Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kësulëkuqja...” e Apollonit si mjeshtri rrëfimi drejt prezantimit në Universitetin e Harvardit

“Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur”

“Pa dyshim, ky është një nder që i bëhet letërsisë shqipe dhe për këtë u jam mirënjohës. Harvardi udhëheq diskutimin e sotëm mbi letërsinë botërore dhe fatin e letërsive të gjuhëve të vogla, kështu që promovimi aty është një formë e integrimit në hartën e letërsisë botërore”, ka thënë shkrimtari Ag Apolloni

Në shënim të festës së Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit më 23 prill, prezantimi i romanit “Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur” i shkrimtarit e profesorit të letërsisë, Ag Apolloni, është një nga ngjarjet në agjendën e Universitetit të Harvardit. Institucioni arsimor që listohet në top-pesëshen e universiteteve më të mira në botë, duke i dhënë hapësirë letërsisë nga Kosova, dëshmon depërtimin e saj në qendrat më të mëdha akademike të botës.

Historitë reale janë kryesisht bazë për veprat e shkrimtarit Ag Apolloni. Te romani “Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur” që për bosht tematik ka dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Vepra që në dorën e lexuesit shqiptar ka qenë prej nëntorit të vitit 2022, tash i prezantohet edhe atij amerikan. 

Në shënim të festës së Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit më 23 prill, prezantimi i romanit të shkrimtarit e profesorit të letërsisë është një nga ngjarjet në agjendën e Universitetit të Harvardit. Institucioni arsimor që listohet në top-pesëshen e universiteteve më të mira në botë, duke i dhënë hapësirë letërsisë nga Kosova, dëshmon depërtimin e saj në qendrat më të mëdha akademike të botës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë kontekst, vetë autori e sheh këtë ngjarje si vlerësim të gjerë për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Duke e theksuar rëndësinë e këtij momenti, ai është shprehur se ky promovim nuk është vetëm personal, por përfaqësues për gjithë skenën kulturore të vendit.  

“Pa dyshim, ky është një nder që i bëhet letërsisë shqipe dhe për këtë u jam mirënjohës. Harvardi udhëheq diskutimin e sotëm mbi letërsinë botërore dhe fatin e letërsive të gjuhëve të vogla, kështu që promovimi aty është një formë e integrimit në hartën e letërsisë botërore”, ka thënë shkrimtari Apolloni për KOHËN. 

Në një prej klasave të universitetit, në kursin me titull “Përrallat e Grimm-it: Jehonat e së kaluarës, pasqyrime të së tashmes” të cilin e mban profesoresha ruse Ekaterina Pirozhenko, ngrihen pyetje të qëndrueshme, ose trajtohet një problem urgjent. Pirozhenko ka thënë se kursi i saj ngre këtë pyetje: se çfarë zbulojnë përrallat për përvojat universale njerëzore, si lindja, dashuria, xhelozia, diskriminimi, ëndrrat, rritja, qëndrueshmëria dhe fuqizimi?

“Studentët e mi merren me një gamë të gjerë përrallash të Grimm-it, por edhe me pararendësit e tyre dhe me literaturën shkollore të shkruar për këto përralla. Ata gjithashtu njihen me rrëfime të rishkruara, versione dhe adaptime të ndryshme”, ka thënë Ekaterina Pirozhenko, ligjëruese në Departamentin e gjuhëve dhe letërsinë e popujve gjermanofolës. 

Profesor Apolloni ka qenë i ftuar të ligjërojë për një semestër në Universitetin e Harvardit në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pirozhenko është takuar me të në festën e përmbylljes së semestrit dimëror, në fund të vitit të kaluar, të organizuar nga departamenti ku ajo është i angazhuar si dhe nga Departamenti i Letërsisë Krahasuese në kuadër të të cilit Apolloni ishte angazhuar. Kështu aty i kishte rënë në dorë asaj libri i shkrimtarit nga Kosova, duke e ditur se ajo do të ligjëronte një kurs për përralla. 

