Kulturë

Jazz-kitaristi rrëfen me tinguj rrugëtimin e tij jetësor

“Peja Jazz” ka qenë një mundësi e mirë për jazz-kitaristin, Kejdi Barbullushi, që të shpalosë universin e tij muzikor. Këtë e ka bërë edhe duke prezantuar veprën e parë që e ka kompozuar. Muzikanti i lindur më 2001, studimet e para për kitarë i mori në Luceun Artistik “Jordan Misja”, për të vazhduar në Vjenë ku është aktualisht. Itinerarin e tij jetësor e bashkon edhe në veprat e tij, e për t’i shpalosur ato në Pejë, i janë bashkuar në skenë edhe Visar Kuçi në bas e Enes Beu në bateri

Copëza nga jeta e tij, instrumentisti i ri Kejdi Barbullushi i ka përmbledhur në kompozime. Si përjetime të zbërthyera në nota muzikore kitaristi nga Shkodra i ka përcjellë edhe në Pejë në kuadër të mbrëmjes përmbyllëse të serisë së koncerteve të “Peja Jazz” që u mbajt për tri net në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Për të shpërndarë këta tinguj muzikorë, instrumentisti që rishtazi e ka sfiduar veten në kompozim, është shoqëruar nga Visar Kuçi në bas kitarë dhe Enes Beu në bateri. Një kombinim i tillë muzikor qysh në start dha sinjalin e një mbrëmjeje të pasur ritmike. Dhjetë vepra muzikore kanë përmbledhur më shumë se një orë program.

Me “Last train home” të kompozitorit dhe këngëtarit John Mayer, trioja ka nisur rrugëtimin muzikor. E kompozuar fiks dy dekada më parë, kompozimi ka goxha elemente të muzikës së viteve ’80, sepse muzika e kësaj kohe ia kishte kthyer sigurinë dhe stabilitetin vetë kompozitorit. Pak a shumë e njëjta ndjesi ka udhëtuar edhe brenda kinemasë. “Lost tribe” e basistit dhe kompozitorit nga Izraeli, Avishai Cohen ka qenë goxha më ritmike. Të gjitha kompozimet nga kompozitorët e huaj, Burbullushi është përpjekur t’i sjellë në version sa më modern.

“Pjesa e kompozimeve të huaja janë të aranzhuara nga muzikantë të kohëve të fundit që i kanë sjellë në një version më modern, sepse disa janë pjesë jashtëzakonisht të vjetra dhe kryesisht janë prej periudhës moderne të jazz standardeve”, ka shpjeguar ai për KOHËN.

Image

Kejdi Barbullushi: “Kryesisht pjesët që unë i kam kompozuar janë goxha të reja, sepse unë kam gati një vit që jam shpërngulur në Austri për studime dhe atje kam filluar më shumë të kompozoj, sepse atje ka ardhur ai frymëzimi dhe e kam ndier shumë pjesën e kompozimit. Historia mbi to kanë të bëjnë me largimin nga Shqipëria, me ato ndjenjat e pashprehura, gëzimet dhe frustrimet” (Foto: Flakon Zharku)

“Peja Jazz” ka qenë një mundësi e mirë për artistin shkodran që ta shpalosë universin e tij muzikor. Këtë e ka bërë edhe duke prezantuar veprën e parë që ka kompozuar. Barbullushi i lindur më 2001, studimet e para për kitarë i mori në Luceun Artistik “Jordan Misja”. Pas studimeve atje, destinacioni i tij ishte Vjena. Atje po vazhdon studimet për jazz-kitarë në “Musik und Kunst Privatuniversität der Stadt Wien”. Përveç studimeve, zhvendosja atje i hap dyer të reja sa i përket kompozimit. Duket sikur largimin e ka përjetuar goxha. Kjo manifestohet edhe në kompozimin e tij “Learn to let go” që e kishte kompozuar gjatë qëndrimit fillimisht atje. Edhe tingujt duket sikur nxitimthi ndjekin njëri-tjetrin. Si dedikim për dikë të rëndësishëm e ka përshkruar kompozimin e “Someones theme”, me të cilën Barbullushi e ka përmbyllur programin.

“Kryesisht pjesët që unë i kam kompozuar janë goxha të reja, sepse unë kam gati një vit që jam shpërngulur në Austri për studime dhe atje kam filluar më shumë të kompozoj, sepse atje ka ardhur ai frymëzimi dhe e kam ndier shumë pjesën e kompozimit. Historia mbi to kanë të bëjnë me largimin nga Shqipëria, me ato ndjenjat e pashprehura, gëzimet dhe frustrimet”, ka shpjeguar ai për KOHËN fill pas koncertit. Kompozimet e instrumentistit të ri nuk kanë qenë të vetmet të cilave “Peja Jazz” ua ka dorëzuar skenën. Por megjithatë kjo do të mbetet një ndër shtyllat e organizatorëve.

“Jam i lumtur që e kemi pasur një prej emrave të rinj e shumë premtues të muzikantëve shqiptarë për ta mbyllur këtë seri të dytë. Besoj se ky do të jetë fokus edhe në të ardhmen që të kemi në program talent të jashtëzakonshëm sikurse Kejdi”, ka thënë Dardan Selimaj, kurator i program të “Peja Jazz”. Me tinguj të jazzit francez nga “Contraccodriano Trio” ishte prezantuar jazzi francez në Pejë kah mesi i nëntorit, si paralajmërim për serinë e dytë të koncerteve. Një muaj pas, edicioni i dytë si vazhdimësi e traditës në skenë bashkoi dyshen italiane Daniele Di Bonaventura në bandoneon me Robert Zechinin në kitarë. Selimaj ka theksuar se “Peja Jazz” që nisi në një vit të brishtë për skenën kulturore vazhdoi në një vit po ashtu jo të lehtë.

“Jemi të lumtur që idenë e nisur vjet kemi arritur ta vazhdojmë dhe nga një festival lokal, ta shtrijmë numrin e artistëve që përveç atyre vendorë të vijnë edhe muzikantë që sjellin perspektivë tjetër e frymën e jazz-skenave të vendeve të tjera”, ka shtuar tutje Selimaj.

Derisa kuratori i programit, Dardan Selimaj, ka thënë se Peja ka mundësinë të shndërrohet në një qytet të rëndësishëm të skenës muzikore në vend, edhe publiku beson në vazhdimësinë e kësaj tradite.

Sopranoja Arta Jashari ka thënë se shpreson që mbrëmje të tilla ndikojnë në zhvillimin e një diversiteti artistik dhe muzikor.

“Uroj që ‘Peja Jazz’ të ketë edhe viteve të tjera emra të mëdhenj muzikantësh, sikurse në këtë edicion, po ashtu uroj në një situatë kolektive më të mirë se kjo që po kalojmë”, ka thënë Jashari.

“Peja Jazz” pas përmbylljes së edicionit të dytë sytë i ka nga edicioni i tretë dhe përtej. Organizatorët thonë se janë duke punuar që në 5-vjetorin e themelimit të shndërrohet në një festival referent për jazz-skenën e rajonit.