Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Franca me duartrokitje i jep Belmondos lamtumirën e fundit

Arkivoli me trupin e pajetë të Belmondos, i mbështjellë me flamur francez, u mbajt nga ushtarët e gardës ceremoniale. Nipi i tij, Victor Belmondo, e cilësoi gjyshin si “yll të përjetshëm”. “Jean-Paul Belmondo ishte pjesë e familjes, vëlla, kushëri, xhaxha, shok e baba i mrekullueshëm... në të cilin secili nga ne gjejmë pak nga vetja”, ka thënë presidenti Emmanuel Macron në fjalimin e tij. Në fund të fjalimit të Macronit shpërtheu duartrokitja disaminutëshe

Franca të enjten ka përkujtuar legjendën e ekranit, Jean-Paul Belmondo, me një ceremoni solemne të udhëhequr nga presidenti që e ka portretizuar si njeri të popullit, në homazh kombëtar që nxiti emocione të shumta mes adhuruesve, yjeve e familjes së aktorit.

Ceremonia, pranë vendit ku pushon Napoleoni, përfshiu edhe të shtëna ushtarake e shumë lot adhuruesish. Rreth 1000 adhurues të aktorit u lejuan brenda rrethojave të monumentit, ndërsa të tjerë të shumtë përcollën ceremoninë nga ekranet jashtë.

Arkivoli me trupin e pajetë të Belmondos, i mbështjellë me flamur francez, u mbajt nga ushtarët dhe u vendos në qendrën e oborrit të monumentit ikonik francez.

Nipi i tij, Victor Belmondo, e cilësoi gjyshin si “yll të përjetshëm”.

“Gjyshi ynë rrezaton dhe do të rrezatojë përgjithmonë për ne me buzëqeshjen, mirësinë dhe dashamirësinë e tij. Ai është një yll i përjetshëm. Faleminderit gjysh që na dhe kaq shumë argëtim! Faleminderit që shpërndave pozitivitet! Na le të mbushur me lumturi. Ne mendojmë për ty, të duam dhe kënaqu me miqtë që të kanë munguar aq shumë”, u shpreh i emocionuar Victor Belmondo, që po shoqërohej nga nipat tjerë të aktorit.

Edhe Jean-Paul Belmondo, ikona e Valës së Re të kinematografisë franceze Kulturë Jean-Paul Belmondo, ikona e Valës së Re të kinematografisë franceze

Një portret i aktorit, me një kapelë dhe mjekrën e tij të shthurur përcolli ceremoninë nga lart, mbi trupat ushtarake në rroba zyrtare me shpata.

“Jean-Paul Belmondo ishte pjesë e familjes, vëlla, kushëri, xhaxha, shok e baba i mrekullueshëm... në të cilin secili nga ne gjejmë pak nga vetja”, ka thënë presidenti Emmanuel Macron në fjalimin e tij.

Në fund të fjalimit të Macronit shpërtheu duartrokitja disaminutëshe. Në fund, arkivoli u bart nga orkestra e gardës republikane nën tingujt e kolonës zanore “Chi Mai” të Ennio Morricone të filmit “Le Proffesionnel” të vitit 1981, ku rolin kryesor e luan aktori i shquar.

Belmondo, buzëqeshja e veçantë e të cilit e bëri një nga aktorët më të njohur francezë, vdiq në moshën 88-vjeçare këtë javë. Shkaqet e vdekjes s’janë bërë publike.

I njohur si Bebel, legjenda franceze kishte karrierë të bujshme më shumë se gjysmë shekulli. Ai u paraqit në më shumë se 80 filma dhe punoi me shumë regjisorë.

Edhe Vdiq ylli francez i kinematografisë, Jean-Paul Belmondo Kulturë Vdiq ylli francez i kinematografisë, Jean-Paul Belmondo

I lindur më 1933 në periferinë e pasur të Parisit, Neuilly-sur-Seine, i biri i skulptorit algjerian Paul Belmondo, Belmondo ndoqi një sërë shkollash private elitare. Ai tregoi më shumë interes për sportin dhe si adoleshent pati një karrierë të shkurtër në boks amator. Pasi u infektua me tuberkuloz, u interesua për shfaqje teatrore dhe aplikoi në shkollë elitare, në Akademinë e Arteve Dramatike, duke fituar përfundimisht një vend më 1952. Pas diplomimit, Belmondo filloi aktrimin në teatër, doli në shfaqjet e Anouilh, Feydeau dhe George Bernard Shaw. Ai, gjithashtu, siguroi një numër rolesh të vogla: në njërën prej tyre, në komedinë “Un Drôle de Dimanche” të Marc Allegret më 1958, ai u dallua nga Gotard, i cili ishte ende kritik te “Cahiers du Cinéma”. Atë vit filloi edhe bashkëpunimi i këtyre dyve, të cilët së bashku do të bëheshin ikona të kinematografisë. Ai mbetet aktori karizmatik që shpesh kryente marifetet e tij, si kur në vitet 1960 kaloi në filmat e zakonshëm dhe u bë një nga heronjtë kryesorë të komedisë dhe aksionit në Francë. Vendimi i tij për të vazhduar një karrierë në kinemanë komerciale dhe për t’i shmangur shtëpitë e artit çoi në kritika se ai kishte humbur talentin e tij të padiskutueshëm – diçka që ai gjithmonë e mohonte.

Por, Belmondo nuk i la pa përgjigje. “Kur një aktor është i suksesshëm, njerëzit ia kthejnë shpinën dhe thonë se ai e ka zgjedhur rrugën e lehtë, se nuk dëshiron të bëjë përpjekje apo të marrë përsipër ndonjë rrezik”, kishte thënë Belmondo dikur. “Por nëse do të ishte kaq e lehtë për të mbushur kinematë, atëherë bota e filmit do të ishte më mirë sesa që është. Unë nuk mendoj se do të kisha qëndruar në qendër të vëmendjes për kaq gjatë nëse do të bëja bërllok. Njerëzit nuk janë aq budallenj”.