“E lexova librin, më pëlqeu dhe mendova se përshtatej shumë mirë me programin dhe objektivat e kursit tim. Pastaj, kur e takova Agun në atë festë, i thashë se, nëse do të ishte në rregull për të, do t’u jepja studentëve të mi disa kapituj nga libri i tij për t’i lexuar, dhe ndoshta ai mund të vizitonte klasën tonë për të diskutuar për librin dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, ka thënë Pirozhenko në një bisedë për KOHËN. 

Sipas saj, romani ka një natyrë ciklike. “Kësulëkuqja...” e Apollonit është vepra e parë shqiptare të cilën e ka lexuar Pirozhenko. 

“Ky është teksti i parë i një autori shqiptar që kam lexuar në jetën time. E di që është e përkthyer, por për mua ishte shumë interesante të vëreja mjeshtërinë e Agut, sepse jam shumë e njohur me studimet të cilave ai u referohet. Ishte interesante të shihja se si ai e ndërton versionin e tij të ‘Kësulëkuqes’ dhe si e lidh atë jo vetëm me kontekstin historik, por edhe, sipas meje, me elemente autobiografike”, është shprehur ajo duke thënë se shkrimtari u referohet studiuesve që studentët e saj i kanë lexuar gjatë semestrit. 

“Siç shkruan edhe vetë ai, besoj në kapitullin e dytë ose të tretë, kur aktorja e re shkon në të ashtuquajturën ‘Shpella e Ujkut të Vetmuar’, ai i referohet antologjisë së përrallave klasike të botuar nga Maria Tatar. Maria Tatar është profesoreshë emerita, e cila gjithashtu ka ligjëruar përralla në Harvard”, është shprehur ajo. 

Në institucionin që për dekada të tëra ka qenë epiqendër e mendimit kritik, studimeve letrare dhe debatit mbi opusin botëror, prania e një vepre nga Kosova shihet si një lloj akti simbolik i njohjes kulturore. I themeluar në vitin 1636, Harvardi konsiderohet universiteti më i vjetër në Shtetet e Bashkuara dhe një nga më prestigjiozët në botë, me një traditë të fuqishme në studimet e letërsisë krahasuese dhe të kulturave të ashtuquajtura “të vogla”.

Ky integrim merr një dimension edhe më domethënës kur merret parasysh përmbajtja e romanit. “Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur” nuk është thjesht riinterpretim i një përralle të njohur, por një ndërthurje e fuqishme midis fiksionit dhe dokumentarit, ku në qendër vendoset tema e përdhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përmes një strukture binare, romani ndërton dy linja paralele – atë të dashurisë dhe atë të dhunës – duke krijuar një tension të fortë emocional dhe etik.

Vetë zgjedhja e kësaj vepre për t’u diskutuar në Harvardin që horizont e ka gjithë botën,  lidhet edhe me interesat akademike të organizatorëve të ngjarjes. Duke sqaruar këtë, Apolloni ka theksuar se përzgjedhja nuk është rastësore, por lidhet me një qasje studimore ndaj folklorit. 

“Mendoj se arsyeja e zgjedhjes së këtij romani lidhet me fushën e specializimit të organizatores - profesoreshës Pirozhenko - e cila në këtë universitet mban një kurs mbi folklorin, përfshirë edhe përrallat. Romani im është parë si një riaktualizim i përrallës më të njohur nëpërmjet shartimit narrativ fiksionalo-dokumentar mbi origjinën, format dhe pasojat e përdhunimit”, ka bërë me dije Apolloni. 

Siç shkruan Universiteti i Harvardit për rusen Ekaterina Pirozhenko, hulumtimet e saj përfshijnë përrallat dhe shkrimtarët bashkëkohorë të gjuhës gjermane me sfond ndërkombëtar, midis tjerash. Në institucionin prestigjioz ajo është e angazhuar në Departamentin e Gjuhës Gjermane. 

Sipas saj, libri i Apollonit ilustron një nga idetë kryesore të kursit të saj: fuqinë e rrëfimit. E ky rrëfim, për të është një formë për t’u njohur me historinë e vendit. 

