Krijimtaria e tij numëron mbi 180 kompozime veprash pianistike, korale, solistike-instrumentale, kamertale, vokalo-instrumentale e simfonike. Por dhjetë nga ato janë përzgjedhur të vijnë si dëshmi e një kompozitori me opus bashkëkohor.
Dramaciteti, tingujt romantikë e finesat e veçanta e bëjnë unik jo vetëm tek krijuesit vendorë, por edhe më tej.
E koncerti i 12-të me radhë i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale, “KamerFest” është përzgjedhur të jetë autorial, duke shënuar 75-vjetorin e lindjes së akademikut Zeqirja Ballata. Pos shëtitjes nëpër krijimtarinë e tij, veprat janë një dëshmi e kohës në të cilën ai krijoi. Nëpërmjet tingujve muzikorë, ai sjell historinë e Kosovës në versionin e vet prej krijuesi.
Atyre që e dinë atë nga vitet ‘60 e më tej, tingujt e Ballatës veç ua shtojnë emocionet dhe i bëjnë të futën edhe më thellë në ngjarjet e kohës, nëpërmjet perspektivës së një kompozitori të dëshmuar në shumë vende të Evropës.
Koncerti që ka bashkuar disa instrumentistë, të enjten, ka nisur me “Sonatën me dy kohë për piano”, të kompozuar në vitet 1965-1966. Pianisti Klevis Gjergji e ka filluar rrugëtimin nëpër veprat e Ballatës. Sonata me kërkesa goxha të mëdha interpretuese është dëshmi e krijimtarisë së hershme të Ballatës. Tingujt e fortë e dramatikë, që shpesh “thyhen” nga ata lirikë, dominojnë tek të gjitha kompozimet e tij, si dëshmi që Ballata qysh në fillim kishte nisur të sillte një frymë më bashkëkohore në kompozim. “Multiphonia” për klarinetë solo e kompozuar më 1974, nën interpretimin e Astrit Mustafës, ka bërë që instrumentisti të ketë një tjetër paraqitje. Tingujve të klarinetës u shtohet edhe shkelmimi i dyshemesë. Kjo pos që e nxjerr veprën jashtë konturave të kompozimeve tradicionale, përçon edhe një mesazh dramatik për publikun, që të enjten kishte mbushur sallën./ Shaban Maxharraj
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)