“Më lëni që të sqarohem”, thotë profesori. “Nuk keni se çfarë të sqaroni edhe ashtu ju brenda jush do ta harroni Hollywoodin, e unë do t’ju harroj juve”, i kthehet studenti i tij Methju, që arrin ta fitojë audicionin për rol kryesor në një produksion amerikan.
Methju kishte ndjekur mësime private për të kaluar provimin pranues si aktor tek profesori, i cili ani pse ishte dashur që ta ndihmonte, kishte qenë ai që e kishte sabotuar. Sipas profesorit, studentët e mirë janë një kërcënim për ta. Ishte siguruar që edhe shtatë studentë të tjerë përveç Methjusë – të cilëve u kishte marrë para për t’i përgatitur – që të mos e kalonin provimin.
Mirëpo kur produksioni amerikan vjen në Kroaci, ku zhvillohet shfaqja me tekst të autorit bashkëkohor kroat, Miro Gavran, mësuesi është ai që dështon në audicion. Methju fiton rolin kryesor. Ky është sinopsisi i shkurtër i shfaqjes “Harroje Holivudin” nën regji të Faik Gashit, që u dha premierë të mërkurën mbrëma në teatrin e qytetit të Prishtinës, “Dodona”. Është premiera e parë për këtë vit dhe vjen si kooproduksion midis teatrit dhe aktorit Hazir Haziri që luan profesorin.
Me Besar Zahitin (Methju) patën bashkëpunimin e parë në skenë teatrore, por jo edhe në film. Sollën disa personazhe brenda personazheve të tyre. Të gjitha ishin pjesë e përgatitjeve që bënin për të ndihmuar studentin që ta kalojë provimin pranues, nga i cili kishte rënë disa herë. Aktori Besar Zahiti ka thënë se edhe vetë si student ka hasur në problemet që i ka pasur personazhi i tij, mirëpo nuk kishin qenë aq të theksuara sa janë në shfaqje.
Regjisori Agim Selimi, i cili ka ligjëruar më herët lëndët regji teatri dhe mjeshtri e aktorit e që aktualisht është dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës ka thënë se “Harroje Holivudin” ishte një shfaqje shumë e ngrohtë.
Regjisori Faik Gashi ka thënë se një nga arsyet për ta vënë në skenë këtë shfaqje ishte aktualiteti i tekstit. Sipas tij, Miro Gavran prek tema që e identifikojnë Ballkanin.
Dizajnin e skenës dhe të kostumeve në shfaqjen “Harroje Holivudin” e ka bërë Zeni Ballzhi, pllakati Rrezeart Galica, disenjator i dritave ishte Skender Latifi e mjeshtër i skenës Fadil Bekteshi, Bedri Maloku dhe Albert Gashi. Shfaqja është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Komuna e Prishtinës......(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)