josif Gjipali, i cili është fat që e kemi sonte këtu, sepse është i kudogjindshëm në të gjithë skenat më të mëdha të botës”, ka thënë dirigjenti Shehu.

Programi mbi njëorësh me melodi të njohura botërore e shqiptare ka ofruar një mbrëmje artistike të veçantë për publikun, i cili në fund me duartrokitje në këmbë ka shpërblyer artistët për performancën e tyre.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në rrjetet sociale ka vlerësuar se koncerti i orkestrës simfonike “Ibrahim Madhi” ka mundësuar përjetimin e një nate të mrekullueshme artistike.

“Jam shumë i lumtur që me këtë natë sadopak kontribuuam për një gjë shumë të rëndësishme e humane, shërimin e vogëlushes Stina Laçi. Falënderoj gjithë qytetarët që u bënë pjesë e kësaj iniciative të Komunës së Prizrenit”, ka shkruar ai.

Familja Laçi nga Prizreni ka bërë thirrje për ndihmë për shërimin e vajzës së tyre që është diagnostikuar me sëmundjen e rrallë Atrofi Muskulare Kurizore SMN1. “Trajtimi i kësaj sëmundjeje bëhet jashtë vendit dhe është i papërballueshëm për familjen e Stinës”, thuhet në njoftimin e fushatës për sigurimin e mbështetjes financiare për trajtimin e vogëlushes.