Kulturë

Inteligjenca Artificiale rikthen “The Beatles” me “Now And Then”

Paul McCartney, Ringo Starr dhe George Harrison kishin punuar bashkë në krijimin e këngës së re, “Now And Then”, por limitet teknologjike atëkohë e penguan këtë proces. Me ndihmën e një programi të asistuar nga Inteligjenca Artificiale, regjisori Peter Jackson i mënjanoi këto probleme, duke e shkëputur vokalin origjinal të Lennonit nga tingulli i një pianoje. Vokali tashmë i qartë ua mundësoi McCartneyt dhe Starrit që ta përfundojnë këngën

Gjashtëdhjetë vjet pasi bota u fiksua pas muzikës së “The Beatles”, dhe disa vjet pas vdekjes së dy prej anëtarëve të kuartetit të famshëm, Inteligjenca Artificiale ka mundësuar publikimin e asaj që është premtuar të jetë kënga e fundit “e re” e grupit legjendar.

Kënga me titull, “Now And Then” do të jetë në dispozicionin e publikut prej 2 nëntorit. “Now And Then” u shkrua dhe u këndua nga John Lennon në fund të viteve ‘70, në shtëpinë e tij në New York City. Në vitin 1994, e veja e Lennonit, Yoko Ono, ia dhuroi draftin e përafërt të demos Paul McCartneyt në një pako, ku shkruhej: “Për Paulin”. Aty përfshiheshin gjithashtu draftet e këngëve, “Free As a Bird” dhe “Real Love”, të cilat u lansuan për publikun gjatë viteve ‘90 si pjesë e projektit “Anthology”.

Paul McCartney, Ringo Starr dhe George Harrison kishin punuar bashkë në krijimin e këngës së re, “Now And Then”, por limitet teknologjike atëkohë e penguan këtë proces. Me ndihmën e një programi të asistuar nga Inteligjenca Artificiale, regjisori Peter Jackson i mënjanoi këto probleme, duke e shkëputur vokalin origjinal të Lennonit nga tingulli i një pianoje. Vokali tashmë i qartë ua mundësoi McCartneyt dhe Starrit që ta përfundojnë këngën vitin e kaluar.

“Ja ku ishte zëri i Johnit, i pastër si kristali. Ishte goxha emocionuese. Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj performance. Pra është një incizim real i ‘The Beatles’. Dhe fakti që jemi në vitin 2023 duke punuar ende në lansimin e një kënge të grupit, të cilën publiku nuk e ka dëgjuar më parë, është një përvojë goxha emocionuese”, deklaroi McCartney në një deklaratë për media.

Image
“Now And Then” përfshin tinguj të kitarës, të cilat Harrison i kishte incizuar para tri dekadave, disa melodi të reja në bateri të interpretuara nga Starr, derisa McCartney performon në kitarë, bas-kitarë dhe në piano

“Now And Then” përfshin tinguj të kitarës, të cilat Harrison i kishte incizuar para tri dekadave, disa melodi të reja në bateri të interpretuara nga Starr, derisa McCartney performon në kitarë, bas-kitarë dhe në piano. Zërat shoqërues në këngë po ashtu janë interpretuar nga McCartney dhe Starr. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata krijuan vokale shoqëruese nga incizimet origjinale të këngëve, “Here, There and Everywhere”, “Eleanor Rigby” dhe “Because”.

E veja e Harrisonit, Olivia, ka thënë se gjatë viteve ‘90 atij i dukej e pamundur të krijonin këngë të re që u përshtatej standardeve të bendit. Me përmirësimet e vjetëve të fundit, ai me gjithë zemër do të kishte pranuar t’u bashkohej Paulit dhe Ringos në përfundimin e këngës, nëse do të ishte ende gjallë.

“Kjo është kënga e fundit që do t’i përfshijë të katër anëtarët e grupit, John, Paul, George dhe Ringo”, ka thënë Starr në një intervistë për “Associated Press”.

Edhe djali i Lennonit, Sean Ono Lennon, ka komentuar rreth krijimit të kësaj kënge, me ç’rast tha: “Ishte tepër emocionuese t’i dëgjoje duke punuar së bashku pas gjithë këtyre vjetëve. Është kënga e fundit që babai im, Paul, George dhe Ringo arritën ta bënin së bashku. Më duket si një kapsulë kohe dhe gjithçka duket sikur ishte e destinuar të ndodhte”.

Në fund të nëntorit do të lansohen versione të zgjeruara të albumeve me muzikë të kompiluar të bendit, të njohura si, “Albumi i Kuq” dhe “Albumi Blu”. Edhe pse kënga “Now And Then” vjen më vonë, ajo do të përfshihet në këtë koleksion.

Marrë nga “Associated Press” dhe “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku