Dikur personazhi i fiksionalizuar i Karl Mayit, Kara Ben Nemsi, do të kuturiste në një udhëtim mes për mes Orientit. Si alter-ego e shkrimtarit të njohur gjerman, ky personazh do të shplekste të panjohurat e botës lindore që zgjonte aq shumë interesim në Perëndimin e shekullit të 19-të.
Por i “njëjti” personazh, veçse tani me një grup aktorësh nga Kosova, arratiset nga Lindja për të shkuar drejt tokave gjermane. Në rrugëtim e sipër, ata takojnë Zhizhekun, Handken, si dhe një pjesëtar të “Nationalsozialistischer Untergrund”. “Kthimi i Karl Majit”, tekst dramaturgjik i Jeton Nezirajt, e ballafaqon publikun me qasjen e Evropës Perëndimore kundrejt Lindjes me superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual.
Për këtë shfaqje janë bërë bashkë teatri i famshëm gjerman “Volksbühne” në Berlin, qendra “Multimedia”, si dhe Teatri Kombëtar i Kosovës për ta shpalosur atë si ekstrakt teatror online gjatë festivalit “POSTWEST”.
Sipas një njoftimi të “Multimedias”, shfaqja e plotë, si realizim skenik, do të jepet në shtator në TKK e më pas do të nisë edhe turneun ndërkombëtar.
Regjinë e shfaqjes ‘Kthimi i Karl Majit’ është duke e bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Shpetim Selmani. Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj, videon është duke e realizuar Ilir Gjocaj, kurse bashkëpunëtor artistik është Alban Beqiraj“, thuhet në njoftim.
Festivali transkulturor i teatrove “POSTWEST” i kishte vënë vetes synim që në edicionin e sivjetmë të mblidhte artistë nga 10 shtete, të cilët do të zhvillonin dymbëdhjetë shfaqje të reja.