“Home is where the films are” i regjisores More Raça po vazhdon rrugëtimin nëpër programe ndërkombëtare dhe ka marrë çmimin special në programin “DunaDoc”, që përkrahet nga kanali televiziv “HBO Europa” dhe nga programi “Fast Forward Program” i Qendrës së Filmit në Hungari. Çmimi “Documentary Association of Europe” është një mundësi për të bashkëpunuar me profesionistë dhe promovuar filmin, i cili është në fazën e zhvillimit dhe dokumenton një histori goxha intriguese. Pas 20 vjetëve disa fëmijë tashmë të rritur vihen në kërkim të filmbërësve amerikanë. Synimi i tyre është që t’i gjejnë njerëzit që i kanë vënë në kontakt me kinematografinë gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur qëndronin në kampin e Stenkovecit të Maqedonisë së Veriut.
Programi “DunaDoc” është një forum profesional për dokumentarë kreativë, që është themeluar në vitin 2013 nga pesë regjisore e producentë hungarezë. Qëllimi i tij është krijimi i lidhjeve në mes të filmbërësve dhe audiencës hungareze me industrinë ndërkombëtare të filmave ndërkombëtarë. Seria e tyre e masterklasave është një mundësi për të diskutuar për projekte, për të grumbulluar fonde dhe marrë mbështetje gjatë procesit të realizimit si në aspektin financiar ashtu edhe atë kreativ.
Regjisorja More Raça ka thënë se ky çmim është një mundësi e mirë për bashkëpunime dhe një mundësi që filmi i saj të arrijë te një audiencë më e gjerë në të ardhmen.
“Stimulim dhe mbështetje e madhe prej një instituti shumë të rëndësishëm, që do të mbështetë në vazhdimësi zhvillimin e këtij projekti filmik. Do të thotë që edhe pas realizimit projekti do të ketë mbështetje për distribuim në festivale të njohura botërore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ky çmim do t’i ndihmojë edhe në realizimin e projektit pasi që vazhdimisht gjatë procesit, por edhe më pas, në kohën e distribuimit, mund të ketë konsultime të vazhdueshme me austriaken Brigid O'Shea, një nga themelueset e “Documentary Association of Europe” (DAE), e cila ka punuar me festivale të ndryshme të filmit dokumentar që nga viti 2008.
Asociacioni i pavarur “DAE”, themeluar në shkurt të këtij viti në Berlinale. Qëllimi i themeluesve mbetet, mbushja e zbrazëtive duke u dhënë më shumë hapësira dokumentarëve të cilët, sipas tyre, si asnjëherë më parë janë kthyer në projekte emocionuese dhe kreative. Programi “DunaDoc” mbështetet nga “HBO Europe”, kanali televiziv pjesë e kompanisë mediale të njohur amerikane “Home Box Office” (HBO), e themeluar më 8 nëntor të vitit 1972, ndërsa programi “Fast Forward Program” i themeluar nga Qendra e Filmit në Hungari është një iniciativë që përmes punëtorive dhe ligjëratave të bëjë bashkë kineastët e rinj, si dhe të ftojë mentorë e profesionistë nga e gjithë bota që t’i shpalosin eksperiencat e tyre para hungarezëve.
Regjisorja kosovare, More Raça, ka thënë se tashmë si rezultat i çmimit “Documentary Association of Europe”, ka filluar që të ketë interesim nga televizione dhe platforma të ndryshme të njohura. Duke mos treguar me emra, për KOHËN ka bërë të ditur se xhirimet e dokumentarit do të fillojnë në mesin e vitit 2021.
Ka shtuar se dokumentari 80-minutësh flet për jetën e një familjeje kosovare gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe për kohën e kaluar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Ka thënë se ngjarja fokusohet te fëmijët, të cilët në kampin e njohur Stankovec të Maqedonisë kanë shikuar filma në çarçafin e madh të vendosur nga filmbërës amerikanë. “Pas 20 vjetëve, fëmijët refugjatë tashmë të rritur kërkojnë t’i takojnë filmbërësit amerikanë që ua sollën filmin në kamp”, ka thënë ajo.
“Home is where the films are” në muajin prill ka marrë pjesë në “East and West Talents Lab”, ku është shpërblyer me çmimin kryesor, grantin për hulumtim. Në maj, i njëjti dokumentar ishte në mesin e projekteve të përzgjedhura nga “CEDOC Market 2020”, që realizohet nga programi “Doc Lab Poland” e që organizohet nga “Krakow Film Festival”. Po ashtu, ishte në mesin e projektit observues në “EX Oriente Film” në Çeki, program ky që ofron mundësi zhvillimi gjatë gjithë vitit dhe në shtator ishte në garë edhe për katër çmime në forumin prestigjioz të kinematografisë, “Baltic Sea Docs Forum”.
Raça është e njohur për filmat e shkurtër “Ajo” (2018), “Home” (2016) dhe Amel (2013). Me filmin debutues të metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”, ishte në garën në kategorinë kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë që u mbajt nga data 14 deri më 21 gusht, ku triumfoi “Exili” nën regji të Visar Morinës që u bë i pari regjisor kosovar që mori “Zemrën e Sarajevës”, çmimin për filmin më të mirë.