Kulturë

“Haveit” reagon me posterin që vjen si thirrje për revoltë

Kolektivi “Haveit” ka shfaqur revoltën ndaj gjuhës seksiste dhe vrasjeve të fundit të grave në Kosovë e Shqipëri. Këtë e kanë bërë në mesditën e së dielës, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Në faqen e tyre kanë publikuar një poster të shoqëruar me përshkrimin “Urime 8 Marsi!”. Kaq u ka mjaftuar. Aty, vajzat e “Haveit” - Arbërore Sylaj, Alketa Sylaj, Hana Qena dhe Vesa Qena - janë në kuzhinë dhe kanë marrë thika e sëpata në duar, të gatshme për një revoltë. “Djallëzuar me mprehtësinë e britmave të ngujuara brenda vetes. Gati...” është përshkrimi në poster. Kolektivi i njohur për reagimet e tyre artistike me të cilat vazhdojnë të godasin realitetin, kanë zgjedhur që fotografinë për këtë poster ta realizojnë në kuzhinë. E kjo vjen si reagim ndaj thënies së moçme “Gratë e kanë vendin në kuzhinë”.

Hana Qena ka treguar se posteri i publikuar për 8 mars vjen si thirrje për të qenë më mendjehapur dhe gati për revoltë.

“Është reagim ndaj vrasjeve të fundit dhe gjuhës seksiste në Kosovë e Shqipëri. Jemi inspiruar nga posterët dhe ofertat e organizimeve të ‘8 Marsit’ që bëjnë lokalet e ndryshme. Në këtë festë, që organizohet vit për vit dhe posteret ndahen nëpër qytet, posteri ynë është si thirrje për të qenë më mendjehapur dhe me qenë gati për revoltë”, ka thënë Qena.

E artistja Lola Sylaj ka kujtuar se për çdo 8 Mars kanë sjellë performanca të ndryshme artistike. “Të gjitha ato çështje janë akoma të rëndësishme dhe lidhen me 8 Mars”, ka thënë Sylaj.

“Haveit” është një grup, i cili që nga viti 2011 ka prekur tema të tilla sociale dhe njihen për mënyrën e tyre të performancave, që nuk janë të zakonshme për shoqërinë kosovare. 

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)