Jeton i rrethuar me sytë e viktimave të tij, të mbledhur gjatë luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë. Nëpërmjet tyre koleksionisti ka mbledhur dhimbjen e gjithë njerëzve. Duke u bërë vend syve në dhomën e tij, i ka shpëtuar viktimat nga tragjeditë që kanë parë, pasi që palumturia vjen nga ajo se çfarë njerëzit shohin. Historinë e tij e shpalos vetë ai, nëpërmjet shfaqjes së cilës ia ka determinuar edhe titullin, “Koleksionisti i syve”, me tekst të Ag Apollonit, nën regji të Ben Apollonit
Dritat krijojnë efektin e një rrufeje. Zhurmat nga jashtë trazojnë edhe më rrjedhën e rrëfimit që vjen në veten e parë duke u përplasur me fatet e mijëra njerëzve. Bëhet fjalë për një triumf personal mbi tragjeditë e të tjerëve. Mes britmave të vetes, Stefani zgjohet nga shtrati i hekurt. Ka veç një ngushëllim për ta mposhtur vetminë – kafkën. Ajo personifikon të dashurën e tij – Mirën, së cilës i është tretur bukuria. E mbërthen nostalgjia për nurin e së dashurës së tij sa ishte student e banonin në të njëjtën lagje.
Në të tashmen e end pa gjymtyrë duke i rrokullisur me të përjetimet e ndryshme personale gjersa e nxjerr në pah tradhtinë e bërë. Stefani (Agron Shala) flet për një dashuri kockore si më të vlefshmen, ku është më i lidhur me kockat sesa me shpirtin. Ai qëndron në skenë për të shtjelluar historinë e një koleksionisti të syve, i cili jeton i rrethuar me sytë e viktimave të tij, të mbledhur gjatë luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë. Nëpërmjet tyre ai ka mbledhur dhimbjen e gjithë njerëzve. Thotë se duke u bërë vend syve në dhomën e tij, i ka shpëtuar viktimat nga tragjeditë që kanë parë, pasi që palumturia vjen nga ajo se çfarë njerëzit shohin.
“Sa mirë që nuk mblodha gojët e hallkut që së paku kështu po shpëtoj veshët e mi”, thotë Stefani. Shfaqja “Koleksionisti i syve”, nën regji të Ben Apollonit, është dhënë premierë të premten mbrëma në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja është e bazuar në tekstin e veprës “Koleksionisti i syve”, shkruar në vitin 2003 nga shkrimtari Ag Apolloni. E shkroi kur ishte 21-vjeç gjatë kohës sa ishte student. Vepra me të cilën autori ia kishte mësyrë letërsisë është botuar dy herë në revista kosovare, dy herë në gjuhën gjermane dhe tri herë si libër në gjuhën shqipe. “Këtë dramë, që flet për krimet në Kosovë dhe Bosnjë, disa e kanë lidhur edhe me mesjetën, saktësisht me figurën e mizorit Stefan Nemanja. Siç do të thoshte Noli, ‘kjo është tragjedia më e tmerruar që ka dalë nga pena demoniake’ e një studenti. Ju mund ta shihni të llahtarisur, unë do ta shoh me nostalgji”, kishte shkruar autori Ag Apolloni gjatë kohës kur kanë nisur provat e shfaqjes.
Regjisori Ben Apolloni, i cili është vëllai i autorit Ag Apolloni, kishte qenë ndër të parët që e kishte lexuar këtë monodramë derisa ishin cimerë gjatë studimeve.
“Agu e ka menduar gjatë, por e ka shkruar brenda një nate. E di që një natë ka qëndruar tërë natën pa gjumë dhe kur e ka mbaruar unë e kam lexuar menjëherë atë ditë që është shkruar. Ka bërë pak ndryshime dhe që nga viti 2003 kam menduar që duhet të realizohet kjo shfaqje, patjetër”, ka treguar Ben Apolloni për KOHËN, të enjten mbrëma pas provës së përgjithshme.
