Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Jean-Paul Belmondo, ikona e Valës së Re të kinematografisë franceze

Iku paqësisht, por e bujshme qe jeta dhe karriera e tij. Ylli francez i filmit, Jean-Paul Belmondo, që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare, shënoi historinë e Valës së Re të kinematografisë, duke u bërë figurë qendrore. “Asnjëherë s’kam menduar për të kaluarën, por kam shikuar vetëm përpara, përpara...”, do të thoshte Belmondo. Kishte vepruar kësisoj edhe kur një mësues i tij, s’do të parashikonte të ardhme të sukseshme të tij “me atë fytyrë huligani që ka”. Por, ai e dëshmoi të kundërtën me rrugëtimin e tij. Do të luante në më shumë se 80 filma, shumë prej tyre hite, që shënojnë historinë gjysmëshekullore të filmit

Jean-Paul Belmondo, aktori francez që mori famë botërisht me filmin “Breathless” të Luc Godardit, ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Ka qenë avokati i tij që e ka konfirmuar lajmin për AFP-në. “Iku paqësisht”, ka thënë ai.

Belmondo – i ashtuquajtur Bébel nga audienca franceze – u bë njëri nga yjet më të paguar të viteve ‘60 dhe ‘70. Fytyra e tij e vrarë, ishte kontrast me tiparet e gdhendura të rivalit të tij dhe më vonë bashkëpunëtorit, Alain Delon. Si Delon, edhe Belmondo ishte figurë kryesore e gjeneratës së jashtëzakonshme evropiane të prodhimit të filmit të kohës, me serinë e filmave që ai bëri me Godardin – ku përfshihen “A woman is a woman” dhe “Pierrot le Fou”. Të dy lanë gjurmë të pashlyeshme.

Siç shkruhet në biografinë e tij, aktori garoi edhe me aktorët matanë kontinentit. Ashtu si Humphrey Bogart, Marlon Brando dhe James Dean – tre aktorë amerikanë me të cilët krahasohej shpesh – Belmondo krijoi reputacionin e tij duke luajtur personazhe të ashpër, josentimentalë, madje edhe antisocialë, të cilët ishin larguar nga shoqëria borgjeze. Më vonë, si një nga yjet kryesor të Francës, ai mori role më të këndshme për masën, por pa u dorëzuar tërësisht nga guximi i tij.

I aftë për gjithçka

Në krahasim me aktorët e tjerë, Belmondo ishte i veçantë.

Edhe Vdiq ylli francez i kinematografisë, Jean-Paul Belmondo Kulturë Vdiq ylli francez i kinematografisë, Jean-Paul Belmondo

“Asnjë aktor që nga James Dean nuk ka frymëzuar një identifikim kaq intensiv. Dean evokoi nxitjen rebele të adoleshentëve, një dalje e dhunshme e frustrimeve të botës moderne. Belmondo është një manifestim i mëvonshëm i refuzimit rinor – dhe më shqetësues. Shkëputja e tij nga shoqëria e prindërve të tij është e plotë. Ai e pranon korrupsionin me një buzëqeshje cinike, madje as nuk mundohet ta luftojë atë. Ai është tërësisht për veten e tij, për të marrë gjithçka që mundet, derisa mundet. Belmondo është i aftë për gjithçka”, do të shkruante kritiku i filmit, Eugene Archer, më 1965 në “The New York Times”.

I lindur më 1933 në periferinë e pasur të Parisit, Neuilly-sur-Seine, i biri i skulptorit algjerian Paul Belmondo, Belmondo ndoqi një sërë shkollash private elitare. Ai tregoi më shumë interes për sportin dhe si adoeleshent pati një karrierë të shkurtër në boks amator. Pasi u infektua me tuberkulozë, u interesua për shfaqje teatrore dhe aplikoi në shkollë elitare, në Akademinë e Arteve Dramatike, duke fituar përfundimisht një vend më 1952.

