Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kohavisionin, të dielën, prej orës 20:30, sjellin premierën televizive të filmit “Home Sweet Home”, nën regji të Faton Bajraktarit.
Në rolet kryesore, në filmin me skenar të Zymber Kelmendit, luajnë aktori kosovar Donat Qosja dhe aktorja Arta Muçaj. Në role të tjera paraqiten Shkumbin Istrefi, Lea Qosja e Albin Bajraktari. “Home Sweet Home” sjell rrëfimin e Agronit (portretizuar nga Qosja) i cili zhduket gjatë luftës. Kjo bën që miqtë dhe familjarët të supozojnë se ai kishte vdekur.
Një natë Agroni, ish-luftëtar i UÇK-së, papritmas kthehet në shtëpi dhe familja e tij tronditet duke pasur parasysh se e kishin ditur për të vdekur. Si do t'u tregojnë të tjerëve për kthimin e tij? Shumë projekte janë ndërmarrë në fshat në emrin e “vdekjes heroike” të Agronit dhe nëse ai shfaqet i gjallë do të krijojë shumë probleme për përfituesit e projekteve.
Përveç të tjerash, familja e tij prej kohësh merr edhe ndihmë financiare si familje e një dëshmori dhe tashmë ka krijuar reputacion në shoqëri në bazë të rënies dhe sakrificës së kryefamiljarit. Kështu Agroni vihet përpara dy rrugëve, ose të paraqitet në publik dhe gjithçka të kthehet prapa, ose të presë që projektet e nisura në emrin e tij të mbarojnë.
“Home Sweet Home” është filmi i tretë i cili vjen si premierën televizive në KTV në kuadër të transmetimeve të filmave vendorë në televizion në bashkëpunim me QKK-në.