Ndryshe prej viteve paraprake, kur kandidatët për drejtor të përgjithshëm të Teatrit i vlerësonte sapo intervistoheshin, kësaj radhe Këshilli Drejtues ka vendosur ta bëjë këtë me një ditë vonesë. Shtyrjen e ka arsyetuar se duhet kohë të analizojë platformat e secilit kandidat. Në garë janë Kushtrim Sheremeti, Blerim Krasniqi dhe Naser Shatrolli, e procesi po vazhdon me gjithë disa vërejtje për politizim
Të paktën në dy proceset paraprake – atë të prillit të vitit 2014 dhe të dhjetorit të vitit 2015 – drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës është bërë i ditur menjëherë pas intervistimit të kandidatëve. Janë numëruar poenët që i kanë dhënë secili anëtar i Këshillit Drejtues për kandidatët dhe është prezantuar rezultati. Por të mërkurën është vepruar ndryshe. Këshilli Drejtues ka vendosur që poenët të numërohen 24 orë pas intervistimit. Këtë e kanë bërë me arsyetimin se kanë pasur një ditë të gjatë dhe se duan t’i shikojnë platformat e kandidatëve edhe një herë.
Secili prej kandidatëve që synon pozitën e drejtorit të përgjithshëm – Kushtrim Sheremeti, Blerim Krasniqi dhe Naser Shatrolli – kanë qëndruar përballë shtatë anëtarëve të Këshillit për afro një orë. Dy të parët kanë pritur në bufenë e Teatrit. E Naser Shatrollit, ushtrues detyre i drejtorit, i ka rënë që të presë në karrigen të cilën e synon. Mbetet favorit sipas testit me shkrim pasi prin me pikë. I tillë shihet edhe nga një pjesë e komunitetit artistik pasi Shatrolli është punonjës i Ministrisë së Kulturës si zyrtar për biblioteka.
Aktori Kushtrim Sheremeti ka hyrë i pari në intervistë. Ka qëndruar brenda fiks 54 minuta. Pasi ka dalë nga përballja me Këshillin Drejtues, ka thënë se ka shpalosur platformën e tij, të cilën e kishte të shtypur në një format libri.
“Objektivat janë të ndryshme dhe i paraqita një nga një. Është një platformë shumëdimensionale. Nuk është e njëtrajtshme. Është mënyrë bashkëkohore e menaxhimit të institucioneve”, ka thënë ai. Sipas Sheremetit, gjithë eksperiencën që ka në udhëheqjen e menaxhimit të projekteve dhe institucioneve kulturore e ka paraqitur para intervistuesve.
“Ndihem shumë mirë për atë që e kam prezantuar. Por ta shohim a mjafton vetëm kjo”, ka thënë ai.
Blerim Krasniqi ka qëndruar në sallën “A” për një orë e 8 minuta. Ka thënë se anëtarët e Këshillit Drejtues ishin shumë konkretë në interesimin e tyre dhe kërkuan platformë për katër vjetët e ardhshëm.
“Kisha kohën e nevojshme ta paraqisja platformën në detaje. Duhet patjetër një menaxhim i mirë, një kontroll i brendshëm. I përmbahesh legjislacionit dhe u kry. Fokusin e kam t’i përmbahem ligjit”, ka thënë ai.
E Naser Shatrolli, i cili ka pesë muaj si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, ka thënë se intervista ishte goxha e ngjeshur. Ka thënë se i falënderon anëtarët e Këshillit pasi interesimi ishte shumë i madh sa i përket planit katërvjeçar.
“Prezantova një platformë se si planifikoj të punoj në katër vjet. Viti i parë do të jetë pandemik dhe është i vështirë. Në aspektin e kalendarit kulturor kam një ide që do të ishte me interes për TKK-në dhe institucionet e tjera publike. E kam të planifikuar se si do të ishin institucionet kulturore me një kalendar të përbashkët të premierave për Baletin, Filharmoninë, ‘Shotën’ e të tjerët”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse zgjidhet drejtor do të rezervojë regjisorë të huaj për tre vjetët e ardhshëm pasi teatri duhet të dalë përtej hapësirave shqiptare.