Pas diplomimit, Belmondo filloi aktrimin në teatër, doli në shfaqjet e Anouilh, Feydeau dhe George Bernard Shaw. Ai gjithashtu siguroi një numër rolesh të vogla: në njërën prej tyre, në komedinë “Un Drôle de Dimanche” të Marc Allegret më 1958, ai u dallua nga Gotard, i cili ishte ende kritik te “Cahiers du Cinéma”. Atë vit filloi edhe bashkëpunimi i këtyre dyve, të cilët së bashku do të bëheshin ikona të kinematografisë.

Kryeroli i tij në filmin "À bout de souffle" të Godard – që u shfaq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1961 si "Breathless" – u konsiderua menjëherë trend dhe imituesit e mëvonshëm vetëm e përforcuan rëndësinë e tij. Siç kanë shkruar mediat e huaja të hënën, flokët e shpupuritur të Belmondos, mënyra se si ai shikoi botën përmes shëlluge tymi të cigareve dhe mënyra se si ai masazhonte me obsesion buzët e tij të trasha dhe femërore me gishtin e madh të dorës, ishin aq të gjalla dhe evokuese saqë shpejt u bënë shenja globale të rebelimit. Më shumë se trend, ai u bë figurë e rebelit, të cilin disa do ta ndiqnin e të tjerë do ta kundërshtonin.

Ky do të jetë vetëm fillimi i karrierës së tij. Ai kishte dhe do të merrte vazhdimisht role të reja. Belmondo luajti një hungarez, i cili u përfshi në mënyrë romantike me një familje provansale në "À double tour" të Claude Chabrol (1959), ishte një prift i ri i vendit në "Leon Morin, Priest" (1962) dhe ndihmoi Sophia Lorenin të fitonte “Oscar” për rolin në “Two Women” të Vittorio De Sicas (1961).

Nga mesi i viteve ‘60, megjithatë, Belmondo po përpiqej të luante antiheroin rinor film pas filmi. Kjo krijoi një lloj ideje te publiku se aktori nuk ka aftësi për tjetër rol.

Belmondo u specializua në rolin e gangsterëve dhe njerëzve me jetë të rëndë, megjithëse ai shënoi një goditje të madhe më 1962 me rolin në “Cartouche”, duke luajtur një shpatar të çmendur të shekullit të 18-të përballë Claudia Cardinales. Në “The Man from Rio” – si një spiun mashtrues me Françoise Dorléac – ishte një tjetër hit i madh me të njëjtin regjisor, Philippe de Broca, dhe ishte më shumë në harmoni me shijet populiste të Belmondos; duke e përshkruar “Moderato Cantabilen” nën regji të Peter Brrokut si “shumë të mërzitshëm”.

“Unë me të vërtetë më shumë preferoj të bëj filma aventureskë, si ‘Rio...’ sesa filma intelektualë të Alain Resnais ose Alain Robbe ‐ Grillet”, kishte deklaruar për “The New York Times” në vitin 1964.

Madhështori

Image

Belmondo në filmin “Breathless” të Luc Godardit


Pasi hoqi dorë nga aktrimi për një vit, prej 1967-s deri më 1968, Belmondo u kthye në punë, por me një ritëm më pak të furishëm, duke luajtur në filmat e François Truffaut (“Mermaid Mississippi”), Claude Lelouch (“Love is a funny thing”) dhe Jacques Deray (“Borsalino”). Duke ndjekur shembullin e Delonit, Belmondo u zhvendos prapa kamerës, si producent filmash, si ai i Claude Chabrolit (“Dr. Popaul”) apo i Philippe De Brocas (“The Man from Acapulco”).

Edhe Alain Delon – ylli monumental i kinematografisë Kulturë Alain Delon – ylli monumental i kinematografisë

Belmondo i mbajti në rend hitet e njohura në Francë në mesin e viteve ‘80, me komedi, filma aksion dhe drama kriminale, por prodhimi i tij filloi të ngadalësohej në fund të dekadës dhe ai iu kthye teatrit, duke interpretuar në “Cyrano de Bergerac” dhe “Kean” të Jean - Paul Sartreit. Roli i tij në film të profilit më të lartë të viteve 1990 ishte në përshtatjen e “Les Misérables” nga Lelouch, ndërsa ai u ribashkua me Delon në “Une Chance Sur Deux” në 1998, në të cilin asnjëri nuk është i sigurt se cili prej tyre është babai i Vanessa Paradis.

