Është ngjarja më me traditë në Kosovën e pasluftës, ka nisur me koncert, por që në hapje, “Java e Frankofonisë” ka zbërthyer edhe tingujt që ndërtojnë ura midis popujve. Përderisa Linda Rukaj e shoqëruar nga pianisti Antonio Fjerca, kanë dëshmuar se muzika shkrin kufijtë, në fjalimet e hapjes është theksuar se dialogu kulturor bën të njëjtën gjë, se kultura peshon në çdo kohë. Pos Prishtinës, “Java...” sivjet shtrihet edhe në Gjilan e Viti
“Java e Frankofonisë” në Prishtinë është më shumë se festë gjuhe. Çdo vit merr edhe dimension diplomatik e edukativ. Përherë në synim të rritet dija e gjuhës frënge. E për një javë në kryeqytet, e sivjet e shtrirë edhe në Gjilan e Viti, vjen si hapësirë e dialogut kulturor ku arti, letërsia, muzika e kinemaja shërbejnë si ura lidhëse midis vendeve frankofone me Kosovën. Sivjet është hapur me muzikën e Linda Rukajt e shoqëruar nga pianisti Antonio Fjerca, të cilët sollën një program që ka lëvizur natyrshëm midis muzikës franceze dhe traditës shqiptare.
“Java e Frankofonisë”, si manifestim që ndërthur kulturën, gjuhën dhe artin frankofon, është hapur zyrtarisht të hënën mbrëma në kinemanë “Armata”. Është ngjarja më me traditë në Kosovën e pasluftës dhe shënon edicionin e 26-të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Albin Kurti ka thënë se ngjarja kujton se kultura peshon rëndë, se gjuha lidh njerëzit dhe se vlerat bashkojnë kohë.
“Në këtë kohë kur ndarjet po thellohen, kjo na kthen te thelbësorja se dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se kufijtë. Vendet frankofone janë miq të çmuar dhe partnerë të rëndësishëm të Kosovës. Mbështetja e tyre vazhdon të mbetet e vyer në rrugëtimin tonë si shtet, e ndërtuar mbi besim, respekt dhe synim të përbashkët për një shoqëri të lirë dhe demokratike”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ka theksuar se diaspora shqiptare në vendet frankofone ka qenë urë e gjatë lidhjeje midis vendeve.
“Përmes saj kemi njohur jo vetëm gjuhën, por edhe format tjera të të jetuarit. Ky përafrim me kulturat e tjera shpesh ka ardhur në forma të mëdha në libra, në universitete, në shkëmbime zyrtare, por edhe në forma më të vogla. Në një këngë të mësuar përmendësh, në një film të parë disa herë, apo në një shprehje që mbetet gjatë në mendje”, ka thënë ai.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka theksuar rëndësinë në rritje të kësaj jave kulturore. Ka përmendur se pesë vjetët e fundit Java e Frankofonisë festohet me rotacion në qytete të ndryshme. Se kishte lëvizur në Pejë, Prizren, Gjakovë e Mitrovicë. E sivjet, pos Prishtinës shtrihet edhe në Gjilan e Viti, ku një pjesë e diasporës jeton në hapësirën frankofone.
“Frankofonia është e pranishme kudo në Kosovë, siç flitet gjuha frënge në mbarë botën. Këtë vit frëngjishtja është bërë gjuha e katërt më e folur në botë. Kjo ndihet edhe këtu dhe për këtë Kosova është kandidate për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim këtë përpjekje kulturore dhe diplomatike në mënyrë që frankofonia të jetë edhe më e dukshme në Kosovë dhe që Kosovë të jetë edhe më e dukshme në frankofoni”, ka thënë ai.
Ka përmendur edhe ngjarjen e fundit ku filmi “Two people exchanging Saliva” mori çmimin “Oscar” duke theksuar bashkëpunimin kinematografik pasi këtë film aktore kryesore është Luana Bajrami.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpalosur një reflektim më personal mbi gjuhën frënge.
“Frëngjishtja më dukej se ishte gjuha përmes së cilës duhet të shpallet dashuria. Kjo ndjesi m’u forcua kur pashë disa herë historinë kur Roxanës i shpallet dashuria jo një herë, por dy herë. Aty kuptova se ka gjuhë që e shpjegojnë botën dhe ka gjuhë që e ndriçojnë shpirtin. Për mua, frëngjishtja ka qenë gjithmonë e dyta”, ka thënë ai.
Ka përmendur edhe kontekstin diplomatik e bashkëpunimin midis dy vendeve.
