Një film i ardhshëm në serinë e projekteve “Star Wars”, padyshim se do ta ketë një regjisore grua, kështu ka bërë të ditur përgjegjësja e kompanisë “Lucasfilm”, Kathleen Kennedy.
E intervistuar së fundmi nga BBC, Kennedy diskutoi për të ardhmen e filmave “Star Wars”, dhe e pyetur nëse do të mund të realizohej një film i tillë me regjisore grua, ajo tha: “Oh natyrisht, kjo gjë as që diskutohet. Ne tashmë kemi angazhuar regjisore gra në projektet tona. Po ashtu i kemi dy apo tri gra fantastike që po punojnë me projektet “Star Wars”, dhe sapo e kemi angazhuar Deborah Chowin për t’i realizuar filmat e bazuar në personazhin Obi-Wan Kenobi. Kështu që jemi duke kultivuar talente të shumta”.
Edhe në të kaluarën, Kennedy ka diskutuar rreth idesë së përfshirjes së regjisoreve gra në realizimin e filmave “Star Wars”. Në vitin 2016, për revistën “Variety” ajo tha se dëshiron të sigurohet që kur ta angazhojnë një regjisore për ta drejtuar një projekt kaq të madh, ajo të jetë e gatshme për të korrur suksese, transmeton Koha.net.
“Meqenëse filmat “Star Wars” janë projekte kinematografike gjigante, kompania “Lucasfilm” nuk ka mundësi ta angazhojë ndonjë regjisore që nuk ka eksperiencë në realizimin e filmave të këtillë,” kishte deklaruar Kennedy.
Megjithatë, angazhimi konkret i ndonjë regjisoreje në këtë detyrë, duhet të pres edhe ca kohë. Kjo pasi së fundmi u bë i ditur lajmi se regjisori i filmave “Jojo Rabit” dhe “Thor”, Taika Waititi, është në bisedime e sipër për t’u punësuar si regjisor i filmit të ardhshëm “Star Wars”.