Policia e Kosovës ka njoftuar se pas pranimit të një informate ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në K.K. Mitrovicë jugu.
"Gjatë procedurave hetimore janë siguruar prova që lidhen me një kontratë të subvencionimit, ku dyshohet se është ndërhyrë në vlerën e saj në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit publik", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Arrestohet në Mitrovicë drejtori i Kulturës, shkak keqpërdorimi i detyrës
Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Jashari, për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Lajmin e kanë konfirmuar burime të KOHËS.
Gjithashtu u bë e ditur se tri ditë më parë, më datën 05.09.2025, Jashari u shkarkua prej pozitës së drejtorit nga kryetari i Komunës, Bedri Hamza.
KOHA.net është duke bërë përpjekje që të kontaktojë me përfaqësuesit e të arrestuarit. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.