Në kuadër të aktiviteteve për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, institucioni më i lartë muzeor në vend ka hapur ekspozitën ”Bashkëbisedim me Bacën Shaqë”, me instrumente e gjësende origjinale të Shaqir Hotit. Ky është hapi i parë për inventarizimin e më pas shndërrimin e tyre në artefakte të mbrojtura të trashëgimisë kulturore e shpirtërore
Një muze unik brenda muzeut, mund të përshkruhet hapësira ekspozuese në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ku është ekspozuar koleksioni i veçantë i instrumentistit e muzikantit të ndjerë Shaqir Hoti. Prej së mërkurës, dhjetëra instrumente të gdhendura nga maestroja e muzikës e gjëra personale të tij janë vënë në dispozicion të publikut.
Ekspozita vë në pah inovacionin e tij në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore. Instrumente nga arra, lajthia e degët e pemëve janë disa prej gjetjeve të tij. Për këdo që viziton këtë hapësirë, vend të veçantë zë riprodhimi i okarinës, instrumenti neolitik i gjetur në Runik, që bashkë me 1.243 artefakte vazhdon të mbahet në Serbi. Pikërisht nëpërmjet këtij instrumenti Hoti u dallua.
Hapja e ekspozitës “Bashkëbisedim me Bacën Shaqë”, ku paraqitet një koleksion i papërsëritshëm veprash të cilat do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata artistësh e aktivistësh kulturorë, është bërë në kuadër të aktiviteteve për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.
Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ka thënë se eksponatet e reja ia kanë shtuar vlerën institucionit që ai drejton.
“Baca Shaqë, edhe pse nuk është fizikisht me ne, krijimtaria e tij do të jetojë me ne dhe shumë breza që do të vijnë. Veprat e tij artistike që po ekspozohen në këtë ekspozitë flasin më shumë sesa ne mund të flasim me orë të tëra”, ka thënë ai.
Partitura, sint, fletore shënimesh, syze, gramofonë, mjete të punës, libra e vlerësime të kritikëve, deri tek instrumente që nuk arriti t’i finalizojë, janë po ashtu pjesë e ekspozitës. Muzikanti inovativ në krijimtarinë tij vdiq më 10 prill të këtij viti, në moshën 85-vjeçare.
Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës, e ka cilësuar Hotin si një prej personaliteteve kryesore të zhvillimit të folklorit dhe shpirtit të traditës dhe muzikës kulturore në Kosovë.
Ekspozita vë në pah inovacionin e mjeshtërinë e Shaqir Hotit në prodhimin e instrumenteve kryesisht frymore
“Baca Shaqë ishte një figurë mjaft komplekse me një krijimtari që përfshinte disa fusha: interpretimin muzikor, multi-instrumentizmin e posaçërisht instrumentet frymore, kompozimin, tekstshkrimin dhe në mënyrë qendrore ndërtimin e skenës muzikore në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Çekut, Hoti nuk ishte vetëm një ndërtues i thjeshtë i instrumenteve, pasi çdo punë që e bënte, e bënte me një kujdes të veçantë.
“Jemi kujdesur që ta sjellim një koleksion të instrumenteve, të veprave të tij të jashtëzakonshme, disa prej tyre dhe unike, shumë të veçanta, madje edhe shpikje të ndërtuara nga dora e tij”, ka thënë ai.
Deri tani janë evidentuar deri në 1.500 eksponate të këtij koleksioni, që në koordinim me familjarët, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur jo vetëm ekspozimin, por synon edhe arkivimin dhe mbrojtjen e tyre, pasi këtë fond e sheh si pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore e muzikore të Kosovës.
Çeku ka treguar se tashmë ka filluar një proces tejet i rëndësishëm i inventarizimit të trashëgimisë shpirtërore të veprimtarisë së Shaqir Hotit, që do të sigurojë katalogimin, regjistrimin, mbrojtjen dhe arkivimin e krijimtarisë së tij.
Kompozitori Liburn Jupolli, njëherësh edhe këshilltar i ministrit Çeku, ka thënë se Hoti ishte një ekzemplar i rrallë i komunikimit.
“Ndoshta kjo është vetia e tij kryesore. Shikojeni gjithë këtë ekspozitë. Çdo artefakt këtu është mjet komunikimi. Me instrumente ku takonte frymën me ajrin e dheun, për të komunikuar me gjuhën e muzikës me gdhendjet gjithandej në rrethojën e tij si punëtori, si në orenditë e shtëpisë me pajisjet radiofonike e të natyrës tingëllore, Baca Shaqë ishte kampion i komunikimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, pikërisht kjo aftësi e Hotit për të komunikuar me të gjithë e solli folklorin si të gjallë.
“Na tregoi që folklori ynë ka vend gjithkund dhe është pjesë e pandashme e trashëgimisë sonë të gjithmbarshme muzikore. Ishte nder i rrallë ta takoja dhe ta kisha rastin të punoja me të, me modelin eklatant të personalitetit muzikor-njerëzor që përfaqësonte ai denjësisht me instrumentet dhe punën e tij. Ashtu i urtë, me humor e butësi, i lehtë si fryma e instrumenteve që ndërtonte”, ka thënë Jupolli.
Si maestro të muzikës e njohën të gjithë Bacën Shaqë. Ka pak muzikantë vendorë zhanresh të ndryshme që s’kanë bashkëpunuar me të. Mes tyre edhe muzikanti Ilir Shaqiri, i cili ka thënë se hapësira e hapur në katin e dytë të muzeut është një vendtakim me krijimtarinë shpirtërore të Hotit.
Partitura, sint, fletore shënimesh, syze, gramofonë, mjete të punës, libra e vlerësime të kritikëve, deri tek instrumente që nuk arriti t’i finalizojë, janë po ashtu pjesë e ekspozitës
“Ju i shihni të gjitha këto instrumente që janë pak nga ato që do të ekspozohen më vonë, e që Ministria e Kulturës i ka mbledhur të gjitha dhe nuk janë pak, mbi dy mijë duhet të jenë. E në të gjitha ato – jo vetëm nga pamja e tingulli muzikor, por edhe nga gjërat që janë të gdhendura në to – ju gjeni një njohës të mitologjisë sonë, të historisë sonë, e të gjitha këto kanë vlera të mëdha jo vetëm për muzeun, por edhe për Prishtinën, për Kosovën, për kombin në përgjithësi”, ka thënë Shaqiri.
Shaqir Hoti ishte i lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone, si: fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen e muzikës në Prizren, në flaut. Një kohë punoi në fshatin e lindjes, duke kontribuuar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në Orkestrën Popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë. Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar, me instrumente frymore. Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar, ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan bashkë çmimin e parë.