I njohur më së miri për stilin e xhirimit ikono-klasik, në dukje të improvizuar, si dhe radikalizmin e vazhdueshëm, Godard la gjurmë në botën e filmit me krijimin e projekteve gjithnjë e më të politizuara në vitet ’60, përpara se ta shijonte një ringjallje të karrierës vitet e fundit, me filma të tillë, si “Film Socialisme” dhe “Goodbye”, teksa njëkohësisht eksperimentoi me teknologjinë digjitale
(The Guardian/BBC/AP) – Regjisori zvicerano-francez, Jean-Luc Godard, i cili ishte figurë e rëndësishme në valën e re të kinematografisë franceze, stili i të cilit revolucionarizoi kinemanë në fund të viteve ‘50 dhe ’60, ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur gazeta franceze “Libération”.
Një përfaqësues i familjes tha se vdiq me vetëvrasje të asistuar në Zvicër.
Këshilltari ligjor i Godard, Patrick Jeanneret, i tha agjencisë së lajmeve AFP se regjisori franko-zviceran “kishte përdorur ndihmën ligjore në Zvicër pasi ishte goditur me 'sëmundje të shumta invalidore’, sipas raportit mjekësor”.
Vetëvrasja e asistuar është e ligjshme në Zvicër në disa rrethana.
I njohur më së miri për stilin e xhirimit ikono-klasik, në dukje të improvizuar, si dhe radikalizmin e vazhdueshëm, Godard la gjurmë në botën e filmit me krijimin e projekteve gjithnjë e më të politizuara në vitet ’60, përpara se ta shijonte një ringjallje të karrierës vitet e fundit, me filma të tillë, si “Film Socialisme” dhe “Goodbye”, teksa njëkohësisht eksperimentoi me teknologjinë digjitale.

“...pasuri kombëtare”
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, postoi një mesazh ngushëllimi në Twitter, ku shkruhej: “E kemi humbur një pasuri kombëtare dhe syrin e një gjeniu”, duke shtuar tutje se, Godard, ishte një mjeshtër i kinematografisë.
Godard e filloi karrierën si kritik filmi përpara se të dilte pas kamerës me stilin dhe entuziazmin “Breathless”. Yjet e tij Jean Seberg dhe Jean-Paul Belmondo ishin magjepsës me frymën e re, ndërsa kamera lëvizte vazhdimisht e montazhi ishte i shpejtë dhe i guximshëm, derisa skenari gjysmë i improvizuar.
Regjisori njëherë tha: “Ishte një film që mori gjithçka që kishte bërë kinemaja - vajza, gangsterë, makina – i shpërtheu të gjitha këto dhe i dha fund, njëherë e përgjithmonë, stilit të vjetër”.
Stili i tij kishte ndikuar te regjisorët e mëdhenj, prej Martin Scorseses deri te Quentin Tarantino.
Godard u lind në Paris në vitin 1930. Shkollimin e vazhdoi në Nyon të Zvicrës. Pasi u zhvendos sërish në Paris, pas përfundimit të shkollës në vitin 1949, regjisori e gjeti një habitat natyror në “klubet e filmbërësve” intelektualë që lulëzuan në kryeqytetin francez pas luftës dhe ndikuan dukshëm në krijimin e valës së re të kinematografisë franceze.
Godard bëri famë si rebel që në fillim, duke mbrojtur filmat tradicionalë të Hollywoodit dhe duke promovuar njerëz, si Howard Hawks dhe Otto Preminger, mbi figura më të famshme të industrisë. Ai gjithashtu kishte një pëlqim të veçantë për Humphrey Bogartin, gjë që u vu në dukje në filmin e tij të parë, “Breathless”, të cilin e publikoi në vitin 1960.
Por, para kësaj, Godard e trasoi rrugën e tij drejt suksesit me krijimin e filmave të shkurtër, si “Charlotte and Véronique” dhe “All the Boys Are Named Patrick”, i cili e shfaqte stilin e tij të lirë të filmbërjes.
Filmi i tij i parë, “Breathless”, u xhirua në rrugët e Parisit në vitin 1959, me përdorim të papërfillshëm të ndriçimit artificial dhe një skenar që shkruhej çdo ditë. Me t’u publikuar nëpër kinema, ky projekt u shndërrua në një fenomen kulturor të mirëfilltë, duke e bërë aktorin Jean-Paul Belmondo yll të filmit dhe duke ia sjellë Godardit çmimin “Regjisori më i mirë” në Festivalin e Filmit në Berlin.

