Disenjatorja Hanae Mori, e njohur për motivet e saj elegante me flutura, e fustanin e dasmës së perandoreshës japoneze, ka vdekur në moshën 96-vjeçare.
Mori simbolizonte ngritjen e Japonisë si një komb modern, në modë dhe fuqizimin e gruas punëtore. Sipas zyrës së Hanae Mori, ajo vdiq në shtëpinë e saj në Tokio më 11 gusht, disa ditë pasi kishte pasur ethe të lehta.
Ajo ishte kontrolluar nga një mjek në shtëpinë e saj, por nuk u dha ndonjë shkak specifik i vdekjes.
Perandoresha Masako veshi një fustan martese nga Hanae Mori, modelin e stolisur me petale trëndafili kur u martua me perandorin Naruhito në vitin 1993, që atë kohë ishte princ i kurorës.
Mori gjithashtu kishte dizajnuar uniformat për stjuardesat e “Japan Airlines”, nëpunësit e bankave, nxënësit e shkollave të mesme dhe ekipin japonez në Lojërat Olimpike të mbajtura në Barcelonë.
Uniformat nuk ishin spektakolare si dizajnet e saj në pistë, por me shije profesionale e të përshtatshme për pozitat e tyre.
Me moton e saj “Ti ndihesh mirë, pavarësisht se ku në botë i vesh ato”, Mori donte t'u jepte vetëbesim dhe dinjitet atyre që mbanin dizajnet e saj.
Ombrellat dhe shallet e saj, shpesh të zbukuruara me flutura shumëngjyrëshe, ishin një simbolikë për statusin e grave që punojnë.
Ajo kishte hapur studion e saj në vitin 1951 dhe ishte pioniere e një brezi stilistësh që u bënë të shquar në botë. Prezantimi i saj i parë në New York në vitin 1965 u vlerësua si “Takimi i Lindjes me Perëndimin”.
Më pas hapi studion edhe në Paris në vitin 1977 dhe ndërtoi një biznes ndërkombëtar që shtrihej në parfume, çanta dhe botime për modë.
Kostumet që ka punuar për këngëtarin Hibari Misora janë gjithashtu të njohur për adhuruesit e modës.
Ajo gjithashtu kishte dizajnuar për operën, duke përfshirë "Madame Butterfly" në Milano në 1985 dhe teatrin Noh. Në vitin 2002 asaj iu dha dekorata e “Legjionit të Nderit” nga Qeveria franceze.
Ceremonia e varrimit u mbajt në mesin e familjarëve. Mund të mbahet një ceremoni përkujtimore publike, por ende nuk ka detaje specifike.