Qysh në shkurt të vitit 2018, kur ishte festuar 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, qe paralajmëruar bazamenti për monumentin NEWBORN. Një tentim i Komunës së Prishtinës për ta bërë këtë gjatë verës së sivjetshme ka dështuar. E tashmë autoritetet e kryeqytetit pas një tenderimi kanë nënshkruar kontratë për realizimin e këtij projekti në vlerë prej 22 mijë e 245 eurosh.
Sipas të dhënave të publikuara pas nënshkrimit të kontratës më 20 dhjetor, bazamentin do ta punojë Halit Rama, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas dosjes së tenderit, lokacioni i paraparë për bazament është ai ekzistues pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në rrugën “Luan Haradinaj”.
“Platoja ekzistuese është e shtruar dhe posedon qasje në infrastrukturë, pra në sistemet elektrike të qytetit dhe sistemin e drenazhit të platosë. Objekti ndodhet në një terren i cili ka pjerrtësi relativisht të vogël, prandaj edhe objekti si i tillë është dashur t’i përshtatet situatës ekzistuese në terren. Pra, objekti është projektuar varësisht prej kuotave gjeodezike”, shkruhet në dosje. Aty sqarohet se baza e monumentit është paraparë si një pllakë masive nga betoni i armuar me trashësi 20 centimetra. “Themelet në akordim me elaboratin e statikës janë paraparë si themele shiritore me dimensione 40 me 60 centimetra”, shkruhet në dosjen e tenderit. Aty sqarohet se si mbrojtje nga lagështia është paraparë që pllaka të lyhet me ngjyrë mbrojtëse me tri shtresa.
Autori i obeliskut, Fisnik Ismaili, ka thënë se monumenti do të zhvendoset dy metra para dhe dy djathtas.
“Do të shkëputet pak prej nivelit të tokës, duke ia dhënë hapësirën e vet të dedikuar. Do t’i instalohet ndriçimi nga toka. Shkëputja do të jetë sa një shkallë”, ka thënë ai.
I inauguruar më 17 shkurt 2008, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë, obelisku menjëherë ishte shndërruar në brend të shtetit të ri.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)