Jeta e trazuar private
Godard vazhdoi të realizonte një varg filmash të rëndësishëm në vitet ’60, madje me ritëm të furishëm. Filmi i tij i radhës, “Le Petit Soldat”, sugjeronte që Qeveria franceze t’i falte torturat dhe si rezultat u ndalua së shfaquri nëpër kinema deri në vitin 1963. Por pikërisht në këtë film, regjisori e takoi gruan e parë, Anna Karina.
Disa prej filmave tjerë të rëndësishëm të Godardit ishin “A Woman Is a Woman”, një homazh vetëreferues ndaj filmave muzikorë të Hollywoodit, ku sërish luajti Karina së bashku me Belmondon dhe i cili i siguroi regjisorit edhe më shumë çmime në Berlinale, filmi ekstravagant dhe epik “Contempt”, ku luanin aktorët Michel Piccoli, Brigitte Bardot, Jack Palance dhe Fritz Lang, si dhe filmi i çuditshëm hibrid, “Alphaville”.
Deri në vitin 1965, martesa e Godardit me Karinën përfundoi me shkurorëzim. Filmi i tyre i fundit së bashku ishte “Made in USA”. Në vitin 1970, Godard e takoi regjisoren Anne-Marie Miéville, e cila shumë shpejt u shndërrua në bashkëpunëtoren e tij të vazhdueshme dhe më vonë edhe partnere romantike, pas përfundimit të martesës së tij të dytë me Anne Wiazemskyn, e cila kishte luajtur në filmin e regjisorit “La Chinoise”.
Projekti i vitit 2001, “In Praise of Love”, e shënoi rikthimin e Godardit në kinematografi, pasi u fut në garë për çmimin kryesor të Festivalit të Filmit në Cannes. Projekti i tij i vitit 2014, “Goodbye to Language”, ia solli regjisorit çmimin e rëndësishëm në këtë festival, “Çmimin special të jurisë”. Katër vjet më vonë, Godard u rikthye në këtë ngjarje kinematografike për ta prezantuar filmin “Image Book”.
Picasso e Bob Dylani i filmit
Tarantino e quajti kompaninë e tij të prodhimit “A Band Apart”, duke iu referuar titullit origjinal të filmit të fundit dhe një herë tha se Godard pati “ndikim të madh” tek ai si regjisor.
“Godard është ai që më mësoi argëtimin, lirinë dhe gëzimin e thyerjes së rregullave... Unë e konsideroj Godard për kinemanë ashtu siç ishte Bob Dylan për muzikën”, tha ai.
Aktorja Macha Méril, e cila luajti në “Une Femme Mariée”, tha: “Ai është një gjeni. Çfarë është një gjeni? Është dikush që bën diçka që nuk është bërë kurrë më parë dhe i detyron të tjerët të ndryshojnë mënyrën e tyre të të menduarit dhe të bërit”.
“Është si Picasso... Gjenitë janë njerëz që ndryshojnë mënyrën se si njerëzit mendojnë”.
Në një deklaratë të martën, familja e tij tha se regjisori kishte vdekur “paqësisht në shtëpi”. Ata shtuan: “Asnjë ceremoni zyrtare funerali nuk do të bëhet. Trupi i tij do të digjet”.
Ish-ministri francez i Kulturës, Jack Lang, tha për agjencinë e lajmeve Reuters: “Ai e mbushi kinemanë me poezi dhe filozofi. Syri i tij i mprehtë dhe unik na bëri ta shohim të padukshmen”.
Të tjerë që bënë homazhe përfshinin aktorin Antonio Banderas, i cili shkroi: “Faleminderit zoti Godard për zgjerimin e kufijve të kinemasë”.
Regjisori i “Baby Driver”, Edgar Wright, shkroi: “Prehu në paqe Jean-Luc Godard, një nga kineastët më me ndikim ikono-klastik”.
“Ishte ironike që ai vetë e nderonte sistemin e krijimit të filmave në studiot e Hollywoodit, pasi ndoshta asnjë regjisor tjetër nuk frymëzoi aq shumë njerëz që thjesht të merrnin një aparat fotografik dhe t’i fillonin xhirimet”, shtoi ai.
Kritikët e filmit diskutuan gjithashtu stilin dhe ndikimin e tij.
“Ka nga pak Godard në pothuajse të gjithë filmat sot”, tha Frederic Maire, president i Kinotekës Zvicerane. “Pothuajse të gjithë regjisorët që kanë shkuar në shkollën e filmit sot, ose që kanë mësuar bërjen e filmave në kinema, kanë parë filmat e Godardit – dhe janë mahnitur dhe tronditur nga mënyra e tij për të treguar histori”.

Angazhimi politik
Godard, i cili më vonë do të fitonte një reputacion për pikëpamjet politike të pakompromis të krahut të majtë, pati kontaktin e parë me autoritetet franceze në vitin 1960 kur bëri filmin “Ushtari i vogël”. Filmi, plot me referenca për luftën koloniale të Francës në Algjeri, nuk u shfaq deri në vitin 1963, një vit pas përfundimit të konfliktit me Algjerinë.
Puna e tij u kthye më shumë në politikë nga fundi i viteve 1960. Në “Fundjavë”, personazhet e tij hedhin poshtë hipokrizinë në shoqërinë borgjeze, edhe pse demonstrojnë kotësinë komike të luftës së dhunshme të klasave. U dha një vit përpara se zemërimi popullor ndaj institucionit të trondiste Francën, duke kulmuar në trazirat ikonike, por jetëshkurtra të studentëve të majit 1968.
Godard kishte simpati të përjetshme për forma të ndryshme të socializmit të përshkruara në filma nga fillimi i viteve 1970 deri në vitet 1990.
Mbrojtja e tij e përjetshme e kauzës palestineze nxiti gjithashtu akuza të përsëritura për antisemitizëm, pavarësisht këmbënguljes së tij se ai simpatizonte popullin hebraik dhe gjendjen e tyre në Evropën e pushtuar nga nazistët.
Përgatiti: Edona Binaku