“Nuk kam qenë në kontakt me mënyrën se si publiku shqiptar e ka pritur këtë roman, sepse nuk flas shqip. Megjithatë, do të supozoja se ai është shumë i rëndësishëm për lexuesin shqiptar, por edhe për një audiencë globale, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë çfarë u ka ndodhur shqiptarëve. Një nga temat e romanit janë krimet e kryera ndaj popullit shqiptar, veçanërisht ndaj grave: dhuna trupore, gjymtimet dhe përdhunimi”, është shprehur ajo. 

Ka bërë me dije se një nga studentët e saj është shqiptar i cili, siç ka treguar ajo, qe emocionuar fort kur kishte marrë vesh se vepra e një shkrimtari shqiptar do të ishte në qendër të diskutimit në klasë. 
Sipas profesoreshës Pirozhvenko, “ideja për të ruajtur një fund të lumtur, edhe përballë një realiteti bashkëkohor shumë sfidues. Agu e ndërthur këtë në mënyrë të fuqishme në tekstin e tij. Është një vepër shumë e pasur”. 

E Ag Apolloni mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të kohës së tij – një autor që nuk u shmanget temave të vështira dhe që kërkon vazhdimisht forma të reja për të shprehur kompleksitetin e përvojës njerëzore. Vepra e tij shpesh bëhet thirrje për reflektim e guxim estetik.

Kështu edhe romani “Kësulëkuqja...” që vendoset në dialog të drejtpërdrejtë me traditën evropiane të përrallës, duke e nisur rrëfimin me formulën klasike “Na ishte njëherë...” dhe duke rikthyer versionin e Charles Perrault, për ta zhvendosur më pas lexuesin drejt një realiteti brutal dhe të dokumentuar historikisht. 

E tërë historia kishte zënë fill në vitin 2021, atëherë kur Apolloni kishte nisur të kërkonte materiale rreth historisë së një gruaje viktimë të dhunës seksuale. Duke qenë se materialet ishin të pakta dhe se personi për të cilin flitej tashmë kishte vdekur, Apolloni kishte marrë mundin të shkruante vetë një histori përdhunimi, por gjithmonë duke pasur për bazë historitë reale të përdhunimit që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.

Pesha e kësaj vepre qëndron pikërisht në trajtimin e një teme të heshtur për një kohë të gjatë. Duke u mbështetur në histori reale të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, romani shndërrohet në një formë dëshmie artistike, ku letërsia bëhet arkiv emocional e moral.  

Apolloni e sheh ngjarjen e 23 prillit – kur romani zë vend në Harvard me një ngjarje simbolike, por të rëndësishme për skenën e letërsisë së Kosovës – edhe si komunikim me lexuesin ndërkombëtar. 
“Sigurisht që do të flitet për historinë e përrallës dhe historitë reale të viktimave të përdhunimit në Kosovë. Mendoj se është një roman që flet për shqiptarët dhe njëkohësisht u flet edhe lexuesve të kombësive të tjera”, është shprehur ai më tej. 

Dita Botërore e Librit festohet çdo vit më 23 prill nga UNESCO për të  promovuar leximin, botimin dhe ndërgjegjësimin për të drejtat e autorit në nivel global. Kjo datë shënon një moment simbolik për letërsinë, duke nderuar vdekjen e autorëve të njohur në vitin 1616 si William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes. Zyrtarisht shënohet që nga viti 1995 si dëshmi e fuqisë së librit. 

E romani i Apollonit në dhjetor të vitit 2023 mori çmimin “Special Mention” në kuadër të Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë. Midis veprave të autorit të përkthyera në shumë gjuhë, edhe “Kësulëkuqja” flet në anglisht duke u afruar edhe më shumë me lexuesin ndërkombëtar. 

Promovimi i romanit “Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur” në Harvard e bën Kosovën pjesë të dialogut mbi pozitën e artit letrar në shpalosjen e dokumentimin e historisë së vendit.