Kulturë

Institucionet zotohen për rindërtimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Për rastin që dyshohet të jetë zjarrvënie, institucionet qendrore e lokale kanë thënë se objekti do të rindërtohet me destinim të njëjtë. Për objektin pa mbikëqyrje e të vandalizuar, institucionet qendrore e lokale janë zotuar për restaurim e përkujdesje tek pas djegies së tij. Muzeu i Muzikës në Gjakovë u përfshi nga flakët të mërkurën

Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i destinuar për të ekspozuar eksponate të muzikës shqipe, tashmë ka mbetur veç një gërmadhë. Kjo, pas asaj që dyshohet të jetë zjarrvënie. Për objektin pa mbikëqyrje e të vandalizuar, institucionet qendrore e lokale janë zotuar për restaurim e përkujdesje tek pas djegies së tij. Rrënojat e tij tashmë janë kthyer me rrezik për kalimtarët në atë pjesë.

Pjesa e përparme e Muzeut me material prej druri në katin përdhes dhe të sipërm ka rënë pjesërisht derisa sipërfaqja tjetër e paqëndrueshme ka bërë që shpesh të bien pjesë të materialit edhe gjatë së enjtes. Pjesët e mëdha të zeza të krijuara prej tymit në muret e veshura me gurë që kanë depërtuar prej dritareve kanë qenë shenjat e “jehonës” së zjarrit.

Hapësira e gjerë e krejt katit përdhes për një kohë të gjatë kishte shërbyer si njëfarë depoje e inventarit të asaj që do të shërbente si kafene.

Prapa kamerave banorët e Gjakovës kanë thënë se brenda ambientit të saj kishin qasje persona të ndryshëm dhe se mes funksionesh të tjera. Muzeu ka qenë edhe strehim për disa persona. Mes tollovisë përreth objektit, aty janë gjetur edhe jorganë.

Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e objektit, një pjesë e murit të Muzeut ishte thyer plotësisht. Nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme.

Nga Stacioni Policor në Gjakovë rastin e kanë cilësuar si zjarrvënie dhe kanë thënë se hetimet po vazhdojnë.

“Më datë 30.8.2023, rreth orës 18:30, Stacioni Policor në Gjakovë ka pranuar informatën se Muzeu i vjetër i Muzikës është kapluar nga zjarri. Patrullat policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, rasti është zjarrvënie, i cili tani po hetohet nga hetuesit rajonalë”, ka thënë Mërgime Dobra, kapitene në Policinë e Gjakovës.

Ministria e Kulturës të enjten ka bërë të ditur se janë dakorduar që të ndërmarrin masa pas djegies së objektit. Në njoftim përmendet “zbatimi i masave emergjente, vlerësimi i dëmeve, procedimi i shpejtë për ndërhyrje dhe implementimi i punëve për konservimin, restaurimin dhe funksionalizimin e ndërtesës”.

Muzeut të Muzikës, të njohur edhe si “Tabhonja”, ia kishte dhënë statusin “Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje”. Nga Ministria thuhet se kanë marrë masat që Muzeu të mbrohet nga rreziku i mëtejmë dhe se kanë ndarë buxhet për ndërhyrje restauruese.

“Lidhur me gjendjen dhe evitimin e rreziqeve nga kanosjet evidente të kësaj ndërtese me status ‘Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje’, në muajin prill 2023, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka realizuar inspektimin dhe ka dhënë rekomandimet për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse. Në kuadër të buxhetit për investime kapitale, MKRS ka ndarë buxhet për ndërhyrje restauruese në këtë monument”, thuhet në njoftimin e së enjtes.

Edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, të mërkurën në një bisedë për KOHËN është zotuar se Muzeu do të rindërtohet. “Sipas projektit që ekziston do ta buxhetojmë shpejt dhe do ta rindërtojmë ndërtesën me të njëjtin destinim”, ka thënë Gjini. Të enjten punonjësit në Komunë kanë thënë se kryetari nuk do t’u prononcohet mediave derisa nuk ka qenë i qasshëm as nëpërmjet telefonatave.

Për djegien e Muzeut kanë reaguar degët e partive politike në Gjakovë. Partia Alternative, e cila udhëhiqte Gjakovën kur objekti ishte inauguruar, ka shkruar se gjatë asaj kohe objekti ishte nën mbrojtje dhe kishte rëndësi të veçantë. Në reagim shkruhet se “Komuna nuk e ka as interesimin dhe as kapacitetin të ruajë dhe të mbledhë artefaktet muzikore”.

“Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por, kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe ta ruajë Muzeun, dihet. Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, shkruhet në reagimin e Partisë Alternative.

Në lidhje me zjarrvënien e Muzeut të Muzikës, të enjten ka reaguar edhe Dega e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tyre, nën udhëheqjen e qeverisjes aktuale në Gjakovë po shkatërrohen çdo ditë objektet e trashëgimisë kulturore në këtë komunë. “Gjatë kësaj qeverisjeje lokale çdo ditë e më shumë po shkatërrohen objektet e trashëgimisë kulturore në Gjakovë, siç janë: Muzeu i Muzikës, Kroi i Rexhep Agës, Kulla e Sylejman Vokshit, Mejtepi Ruzhdie, Zhdukja e Krojeve të vjetra të qytetit, Çarshia e Vjetër, Muzeu i Historisë”, shkruhet në reagimin e tyre në Facebook.

Në lidhje me ngjarjen ka shkruar edhe akademiku e kompozitori Vasil Tole. “Ndërtesa e të vetmit muze kushtuar muzikës dhe instrumenteve muzikore në gjithë hapësirën shqiptare u dogj dje në Gjakovë! Humbasin vlera të parikthyeshme. Muzeu i ri, ashtu si feniksi, duhet të ringrihet nga hiri”, ka shkruar ai.

Historia e shkatërrimit të ndërtesës nuk është e re. Objekti më parë u ka bërë vend veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”. Kur ishte ndërtuar në vitin 2012 nga Ministria e Kulturës, qëllimi ishte të shndërrohej në muze të muzikës popullore.

Në janar të këtij viti KOHA kishte raportuar për gjendjen e rëndë brenda objektit. Inventar të dëmtuar, mbeturina e mure të shkarravitura krijonin katrahurë e tollovi brenda institucionit kulturor.

I inauguruar shtatë vjet më parë, Muzeun e Muzikës në Gjakovë si institucion deri vonë e shënjonte vetëm pianoja e akademik Rauf Dhomit me të cilën ishte kompozuar opera e parë e Kosovës “Goca e Kaçanikut”. Një pjesë e historisë së muzikës në vend varej nga ky muze. Sipas institucioneve, ajo ishte zhvendosur në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova”.