“Duhet të investohet në teknologji dhe në infrastrukturë”, ka thënë ai.
Shatrolli vend të rregullt pune në Ministrinë e Kulturës kishte siguruar në maj të vitit 2016, kur ky institucion udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala, nga LDK-ja. U bë zyrtar për biblioteka. Është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të TKK-së në gusht të vitit të kaluar, derisa ministre ishte ministrja aktuale në detyrë, Vlora Dumoshi, po ashtu nga LDK-ja. Në komunitetin artistik ka pasur aludime se të qenit punonjës i MKRS-së mund të ndikojë në zgjedhjen e tij drejtor pasi edhe anëtarët e Këshillit Drejtues janë të emëruar nga ministrja aktuale në detyrë, Vlora Dumoshi. Por Shatrolli nuk ka dashur të japë komente.
“Nuk kam koment, sepse ligjërisht qëndroj mirë karshi këtij konkursi dhe pozicionit ku kam konkurruar”, ka thënë ai.
Këshilli Drejtues i TKK-së është kompletuar këtë javë. Në fund të muajit të kaluar kostumografja Samka Ferri kishte dhënë dorëheqjen. Ajo është zëvendësuar me Agron Gërgurin, i cili është drejtor i Teatrit të Podujevës, “Avdush Hasani”. Anëtarë të tjerë të Këshillit janë: Munish Hyseni, Ismet Azemi, Mustafë Halili, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj dhe kryetar i këtij organi është Agron Shala.
“Pas intervistave ne kemi marrë platformat dhe të enjten do të mblidhemi për të shikuar vlerësimet dhe për t’i diskutuar ato”, ka thënë Shala.
Javën e kaluar kandidatët i ishin nënshtruar testit me shkrim. Naser Shatrolli ka marrë 75,81 poenë, Kushtrim Sheremeti 67,77 dhe Blerim Krasniqi 55,96 poenë. Teatri kombëtar i Kosovës është pa drejtor të përgjithshëm qysh prej janarit të vitit të kaluar, kur i kishte përfunduar mandati Agim Sopit.
Javën e kaluar zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së si proces ishte kundërshtuar nga Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës.
Regjisori Kushtrim Koliqi, njëherësh anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës, kishte thënë se ky proces nuk është dashur të vazhdonte.
“Fatkeqësisht është bërë praktikë që qeveritë në ikje mundohen të rehatojnë militantë të vet. Kjo bëhet më e dhimbshme kur militantët nuk janë as kompetentë për ato pozita”, kishte thënë ai. Sipas Koliqit, si praktikë ishte dashur të ndalohej, në mënyrë që të mos lejoheshin gjëra të tilla.
“Sikur ta lëmë në ndërgjegje të politikanëve po shihet se si po shkon. Këto praktika të kryerjes së proceseve në formë thuajse klandestine më së shumi do t’iu bëjnë dëm institucioneve”, kishte thënë ai.
Në fund të janarit ishte pezulluar konkursi për këtë pozitë dhe atë për udhëheqës artistik. MKRS-ja kishte dalë me një njoftim konfuz sa u përket konkurseve për pozitat në Teatrit Kombëtar të Kosovës. Titullohej “Njoftim për anulimin e procedurave të rekrutimit”, kurse në përmbajtje kishte pezullimin.
Aty shkruhet se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në pajtim të plotë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, njofton opinionin publik se ka vendosur pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat drejtor i përgjithshëm i TKK-së dhe udhëheqës artistik i TKK-së. E javën e kaluar ishte anuluar konkursi për udhëheqës artistik shkaku i një gabimi të MKRS-së, e cila në vend të udhëheqësit artistik kërkonte “drejtor artistik”.