“Franca ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën në vitin 2008 dhe prej asaj dite, bashkë me vendet frankofone, ka qenë partner i qëndrueshëm në diplomacinë, në shtetndërtim, në kulturë e në arsim. Kjo nuk është vetëm një histori protokolli, por një marrëdhënie e ndërtuar në besim, nga mbështetja në arenën ndërkombëtare te bashkëpunimet akademike, te prania e institutit ‘France du Kosovo’. Është lidhje që ka prodhuar vlerë reale për shoqërinë tonë”, ka thënë kryetari Rama.
Pjesa artistike nisi me një uverturë pianistike me tinguj romantikë, duke krijuar një atmosferë intime e elegante, për të vazhduar më pas me një dialog të ndjerë mes zërit, kitarës dhe pianos. Duke prezantuar po atë që kantautorja Rukaj ka ndërtuar një univers muzikor ku jazzi, muzika tradicionale dhe ajo moderne bashkëjetojnë pa sforcim.

Koncerti qe përvojë e pasur emocionale dhe estetike.
Një element i veçantë i koncertit ishte ndërthurja e instrumenteve dhe teknikave të pazakonshme. Në interpretimin e “Couleur café” të Serge Gainsbourg, Rukaj përdori elemente minimale, goditje mbi trupin e pianos dhe instrumente të vogla perkusioni, duke krijuar një teksturë të re tingullore.
“Është një gjë që ka ardhur me kohën, me punën, me eksperiencën si muzikante që luan me shumë muzikantë të tjerë dhe kjo është një pjesë që e zhvillon shumë një njeri përveç si muzikalisht, ashtu edhe nga ana njerëzore shpirtërore. Merr nga të tjerët, krijon, kupton, improvizon, ti kupton nga ta, ata kuptojnë nga ti, pastaj kjo gjë fle natyrshëm, sepse e ke trajnuar trurin të mendosh në atë formë, të shkosh drejt asaj linje. Fillimisht ajo mund të jetë e panjohur sepse nuk di çfarë të improvizosh. Di harmoninë e këngës, mundohesh të fantazosh dhe të improvizosh në harmoninë e asaj kënge, por derisa pastaj duhet si lojë”, ka thënë Rukaj.
Ndërsa në këngën “Kur më del në derë”, ajo solli frymëzim nga lahuta shqiptare, duke përdorur harkun e saj mbi kitarë, një eksperiment që i dha interpretimit një ngjyrim autentik tradicional.
Vetë artistja Linda Rukaj e ka përshkruar koncertin si përvojë të veçantë krijuese.
“Duke qenë se ishte për hapjen e ‘Javës së Frankofonisë’, ishte padyshim e sigurt që duhej të luanim pjesë franceze. Një pjesë të repertorit e kisha luajtur më përpara, një pjesë tjetër e kisha përzgjedhur pikërisht për këtë koncert dhe pastaj sigurisht se futa edhe pjesë shqiptare gjithsesi. Ishin disa pjesë të luajtur më parë e disa nuk i njihja dhe i zbulova për herë të parë fare. Kështu që ishte eksperiencë interesante dhe e veçantë”, ka thënë ajo.
Programi muzikor ishte i pasur dhe i larmishëm, duke përfshirë klasikë të muzikës franceze dhe krijime shqiptare. “Invitation au voyage”, bazuar në poezinë e Charles Baudelaire, solli një atmosferë poetike. “Je me suis fait tout petit” nga Georges Brassens dhe “Comment te dire adieu” nga Françoise Hardy ruajtën frymën e këndimit klasik, ndërsa “Syracuse” nga Henri Salvador dhe “Et si tu n’existais pas” nga Joe Dassin sollën një nostalgji të butë melodike.
Nga repertori shqiptar, “Të shtrirë mbi kanape” nga “Gjurmët” dhe kompozimi origjinal “Andrro, Dashuno”, i bazuar në poezinë e Ndre Mjedës, krijuan ura midis dy kulturave. Interpretimi a capella i kësaj të fundit, me përdorimin e trupit si instrument ritmik, ishte një nga momentet më eksperimentale të mbrëmjes.
Pjesët si “La vie en rose” e Édith Piaf dhe “Voyage, voyage” nga Desireless u sollën me qasje të freskët, duke ruajtur esencën e tyre ikonike, por duke i veshur me një interpretim intim dhe bashkëkohor. Ndërsa finalja me “La Foule”, po ashtu nga Piaf, përmbylli koncertin me energji dhe intensitet emocional.
Në këtë frymë “Java e Frankofonisë” në Prishtinë nisi jo vetëm si një festë e gjuhës, por edhe si afirmim i fuqisë së kulturës për të lidhur universin.