“Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuale dhe efemere”, është tema e sivjetme e “Javës së Bibliotekës” në Kosovë. Edicioni i 18-të u hap me ekspozitën “Kujtesa kulinare e Kosovës”. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, përveç aktiviteteve të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare, gjatë kësaj jave do të organizojë edhe sesione shkencore që trajtojnë temën e sivjetme
Njëlloj si çdo vit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është bërë nikoqire e aktiviteteve, përmes së cilave shënohet “Java e Bibliotekës”. I është përshtatur pandemisë, duke mbajtur një pjesë të aktiviteteve në formatin online e një pjesë tjetër me prezencë fizike. Pikërisht pandemia e shtyri BKK-në që “Javën e Bibliotekës” të mos e mbante në prill dhe ta zhvendoste në maj.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, përveç aktiviteteve të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare, gjatë kësaj jave do të organizojë edhe sesione shkencore që trajtojnë temën e sivjetme, “Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuale dhe efemere”. Gjithçka do të zhvillohet nga 24 maji deri më 30 maj.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se tema e sivjetme përqendrohet në atë se çfarë dhe si duhet ta mbledhim, ruajmë, përpunojmë dhe t’i bëjmë të qasshme materialet audiovizuale dhe efemeret.
“Java e Bibliotekës në Kosovë është javë për të festuar, por edhe për të dertuar në kuptimin e dijes dhe përvojës për bibliotekat tona. Për t’u njohur me kontributet e punonjësve të bibliotekave për të promovuar përdorimin dhe mbështetjen e bibliotekave dhe për të reflektuar për rolin e bibliotekave”, ka thënë Gajraku.
Ai ka theksuar se shumica dërrmuese e materialeve audiovizuale është duke mbetur pa u mbledhur dhe është jashtë bibliotekave, arkivave dhe muzeve të institucioneve publike.
“Prandaj është domosdoshmëria për të rritur ndërgjegjësimin dhe të kultivohet një ndjenjë e vërtetë, urgjence për gjendjen e këtyre materialeve. Jemi në dijeni se ka dhjetëra e qindra koleksionistë privatë që ruajnë video dhe audioincizime të këngëve kreshnike, këngëve të vjetra qytetare, të dokumenteve dhe filmave që janë në rrezik të dekompozohen, shkatërrohen dhe zhduken”, ka thënë ai.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se “Java e Bibliotekës” vë në pah rolin thelbësor që bibliotekat e kanë për promovimin e leximit, si dhe u jep zë sfidave të shumta dhe nevojave bibliotekare në Kosovë.
“Ne kemi nevojë që ta bëjmë sa më të dukshme rolin e bibliotekave dhe ta njohim funksionin e tyre si një ndër shtyllat e forta të popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani. Ka folur edhe për një projekt që e kishte paralajmëruar vitin e kaluar, bibliotekën presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” .
“Kjo bibliotekë do të mbledhë dhe do të ruajë dokumente zyrtare e personale, artefakte e materiale historike, që dokumentojnë historinë e shtetformimit dhe jetën institucionale të Kosovës. Kjo bibliotekë do të jetë vend që promovon vlerat e demokracisë dhe të shtetit të Kosovës, që edukon dhe frymëzon gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Osmani. Ka shtuar se do të kujdeset që bibliotekat në vend të marrin vëmendjen e merituar.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka rikujtuar se gjatë javës do të bëhen bashkë studiues, studentë, shkrimtarë, historianë dhe profesionistë të ndryshëm që i kontribuojnë fushës në një formë apo tjetër. Ka theksuar se bibliotekat në çdo cep të botës, por dhe në Kosovë janë koleksione të dijes së qasshme për të gjithë.
“Ne duhet të tentojmë që Biblioteka Kombëtare në përgjithësi, por edhe përmes aktiviteteve që do të zhvillohen në ditët në zhvillim të afrojë jo vetëm ata që shquhen për kontribut akademik, por të gjithë ata edhe jashtë këtij holli, fëmijët e të rritur në Prishtinë e në qytete të tjera. Është prioritet i yni i gjithmbarshëm shoqëror dhe shtetëror ta shtyjmë përpara zhvillimin e librit dhe çdo iniciativë rreth tij”, ka thënë ai.
“Java e Bibliotekës” nisi me ekspozitën “Kujtesa kulinare e Kosovës”, ku janë ekspozuar 100 meny të restoranteve të Kosovës. Menytë janë të të gjitha tipave të restoranteve, prej atyre që ofrojnë kuzhinë tradicionale në ambiente të disenjuara specifikishtë, deri te byrektoret e zakonshme dhe ofrojnë një pamje të gastronomisë në Kosovë.
Arsim Canolli, antropolog, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, ka treguar se menytë janë mbledhur vullnetarisht nga disa studentë të antropologjisë kulturore të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ky fond, më pas i ishte dorëzuar pikërisht Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Puna kishte nisur në dhjetor të vitit 2016 dhe ka mbaruar në dhjetor të vitit 2020.
“Në meny përmblidhen arti kulinar dhe shija e epokës në një vend të caktuar. Menyja shpreh kreativitetin kulinar dhe traditën e bartur të një vendi, por edhe hapja e pjatës për copa të bukës së vendeve të tjera. Në meny të restoranteve të Kosovës matet pulsi i shijes së kohës, aty lexohet portreti i Kosovës gastronomike, si i punëtorit ditor ashtu edhe i turistit kalimtar”, ka thënë ai për KOHËN. Sipas tij, menyja nuk është vetëm një letër e shtypur me disa emra hajesh, por është pusullë shqisore e etikës, politikës, kulturës, ekonomisë dhe shëndetit të shoqërisë.
“Ideja e kësaj kulture buknore, siç dëshiroj që ta quaj unë (v.j antropologjinë e ushqimit), pasi që gjithçka që lidhet me bukën, me ushqimin me traditat e bukës, merret edhe me autenticitetin, me idenë e bukës si prodhim autentik i një rajoni, vendi, populli, por është e rëndësishme me e theksu që beteja mbi origjinën është shumë e vështirë në aspektin akademik, pasi që ushqimi është diçka që i bashkon njerëzit që shpërndahet të njerëzit dhe piketimi i një haje e që nuk është shpikur nga shefet e kuzhinës është shumë i vështirë”, ka thënë ai Canolli.
Ai ka shtuar se mbetet me shpresën që fondit “Kujtesa kulinare e Kosovës” të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës t’i shtohen edhe më shumë meny restorantesh, libra gatimi, filma dokumentarë kulinarë, tv-emisione kulinare, katalogë ushqimi, rrëfime kulinarie e forma të tjera të kujtesës kulinare të Kosovës.
“Sepse ruajtja e kujtesës kulinare të Kosovës, sidomos asaj që është në zgrip të harresës, është ruajtje e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
“Java e Bibliotekës” organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me Shoqatën e Bibliotekarëve të Kosovës dhe bibliotekat publike të Kosovës.