Romancierja britanike, Joanna Trollope, përshkrimet e së cilës të jetës familjare britanike e bënë një nga autorët më të lexuar të vendit, vdiq në moshën 82-vjeçare.
Trollope botoi më shumë se 30 romane gjatë një karriere letrare që nisi në vitin 1980. Veprat e saj të hershme, të shkruara nën pseudonimin Caroline Harvey, ishin romanca historike, por nga mesi i viteve ‘80 ajo iu kthye letërsisë bashkëkohore, një ndryshim që do të përcaktonte reputacionin e saj.
Në një deklaratë, vajzat e saj thanë se ajo vdiq qetësisht në shtëpi.
“Me trishtim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Joanna Trollope, një prej romanciereve tona më të dashura, më të vlerësuara dhe më gjerësisht të lexuara”, tregoi agjenti letrar i autores, James Gill. “Joanna la të pikëlluar fëmijët e saj, nipërit e mbesat, familjen, miqtë e panumërt dhe — sigurisht —lexuesit e saj”.
Suksesi i madh i Trollope erdhi me romane si “The Rector’s Wife”, i cili në vitin 1991 rrëzoi autorë të njohur nga kryesimi i listave të shitjeve, si dhe me vepra të mëvonshme si “A Village Affair” dhe “Mum & Dad”, që trajtonin tema që varionin nga tradhtia bashkëshortore, rimartesa, prindërimi dhe birësimi, deri te presionet mbi të ashtuquajturin “brez sandwich”, i cili kujdeset njëkohësisht për fëmijët dhe prindërit e moshuar.
Edhe pse ndonjëherë u shpërfill nga kritikët si “letërsi e mesme” ose “e ngrohtë dhe komode” — Terence Blacker i quajti famshme romanet e saj “sagë të Agas” – Trollope i hodhi poshtë prej kohësh këto kategorizime. Në një intervistë për “Guardian” në vitin 2006, ajo tha: “Në fakt, romanet janë mjaft subversive, mjaft të errëta. E gjitha kjo është disi përçmuese, apo jo?” Në vend të versioneve përrallore të jetës familjare, librat e saj u vlerësuan nga kritika për pasqyrimin e ndershëm të dilemave të njerëzve të zakonshëm, duke trajtuar tema si familjet e shkatërruara, marrëdhëniet e vështira, dashuria dhe tradhtia.
E lindur në vitin 1943 në Gloucestershire, Trollope ishte një pasardhëse e largët e Anthony Trollope, romancierit të shquar të shekullit XIX, i njohur për “The Chronicles of Barsetshire” dhe romanet “The Palliser”. Ajo studioi letërsi angleze në St. Hugh’s College, Oxford, përpara se t’i bashkohej Ministrisë së Jashtme britanike. Më pas iu përkushtua mësimdhënies. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, duke balancuar punën me rritjen e dy vajzave, ajo nisi të shkruante seriozisht.
Gjatë viteve 1990 dhe 2000, ajo botoi një varg bestsellerësh, përfshirë “A Village Affair”, “Next of Kin”, “Other People’s Children” dhe “Marrying the Mistress”. Shumë prej tyre u përshtatën për televizion, duke ia zgjeruar edhe më tej audiencën. Duke shpjeguar suksesin e saj, ajo tha në një intervistë të vitit 1993: “Mendoj se librat e mi janë thjesht romani i vjetër tradicional që po bën një rikthim të qetë”.
Romanet e saj të mëvonshme treguan ndjeshmërinë e saj ndaj ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike. Në “City of Friends” ajo u përqendrua te presionet me të cilat përballen gratë në jetën korporative; në “Mum & Dad”, botuar kur ajo ishte në vitet ‘70, ajo trajtoi vështirësitë e kujdesit për të moshuarit.
Ndryshimi i pritshmërive ndaj grave ishte një temë qendrore në veprën e Trollope.
“Kam lindur në fund të vitit 1943 dhe për brezin tim pothuajse nuk kishte gra që punonin”, tha ajo në një intervistë për “Radio Times” në vitin 2017.
“E dija që doja të punoja, dhe punova. Pastaj vjen brezi i vajzave të mia — kam një 48-vjeçare dhe një 45-vjeçare, afërsisht në moshën e personazheve në “City of Friends” — dhe të dyja punojnë. Dhe deri sa të arrish te brezi i mbesës sime 18-vjeçare, ato as që do ta mendonin të mos punoni”. Në një episod të vitit 1994 të “Desert Island Discs”, ajo iu përgjigj sërish kritikave nga burra që sugjeronin se librat e saj ishin trivialë, duke thënë: “Është një gabim i rëndë të mendosh se gjërat e mëdha kanë më shumë rëndësi sesa gjërat e vogla”.
Ajo u vlerësua për aftësinë për t’u dhënë zë anktheve të fshehta të jetës së përditshme në veprën e saj, romancierja Fay Weldon kishte thënë dikur se Trollope kishte “dhuntinë për të vënë gishtin mbi problemin e kohës”. Në një intervistë për “Guardian” në vitin 2020, Trollope e përsëriti këtë ndjesi duke folur për motivimin e saj si shkrimtare: “Ajo që përpiqem të bëj në të gjithë këta romane është të pasqyroj një shqetësim bashkëkohor. Nuk ofroj zgjidhje. Thjesht po them: ‘A mund ta fillojmë, ju lutem, bisedën?’”. Ajo argumentonte se letërsia ka vlerë pikërisht sepse u lejon lexuesve të “pranojnë lloj-lloj gjërash që ndryshe nuk do të mundnin”.
Përtej shkrimit, Trollope shërbeu si pjesë e jurisë për disa çmime të mëdha letrare dhe ishte një mbështetëse e fortë e shkrim-leximit dhe bibliotekave publike. Ajo u nderua me titullin OBE në vitin 1996 dhe më vonë u gradua në CBE për shërbime ndaj letërsisë. Në vitet e mëvonshme, ajo qe vullnetare edhe në burgje dhe institucione për të rinj shkelës të ligjit dhe ishte patrone e shumë organizatave bamirëse.
Trollope u martua me bankierin e Cityt, David Roger William Potter, në vitin 1966. Çifti pati dy vajza, Louise dhe Antonia, dhe u divorcua në vitin 1983. Dy vjet më vonë, ajo u martua me dramaturgun televiziv, Ian Curteis, dhe u bë njerkë e dy djemve të tij. Ata u divorcuan në vitin 2001.
Për trashëgiminë e saj, Trollope i tha “Guardian-“ në vitin 2015: “Do të doja të kujtohesha për diçka më të përgjithshme: që romanet e mia ishin një ngushëllim i madh për shumë njerëz që ndiheshin në dëshpërim apo xhelozi apo çfarëdo qoftë. Dua që librat e mi të thonë: ‘Është në rregull, të gjithë ndihemi kështu”.