“Madonna della Rosa” e mjeshtrit të Renesancës, Raphael është bërë objekt studimi e debati nëse kjo vepër 500 vjet e vjetër është krejtësisht autentike. Duke përdorur një algoritëm të Inteligjencës Artificiale del se një pjesë në vepër është shtuar më vonë nga dikush tjetër e jo nga piktori i shquar
Piktura 500-vjeçare e piktorit Raphael doli të jetë pjesërisht vepër e një artisti tjetër. Këto janë të dhënat e një studimi të ri. Ekipi i udhëhequr nga shkencëtarë nga Universiteti i Bradfordit në Angli ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të përcaktuar se fytyra e Jozefit në “Madonna della Rosa” (“Madona e Trëndafilit”) ishte pikturuar nga dikush tjetër përveç mjeshtrit të Renesancës.
Raphaeli është një nga mjeshtrit më të njohur të Renesancës dhe jetoi prej vitit 1483 deri në 1520. Italiani është më i njohur për veprat si “Shkolla e Athinës” dhe “Three Graces”.
Hassan Ugail, drejtor i Qendrës për Sisteme Inteligjente në Universitetin e Bradfordit, i ka thënë CNN-it të enjten se ai kishte zhvilluar një algoritëm për të njohur pikturat e vërteta të Raphael, me marzhën e saktësisë 98 për qind. Algoritmi analizon 4000 parametra të tillë si lëvizjet e penelit, gamën e ngjyrave dhe nuancat për të përcaktuar nëse një pikturë është një vepër vërtetë e Raphaelit, ka shpjeguar Ugail.
“Madonna della Rosa”, e cila ekspozohet në Museo del Prado në Madrid, ka qenë prej kohësh objekt debati, ka thënë në një deklaratë për media, bashkautori i studimit Howell Edwards, profesor emeritus i spektroskopisë molekulare në Universitetin e Bradfordit.
“Disa njohës e konsiderojnë cilësinë e kompozimit dhe pikturës për Madonan, fëmijën dhe Shën Gjonin si shumë më të madhe sesa atë të Shën Jozefit, për të cilin ata mendojnë se është shtuar në punëtori me një ndërhyrje të mëvonshme”, ka thënë Edwards.
“Analiza e programit të Inteligjencës Artificiale ka treguar përfundimisht se derisa tri figurat – të Madonës, Krishtit dhe Shën Gjon Pagëzorit – janë pikturuar pa mëdyshje nga Raphaeli, ajo e Shën Jozefit nuk është, është pikturuar nga dikush tjetër” ka shtuar Edwards.
Algoritmi bazohet në kërkimet e mëparshme që zbuluan se një pikturë e njohur si “de Brécy Tondo” ka mundësi të jetë një vepër e Raphaelit, duke kundërshtuar disa historianë arti që thanë se piktura ishte një kopje e bërë në shekullin XIX.
Gjetjet ngjallën kritika nga disa historianë arti, të cilët Ugail ka thënë se ishin “pak kundërshtues” të hulumtimit.
“Unë u befasova pak”, ka thënë ai, duke shpjeguar se algoritmi analizoi detaje që janë përtej aftësive të syrit të njeriut.
“Do të jetë shumë, shumë e vështirë, pavarësisht se sa i mirë është dikush, të futemi në atë nivel detajesh dhe të krijohet diçka e tillë”, ka thënë Ugail për CNN.
Debati rreth “de Brécy Tondo” ushqehet me diskutime më të gjera rreth rolit të Inteligjencës Artificiale në vërtetimin e origjinalitetit të veprave të artit, të cilin Ugail e sheh si kompliment me format e tjera të analizës, të tilla si kërkimi i origjinës së një vepre.
“Ky është vetëm një mjet tjetër”, ka thënë Ugail, i cili ka theksuar se algoritmi mund të përdoret për të përcaktuar nëse një vepër arti misterioze meriton hetim të mëtejshëm.
“Kjo është një mënyrë shumë e shpejtë për të provuar nëse duhet parë më thellë në një pikturë”, ka thënë ai.
Ugail planifikon të zhvillojë një algoritëm të aftë për të njohur veprat e artistëve të tjerë, që ai thotë se do të sjellë shkencën në vërtetimin e artit.
“Potenciali për këtë lloj mjeti është i madh”, ka thënë ai.
Një punim për veprën i rishikuar nga kolegët u botua të enjten në revistën “Heritage Science”.
Marrë nga CNN-i. Përktheu: Enis Bytyqi