Komunikimi është një nga dimensionet themelore të ekzistencës njerëzore.
Në rrafshin konceptual të diskutimit, koncepti i komunikimit është bërë objekt trajtimi në fusha të ndryshme të dijes, si: në fushën e teorisë së informacionit, të semiotikës, të antropologjisë së komunikimit, të filozofisë së mediave, të sociologjisë së komunikimit masiv etj.
Për dallim nga fushat e tjera të dijes, në filozofinë ekzistencialiste koncepti i komunikimit trajtohet në rrafshin konceptual dhe normativ të tij.
Në rrafshin konceptual, Karl Jaspersi dhe Martin Buberi, si dy nga inauguruesit e teorisë së komunikimit ekzistencial brenda filozofisë ekzistencialiste, konsiderojnë se mënyra e vetme përmes së cilës vetëdija jonë mund të ngrihet përtej antinomive të saj dhe t’i shohë realisht mundësitë e realizimit të vetes sonë në botë është komunikimi ynë i angazhuar intensivisht me persona të tjerë.
Përmes komunikimit vetëdija i braktis strukturat e veta monologjike dhe bëhet e aftë t’i vlerësojë mundësitë e veta ekzistenciale në botë. Jo në egon e izoluar, të shkëputur nga bota, por në dhe përmes komunikimit janë të mundshme shfaqja e vetes sonë dhe e vërteta e synimit të saj përballë tjetrit. Tjetri është kusht i shfaqjes së të vërtetës së vetes sonë. Në komunikim dhe përmes komunikimit me tjetrin, individi e bën të njohur veten e vet në botë dhe botën e përkthen në një mundësi për ekzistencën e vet.
Edhe
Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit?
Për të kuptuar se a kemi të bëjmë me karakterin prodhues apo rrënues të veprimtarisë komunikuese, përpos në rrafshin konceptual, është e nevojshme që komunikimi të trajtohet edhe në rrafshin normativ të përdorimit të tij: në cilat kushte morale ndërtohet komunikimi dhe cilat janë efektet e atyre kushteve për ekzistencën njerëzore?
(Artikullin e plotë nga Arben Hoxha mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)