Pandemia e koronavirusit ka muaj që dikton përditshmërinë dhe s’është për t’u habitur se si korona është temë e shumë barsoletave që kanë pushtuar internetin, apo që përcillen gojarisht. Studiuesit gjermanë njohin një zhanër të ri: korona-humorin
(Deutsche Welle) – Humori në kohë krizash bëhet edhe më i rëndësishëm sesa në situata normale. Barsoletat në llogari të letrës së tualetit, punës prej shtëpisë e maskave mbrojtëse, janë të shumta. Por, ka gjëra me të cilat s’bëhet shaka.
Dy dinozaurë këqyrin se si meteori me alamet shpejtësie i afrohet Tokës, e njëri prej tyre thotë: “Vrap, na duhet të blejmë edhe më letër tualeti”. Letra e tualetit, qysh prej mbylljes në pranverë, kur një numër jo i vogël njerëzish u frikësuan se do të mbeten pa këtë artikull higjienik, ka qenë në shënjestër të shumë humoristëve e satiristëve.
MST: Korona-humori
Në kohë krizash, roli i humorit, veçmas i humorit të zi, është fort i madh. “Humori grish një lloj lehtësimi emocional, distancim prej problemit. Kësisoj përballemi më mirë me gajlet e me frikën”, ka thënë Eva Ullmann, themeluese dhe udhëheqëse e Institutit Gjerman të Humorit.
Pandemia e koronavirusit ka muaj që dikton përditshmërinë dhe s’është për t’u habitur se si korona është temë e shumë barsoletave që kanë pushtuar internetin, apo që përcillen gojarisht.
Si autore, Ullmann, në librin e saj të ri “Humori është çështje serioze”, ka sjellë një zhanër të ri humori: korona-humori.
Krizat serioze më së miri përballohen me humor të zi. Nëpër rrjete sociale ditëve të fundit është shpërndarë gjithandej një karikaturë e cila parqet shoferin e ndihmës së shpejtë, i cili para se të arrijë te pacienti thotë: “Falë Zotit, më në fund infarkt. U bë boll me koronë”. Një kompani vjeneze e funeraleve në mënyrë unike është përfshirë në korona-humor kur ka shpërndarë falas maska mbrojtëse, në të cilat shkruhej: “Mohimi i virusit na i bën të sigurta vendet e punës”.
Përparësitë dhe mangësitë e humorit të zi
Për Tabea Scheelin nga Universiteti i Flensburgut, ky lloj humori i zi bën pjesë në llojin agresiv me të cilin përqeshen jo vetëm ata që e mohojnë pandeminë (shembulli më popullor “Covidiotët”), por edhe politikanët. Por pikërisht ky lloj është i rëndësishëm në kohë krizash. “Thërret për distancim dhe e bën situatën më të përballueshme”, ka thënë Scheel. Ajo ka shpjeguar se krizat si kjo e tanishmja njerëzve ua japin ndjesinë e pafuqisë.
“Humori i zi agresiv mund të japë ndjesinë e ndikimit në zhvillimin e situatës”, ka thënë studiuesja e humorit.
Në anën e kundërt të këtij humori është ai që i lidh njerëzit si puna e barsoletës për letrën e tualetit. “Humori social është pozitiv dhe i afron njerëzit të cilët qeshin bashkë, e që ka shumë rëndësi në këtë kohë izolimi e kontaktesh të kufizuara”, ka thënë Scheel.
Por, të dyja studiueset pajtohen në një pikë: humori në kohën e koronavirusit është i rëndësishëm, por atij nuk i lejohet çdo gjë.
“Është problematike kur etablohen barsoleta të cilat shënjojnë një grup njerëzish siç qe rasti në fillim të pandemisë kur vërshuan barsoleta në llogari të të moshuarve, apo grupeve etnike”. Shembulli: “Koronavirusi është si makaronat: kinezët e prodhuan, italianët e shpërndanë”.
Humori i rrezikshëm
Eva Ullmann veçmas të rrezikshme i konsideron barsoletat që mbështesin gënjeshtrat për pandeminë. “Humori i bazuar në gënjeshtra nuk i ndihmon përmirësimit të situatës. Krahas gënjeshtrave të bollshme, nuk na duhen edhe barsoletat që i përhapin”, ka thënë Ullmann.
Bindje të njëjtë ka edhe Peter Wittkamp, njëri prej autorëve kryesorë të serisë satirike “Heute Show” të transmetuesit publik ZDF. Në ueb-faqen “Übermedien”, ai u ka bërë thirrje autorëve të lirë që me barsoletat e tyre të mos i japin hov shpërndarjes së panikut, gënjeshtrave. “Barsoletat me të sëmurë apo me vuajtjen e tjetrit janë tabu”, ka thënë Wittkamp.
Humori e lehtëson përballjen me krizën, por nuk është i gjithëfuqishëm. “Ka njerëz në karantinë me fëmijë të vegjël, e të tjerë në trajtim intensiv. Ata me siguri që s’janë në qejf për barsoleta”, ka përfunduar Tabea Scheel.