Nuk është bërë as një dekadë prej se u inaugurua i rindërtuar, kurrë nuk qe funksional ashtu siç quhej, pesë muaj më parë u bë shkrumb, e tash shteti do të derdhë mbi 400 mijë euro për rindërtimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë. Kaq është parashikuar me tender e ata që merren me trashëgimi kulturore kritikojnë qasjen. Rindërtimi po bëhet pa hapat paraprakë që të sigurojnë funksionalizimin e institucionit
Pesë muaj pas djegies së tërësishme të Muzeut të Muzikës në Gjakovë shteti ia ka mësyrë rindërtimit të tij. Nëpërmjet procedurës të hapur tenderimi, Ministria e Kulturës me vlerë të parashikuar prej 406 mijë e 600 eurosh synon që ta rindërtojë Muzeun që ishte jofunksional edhe pa u djegur. Zotime për rindërtim kishte pasur menjëherë pas djegies në mbrëmjen e 30 gushtit të vitit të kaluar, si nga pushteti lokal ashtu edhe nga ai qendror.
Ndërtesën e rindërtuar më 2012 zjarri e kishte kapluar në çdo cep, përderisa shteti do ta bëjë edhe një rindërtim, të paktën sipas planeve.
Paraprakisht në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës kishte nisur punime emergjente në monumentin që njihet si “Tabhane”. Asokohe institucioni kishte njoftuar se në fazën e parë parashiheshin punimet e masave të sigurisë, si parakusht për vazhdimin e procedurave të tjera.
“Do të vazhdohet me projektin e restaurimit për ta kthyer këtë aset të çmueshëm në gjendjen e mëparshme. Beteja jonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalet. Muzeu i Muzikës në Gjakovë do të funksionalizohet dhe do t’i kthehet komunitetit”, shkruhej në njoftimin e MKRS-së.
Nëpërmjet procedurës së prokurimit me titull “Rindërtimi i Objektit - Tabhanja Gjakovë” të hapur në dhjetor, MKRS-ja planifikon ta kthejë ndërtesën. Por një gjë e tillë për ata që merren në baza ditore me trashëgiminë kulturore nuk mjafton.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova) ka thënë se është me shumë rëndësi që të trajtohet institucioni e jo ndërtesa. Sipas tij, ndërtesa duhet të jetë në plan të dytë.
“Pra, a kemi a s’kemi Muze të Muzikës në Gjakovë? Muze si institucion, me akt themelimi, staf, plan menaxhimi e ekspozitë”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, shpesh është huqje qasja e koncentrimit te ndërtesat.
“Nëse hyjmë në histori edhe një sherë janë dhënë mjetet për ndërtesë. Në njëfarë mënyre po i përsërisim gabimet e njëjta. A është ulur Ministria e Kulturës ta bëjë një plan për menaxhimin e institucionit? Kjo për mua është pyetja themelore e krejt këtij procesi”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndërtimi i atij objekti para më shumë se një dekade madje nuk dihej se a ishte bërë në lokacionin e njëjtë ku ka ekzistuar “Tabhanja”.
“Në fillim kur është nisur a është nisur për institucion? Kjo është pyetja që do të doja të kishte përgjigje. Sfiduese është të kemi institucion pasi ndërtesa bëjmë lehtë”, ka thënë Shoshi.
Relialisht institucion aty nuk ka pasur asnjëherë.
Ndërtesa që gjendet në qendër të Gjakovës, e njohur ndryshe edhe si “Tabhane”, qe inauguruar në vitin 2016. Asokohe ishte menduar që kati përdhes t’i jepej në shfrytëzim ndonjë sipërmarrësi në këmbim që poseduesi i biznesit të kompensonte mirëmbajtjen e Muzeut. Sipas kryetarit aktual të Gjakovës, Ardian Gjini, deri në vitin 2017 ka funksionuar një sipërmarrës dhe të njëjtit i është ndërprerë kontrata në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari.
“Prej 2019-s kemi dështu ta japim me qira. Më 2022 e kemi dhënë në shfrytëzim, por operatori ka dështuar ta hapë dhe i është shkëputur kontrata. Ka shkuar me procedurë përmbarimore”, kishte sqaruar ai për KOHËN në ditën e djegies së monumentit.
Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës i inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve qysh në janar të vitit të kaluar ishte buzë demolimit të tërësishëm në hapësirat e brendshme. Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara e shkallët e papërfunduara ishin pamjet që e karakterizonin Muzeun. Në objektin që më parë u ka bërë strehë veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, mund të shihej një katrahurë, tollovi e bërllok.
Gjendje më e mirë nuk është as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës. Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e këtij objekti një pjesë e murit të Muzeut ishte thyer plotësisht dhe kështu nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme.
Në vitin 2012, objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.
Për këtë vandalizëm dhe shkatërrim të objektit të Muzeut të Muzikës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë kishte bërë dy shkresa.
Në shkresën e vitit 2021 përshkruhet në detaje gjendja e ndërtesës pas vandalizimit. Për disa nga eksponatet e këtij muzeu ishte kujdesuar Muzeu Etnografik i Gjakovës. Megjithatë, për shkak të vështirësive në bartje pianoja kishte mbetur në mëshirë të fatit. Pianoja e akademik Rauf Dhomit, me të cilën kishte kompozuar operën e parë në Kosovë, “Goca e Kaçanikut” – që pritet të inskenohet këtë vit – ishte bartur copë-copë për në Shkollën e Muzikës pak para djegies. Nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik ishin bartur dy kontrabasë, një fagot dhe disa fotografi, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, qenë vendosur brenda një pakoje. Disa nga objektet, siç është sharkia e Ymer Rizës, ishin marrë nga familjet e artistëve pasi kishin parë që shteti nuk po arrinte ta mbante funksional Muzeun.