Shfaqja kosovare që sodit paradokset evropiane do të kthehet në Gjermani. Atje do të jetë në një festival në Hamburg e po ashtu do të jepet edhe në Dortmund. Komedia me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, që parodizon me qasjen evropiane, sidomos me atë të gjermanofolësve ndaj shqiptarëve, më 8 maj, nga ora 20:00, do të jepet në teatrin “Kampnagel” në Hamburg, si pjesë e festivalit “KRASS Kultur CRASH” në edicionin e 11-të të Festivalit. Shfaqja që është prodhim i qendrës “Multimedia”, i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe i teatrit “Volksbuhne” të Berlinit, drejt Hamburgut udhëton edhe në saje të bashkëpunimit me asociacionin “Oda” në Hamburg.
Shfaqja, po ashtu, në datat 9 dhe 10 maj nga ora 19:30 do të jepet edhe në Teatrin e Dortmundit.
“Këto dy shfaqje në Dortmund janë mundësuar dhe bashkorganizohen nga shoqata kulturore ‘URACult’ nga Kölni, nën kurimin artistik të Ali Salihut”, shkruhet në njoftimin e qendrës “Multimedia”.
Dramaturgu e udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka thënë se dy vjet më parë kjo shfaqje është dashur të luhej premierë në teatrin e famshëm “Volksbühne” në Berlin, megjithatë, kjo nuk ishte e mundur për shkak të pandemisë.
“Megjithatë, ajo po kthehet në Gjermani - vjet ishte në Ludëigshafen – ndërsa tani do të shfaqet tri herë radhazi, në Hamburg dhe Dortmund. Në Hamburg merr pjesë në festivalin e njohur ‘KRASS Kultur Crash Festival’”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, shfaqja e komedisë në Gjermani është gëzim për ekipin pasi përpos publikut gjerman, shfaqjen do ta shohë edhe publiku shqiptar.
“Dhe kjo është duke u mundësuar përmes shoqatës kulturore shqiptare ‘URACult’ nga Kölni dhe shoqatës ‘Oda’ nga Hamburgu. Pra, është një bashkëpunim i shkëlqyer me shoqatat e diasporës shqiptare, çka nuk ka qenë rasti më përpara”, ka thënë ai.
Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë në tetor të vitit 2020 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Shfaqja përmbys “orientalizmin” duke e kahezuar në drejtim tjetër. Personazhi i Majit tok me një grup aktorësh nga Kosova i hyn një udhëtimi drejt Perëndimit për të vënë në pah qasjen e Evropës kundrejt Kosovës me superioritetin e vet të supozuar kulturor, politik e intelektual. Kjo është saga e komedisë “Kthimi i Karl Majit”. Shfaqja, që është si një përpjekje për t’i ekzaminuar paradokset e një qytetërimi që akoma s’ka arritur të çlirohet nga stereotipat e racizmit ndaj Lindjes, është dhënë në shtator të vitit të kaluar edhe në teatrin “Pfalzbau” në Ludëigshafen të Gjermanisë.
E frymëzuar përhumbshëm në librin e vitit 1892 të quajtur “Durch das Land der Skipetaren” (Mes tokave të shqiptarëve), pjesë e serisë gjashtëpjesëshe të Karl Mayit, shfaqja kthehet në një ballafaqim fytafyt me perceptimet raciste ndaj shqiptarëve. E gjithë shfaqja “Kthimi i Karl Majit” udhëtimin e vet e ndërton mes ironive, kontrasteve e habive qëllimisht naive të karaktereve.
“Në shfaqje Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova ua mësyjnë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik ai takon Slavoj Zhizhekun, Peter Handken, një pjesëtar të nëntokës nacional-socialiste...” ishte përshkruar shfaqja si mysafire në gjermani. Janë pesë aktorë shqiptarë (Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi dhe Shpëtim Selmani) që ndërmarrin udhëtimin së prapthi, drejt “tokave gjermane”. Pas Ludëigshafenit shfaqja në nëntor qe dhënë në Vjenë