Kulturë

Ironia politiko-artistike me “Pakon e rimëkëmbjes”, artisti përfundon në Polici

Bizneset do të prehen si me kosë, në rast edhe të një mbylljeje tjetër totale të vendit, e Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike e Qeverisë, “e dobët dhe e varfër” s’do të mund t’i shpëtojë ato. Ky ka qenë mesazhi i artistit Arianit Beqiri, i cili mëngjesin e së hënës para objektit të Qeverisë pati një performancë artistike, përmes së cilës ka kundërshtuar mbylljen totale e pakon e vogël ekonomike për bizneset.

Ai ka ironizuar nëpërmjet një kose të arit, e cila është e vendosur në një paketë të vogël në të cilën ka shkruar: “Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike”.

Beqiri ka thënë se kosa është prej ari, sepse më shumë po flitet për pakon ekonomike sesa rolin që ajo duhet ta kryejë, derisa në thelb, sipas tij, ajo po i pret bizneset.

“Sot vendosa ta bëj këtë aktivitet duke e vendosur një kosë të arit në një paketë të vogël. Paketë e vogël, sepse aq është Pakoja e Rimëkëmbjes, e kosa e arit, sepse më shumë po flitet për të sesa që është punuar që ajo të jetë e duhura”, ka shkruar Beqiri në njoftimin e tij në Facebook rreth kësaj performance, që ndodhi në orën 07:10. Beqiri ka qenë asistent i ish-kryeministrit Albin Kurti, i njohur si figurë edhe nga protestat e Vetëvendosjes.

Sipas tij, në kohën kur populli po mbyllet, bashkë me të po mbyllen edhe shumë biznese.

në vetvete ka karakter artistiko-politik dhe është kritikë për Pakon e dobët e të varfër të Rimëkëmbjes Ekonomike. Pra, nëse populli shpreson që së shpejti do të hapet sërish, shumë biznese duket se nuk do të mund të hapen më. Kjo po ndodh, sepse Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, ndonëse po pritet shumë, nuk është ajo që po e prisnim”, ka thënë Beqiri, i cili javën e kaluar, në galerinë “Qahili”, hapi ekspozitën “Recetë kuzhine”.

E për performancën e fundit artistike Beqiri është thirrur nga Policia për të dhënë deklaratë. Porse, sipas tij, kjo nuk ishte e tëra ajo që i ndodhi në stacionin policor.

“Pas përfundimit të shfaqjes së kësaj vepre artistike u ftova që të paraqitem në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë. Ndonëse u prit që të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngritet aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim”, ka shkruar Beqiri në Facebook. “Në Polici deklarova se ky instalacion nuk ka për qëllim kërcënimin ndaj askujt”.

Megjithatë, një gjë të tillë për ngritje aktakuze e ka mohuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit korrekt njofton opinionin lidhur me shkrimet se është ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.B., pas shfaqjes së veprës artistike para objektit të Qeverisë, duke ju njoftuar se i njëjti vetëm është intervistuar nga Policia e Kosovës, në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit e as nuk është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar të kësaj prokurorie”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore nëpërmjet një komunikate për media. Prokuroria ka theksuar se Beqiri pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.