Një det i tërë me skulptura ngjyrë portokalli prej argjile janë shtrirë aq sa mund të shohë syri. Në mes të kësaj vepre të pazakonshme arti është një vezë gjigante bronzi me një vrimë.
Nga një distancë e largët, ky instalacion arti mund të duket sikur tepih. Por shikuar prej afër, shpalosen qindra mijëra skulptura të vogla, të ndara nga njëra-tjetra. Ato simbolizojnë figura që vajtojnë për të vdekurit, e që përkulen nën pikëllim të humbjes së dikujt, transmeton “Koha Ditore”. Ato bartin etiketa metali, në të cilat janë gdhendur emrat e viktimave, duke ngjasuar e përkujtuar pllakat metalike identifikuese të ushtarëve.
Në një total prej 600 mijë skulpturash të realizuara me argjilë, qyteti belg Ieper - ky është emri zyrtar i qytetit, por më së shumti quhet Ypres në anglisht - nderon dhe bën homazhe për viktimat e Luftës së Parë Botërore, që kishin vdekur aty.
Artisti belg, Koen Vanmechelen, e ka titulluar instalacionin e tij monumental “ComingWorldRemeberMe” (Botë e ardhshme, kujtomë mua), shkruan DW, përcjell “Koha Ditore”.. Kjo vepër është vetëm një prej projekteve të shumta artistike e kulturore, nëpërmjet të cilave Belgjika dëshiron t’i nderojë viktimat e Luftës së Parë Botërore në 100-vjetorin e përfundimit të saj.
Vanmechelenit i janë dashur fiks katër vjet që ta përfundojë punën dhe dhjetëra mijëra njerëz e kanë mbështetur atë gjatë realizimit. Studio arti nëpër qytete të ndryshme kanë marrë pjesë për realizimin e kësaj vepre, gjatë periudhës ndërmjet viteve 2014 dhe 2018.
Të gdhendur nëpër pllaka metali nuk janë vetëm emrat e të vdekurve, por gjithashtu edhe emrat e atyre që i kanë dhënë formë secilës skulpturë prej argjile. Kësisoj, e kaluara lidhet me të tashmen, thotë Vanmechelen.
“E ardhmja varet në ringjalljen e kujtimeve të harruara”, thotë ai.
Në pikëvështrimin e këtij artisti gjeneratat e ditëve të sotme nuk e dinë saktësisht se çfarë do të thotë lufta.
Ky instalacion gjigant artistik është i vendosur në një ish-fushëbetejë ku forcat britanike dhe ato franceze kishin luftuar kundër trupave gjermane ndërmjet viteve 1914 dhe 1918. Ishte pikërisht këtu vendi ku gazi helmues ishte përdorur për të parën herë. Më 22 prill të vitit 1915, ushtria gjermane kishte urdhëruar edhe përdorimin e gazit të klorit.
Memorialë të shumtë, varreza ushtarësh dhe muzeu “Flanders Fields Museum” ia përkujtojnë botës të gjitha tmerret që i kishin përjetuar njerëzit në këtë vend. Prej aty janë mbledhur emrat e të gjitha viktimave.
Rreth 5 mijë njerëz kanë ndihmuar për ta instaluar këtë vepër arti, që shtrihet në më shumë se dy hektarë. Njerëzit mund ta vizitojnë këtë instalacion deri më 11 të muajit nëntor të këtij viti, datë kjo që shënon përvjetorin e 100-të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Duke kujtuar “Luftën e Madhe”, Belgjika dëshiron që të ndihmojë në parandalimin e luftërave të ardhshme. Të tjera instalacione dhe veprime të tjera artistike janë planifikuar për sivjet, përfshirë edhe një zinxhir të gjatë 27 kilometra të 6 mijë anijeve të vogla, që bartin mesazhe paqeje nëpër gjirin belg. Po ashtu, edhe festivali i muzikës “Peace in the World” (Paqe në botë) do të mbahet në qytetin Ypres, më 25 gusht të këtij viti.