Prishtinë, 4 korrik – Një ditë pasi ka paralajmëruar se do të refuzojë zgjedhjen në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi është tërhequr nga ky vendim. Bazuar në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit, nëpërmjet të cilit qëndrimi i Kajtazit si ushtrues detyre i drejtorit ishte “konflikt interesi”, ai kishte deklaruar se në bazë të këtij interpretimi nuk mund ta merrte as pozitën e drejtorit, në të cilën është zgjedhur më 20 qershor.
Kajtazi paraprakisht deri në janar të këtij viti ishte kryesues i Këshillit Drejtues të BKK-së. Kjo pozitë është bërë edhe sebep që AKK-ja të thotë se ushtrimi i detyrës së drejtori nga Kajtazi është konflikt interesi. Por Kajtazi të mërkurën ka thënë se bazuar në një opinion tjetër të AKK-së, në konsultim me Këshillin Drejtues të BKK-së dhe Ministrinë e Kulturës, do të pranojë pozitën e drejtorit. Kajtazi ka përmendur opinionin e AKK-së për zgjedhjen e Arben Zharkut drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës më 2014.
Asokohe Agjencia Kundër Korrupsionit kishte përgatitur një opinion ligjor, nëpërmjet të cilit bënte të ditur se edhe pse Zharku paraprakisht ishte kryesues i Këshillit Drejtues të QKK-së, zgjedhja e tij në pozitën e drejtorit të këtij institucioni nuk përbënte konflikt interesi.
I vlerësuar me 90 pikë nga Këshilli Drejtues i BKK-së, Sinan Kajtazi ishte zgjedhur drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës në konkursin e brendshëm për këtë pozitë. Ai ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së qysh nga muaji shkurt i këtij viti.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")