Tronditës ka qenë lajmi për vdekjen e Belmondos edhe për aktorin e madh, Alain Delon.

“Jam tërësisht i shkatërruar. Do të përpiqem të mbahem ashtu që të mos e bëj të njëjtën gjë edhe unë për pesë orë...nuk do të ishte keq sikur të dy të iknim bashkë. Është pjesë e jetës sime, e nisëm bashkë këtu e 60 vjet më parë...”, ka thënë Delon (85) për “CNews”.

Ka qenë presidenti francez, Emmanuel Macron, ai që u priu homazheve, fill pas lajmit për vdekjen e aktorit të madh.

“Ai përherë do të njihet si ‘Le Magnifique’ (madhështori)”, ka shkruar presidenti Macron në “Twitter” teksa ka përshkruar aktorin e madh duke postuar edhe një foto kur ai ishte në kulmin e karrierës së tij.

Belmondo ishte thesar kombëtar, plot elan e buzëqeshje, ishte hero madhështor dhe figurë familjare, guximtar i palodhshëm dhe magjistar i fjalëve. Tek ai, ne të gjithë e gjetëm vetveten”, ka shkruar Macron.

Belmondo u pensionua prej karrierës së bujshme dhe kjo erdhi si pasojë e problemeve shëndetësore. Madje, në filmin “A man and his dog” të vitit 2008 ai nuk i fshehu efektet që vinin për shkak të sëmundjes.

Por, ai mbetet aktori karizmatik që shpesh kryente marifetet e tija, si kur në vitet 1960 kaloi në filmat e zakonshëm dhe u bë një nga heronjtë kryesorë të komedisë dhe aksionit në Francë. Vendimi i tij për të vazhduar një karrierë në kinemanë komerciale dhe për t’i shmangur shtëpitë e artit çoi në kritika se ai kishte humbur talentin e tij të padiskutueshëm – diçka që ai gjithmonë e mohonte.

Por, Belmondo nuk i la pa përgjigje. “Kur një aktor është i suksesshëm, njerëzit ia kthejnë shpinën dhe thonë se ai e ka zgjedhur rrugën e lehtë, se nuk dëshiron të bëjë përpjekje apo të marrë përsipër ndonjë rrezik”, kishte thënë Belmondo dikur. “Por nëse do të ishte kaq e lehtë për të mbushur kinematë, atëherë bota e filmit do të ishte më mirë sesa që është. Unë nuk mendoj se do të kisha qëndruar në qendër të vëmendjes për kaq gjatë nëse do të bëja bërrllok. Njerëzit nuk janë aq budallenj”. Për kapërcimin e tij prej filmave artistikë tek ata më popullorë e komercialë, ai kishte edhe një tjetër përgjigje. Do të thoshte se në krejt zhanret është ndier mirë. “Është njësoj sikurse në jetë. Herë qeshim e herë qajmë”. Por, mbi të gjitha ai s’u ndal. “Asnjëherë s’kam menduar për të kaluarën, por kam shikuar vetëm përpara, përpara...”, kishte thënë ai më 2016, kur iu dha “Luani i Artë” për vepër jetësore në Festivalin e Filmit në Venecie.

Edhe Jean-Luc Godard – regjisori që revolucionarizoi kinematografinë Kulturë Jean-Luc Godard – regjisori që revolucionarizoi kinematografinë

Dhe ai kishte të drejtë. Kur qe i ri, njëri nga mësuesit e tij parashikoi në atë kohë: “Belmondo nuk do të ketë sukses kurrë me atë çehre huligani që ka”. Belmondo u përgjigj me një gjest. E dëshmoi të kundërtën me rrugëtimin e tij. Do të luante në më shumë se 80 filma, shumë prej tyre hite, që shënojnë historinë gjysmëshekullore të filmit.

Marrë nga “The Guardian”, “The New York Times”, “CNews”. Përgatiti: Eronita Kqiku

Image

Jean-Paul Belmondo më 1974