Regjisori Apolloni ka thënë se shfaqja përmban më vete shumë shtresa dhe shtjellon raporte të ndryshme, dhe se e tillë është shumëdimensionale. Qysh në leximin e parë, edhe pse disa detaje kanë ndërruar, Apolloni thotë se i ka qëndruar besnik misionit të tij që ta vendosë një përballje mes një krimineli dhe viktimave. Për ta përcjellë këtë komunikim sa më direkt në rolin e viktimave ka vendosur publikun në sallë.
“Që në leximin e parë, kur ia kam bërë kësaj monodrame, ideja është që të rrëfehet nga perspektiva e këtij personazhi që është një kriminel – koleksionues sysh, kurse shikohet nga viktima që, në këtë rast publiku në sallë, janë sytë e koleksionuar të tij. Është një lloj komunikimi direkt”, ka thënë Apolloni.
Aktori Agron Shala, përmes komunikimit dhe lojës së tij në skenë, për më shumë se një orë përcjell mesazhe të fateve të njerëzve që e rrethojnë. Stefani shpesh e zhvillon lojën e tij duke iu kthyer kujtimeve, duke prekur kështu edhe ndjeshmërinë fëmijërore të tij. Nga kujtimet e fëmijërisë e deri te dashuria e tij që fanitet pa gjurmë. Është i pamëshirshëm në çdo gjë, por jo edhe kur bëhet fjalë për sytë e nënës së tij, që thotë se veç ata shohin me dhembshuri. Agron Shalën, i cili thotë se nuk ka pasur ndonjë përvojë me monodrama, e ka tërhequr qasja e autorit dhe e regjisorit.

“E kam lexuar tekstin në vitin 2004 dhe më pati bërë shumë përshtypje. Atëherë e lexova si një lexues i rëndomtë. Meqë oferta erdhi gjatë pandemisë, me gjeti në një kohë zymtësie dhe mendova që teksti korrespondonte me këtë gjendje dhe më gjeti në një periudhë – që edhe si moshë dhe gjendje – mendova se mund t’i jap shpirt këtij teksti, që mendoj së është shumë i mirë”, është shprehur Shala.
Këtë shfaqje e ka vlerësuar si një eksperiencë mjaft sfiduese, ndërsa ka theksuar se gjatë procesit të provave i ka munguar jashtëzakonisht shumë energjia e aktorëve me të cilët e ndan zakonisht skenën.
“Unë i dua shumë kolegët, sidomos aktorët i dua më shumë se regjisorët dhe do t’i dua akoma më shumë, sepse më kanë munguar”, ka thënë aktori.
Teksa i numëron sytë që ka koleksionuar i dalin 4498. I mungojnë edhe dy sy të tjerë për të arritur rekordin “Guiness”. Pa sy botën e përshkruan si gravurë që bëhet pikturë veç me ta. Shfaqja u vlerësua për dimensionin e saj artistik dhe botëkuptimin filozofik.
Dramaturgu Naser Shatrolli, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se drama ka shumë dinamikë në një version estetik dhe psikologjik.
“Drama prek në damarët e kujtesës kosovare dhe përtej asaj plagës së madhe që kullon akoma gjak, përmes këtyre syve dhe asaj filozofie që bartin ata sy, përmes asaj që kanë parë dhe si janë shndërruar sot në një galeri artistike duke i dhënë një dimension muzeor. Konteksti i rrëfimit, sidomos regjisura dhe aktrimi, janë dy komponentë që kombinohen shumë mirë dhe nxjerrin diçka shumë serioze”, ka thënë Shatrolli.
Kjo është shfaqja e dytë që jepet premierë në skenën e vogël të Tetarit Kombëtar të Kosovës gjatë muajit janar. Më 16 janar janë dhënë premierë shfaqja “Emigrantët” me regji të Arianit Gecit, kurse të hënën (25 janar) në skenën e madhe është dhënë premierë shfaqja “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” nën regji të Erson Zymberit. Repriza e parë e shfaqjes “Koleksionisti i syve” do të jepet sot, duke filluar nga ora 19:00, në skenën e vogël të TKK-së.