Kulturë

Kineastët në kërkim të riformësimit të eksperiencës së kinemasë

Në vitin 2002 një grup miqsh nisën festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Ia vunë themelet Festivalit që sot është më i madhi sa i përket filmit dokumentar dhe të shkurtër në juglindje të Evropës.

Në qytetin e Prizrenit nuk kishte asnjë kinema funksionale në atë kohë. Që në fillim u vërejt se ekipi prapa Festivalit ishte i aftë për t’u përballuar me sfidat. Në edicionin e 19të Festivali u përball përsëri me një sfidë goxha të madhe shkaku i pandemisë. Po mbahet online. Eksperiencat e të gjithëve ishin sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Kjo doli në pah përmes diskutimit “Festivalet e filmit në sferën virtuale”.

Diskutimi u mbajt online të martën në kuadër të “DokuTalks”. Moderatore e këtij diskutimi online ishte Pamela Cohn, kuratore e programeve filmike, shkrimtare, konsulente dhe dramaturge, autore e “Lucid Dreaming: Conversations with 29 Filmmakers”.

Në lidhje virtuale me të ishin drejtues të festivaleve të njohura: Cíntia Gil, drejtoreshë e festivalit “Sheffield Doc/Fest” në Sheffield të Anglisë, Shane Smith, drejtor i programit të “Hot Docs”, festivalit më të madh në Amerikën Veriore, Emilie Bujès, drejtoreshë artistike e festivalit ndërkombëtar të filmit “Visions du Reel” në Nyon të Zvicrës, Orwa Nyrabia, drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Amsterdam, dhe Veton Nurkollari, drejtori artistik i “DokuFestit”. Emilie Bujès, drejtoreshë artistike e “Visions du Réel” që prej vitit 2017, ka thënë se kishin pasur vetëm pesë javë për të vendosur se çfarë do të bënin për edicionin e sivjetmë.

Edicioni i 51-të u mbajt online nga 17 prill deri më 2 maj. Ka treguar se kishin filluar që të thirrin njerëzit dhe të kuptonin se cili do të ishte opsioni më i mirë. Sfidë e kishin pasur të gjenin një platformë të sigurt dhe të besueshme. Gjatë edicionit bashkëpunuan me “Festival Scope” dhe “Shift72”, me të cilat bashkëpunoi edhe “DokuFesti”.

“Për vete kisha shqetësim sesi njerëzit do të reagonin, pasi që nuk dëshiroj që gjithë ata filma të kishin premierat e tyre botërore online dhe në fund t’u themi se 15 njerëz e kanë shikuar filmin. Prandaj menduam se do të ishte një strategji interesante të kemi disa platforma e që të gjitha disi do të sillnin shikues, e në këtë mënyrë do të kishim më shumë njerëz duke parë filma. Dhe pastaj e kuptuam qe kjo do të ishte e komplikuar dhe pastaj bashkëpunuam me ‘Festival Scope’ dhe ‘Shift72’”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Shane Smith, drejtor i programimit në “Hot Docs”, ka thënë se ata fillimisht kishin vendosur që ta shtynin mbajtjen e edicionit të sivjetmë. Festivali që mbahet në Toronto të Kanadasë u mbajt online nga 28 maj deri më 24 qershor. Smith ka thënë se më vonë kanë marrë vendime fazë pas faze, duke parë dhe duke mësuar.