Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hallka më e fortë” këput heshtjen e përdhunimeve në luftë

Hallka

Derisa njëzet gra flasin në këtë libër, margjinat e turpit të padrejtë zhvendosen në qendër të kujtesës e të dhimbjes kolektive. Ashtu siç ngjau në ngjarjen e së enjtes mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kur emocionet u shprehën në lot derisa mozaiku i tregimeve u interpretua nga aktorja Rebeka Qena

Rrëfimet e njëzet grave të përdhunuara në luftë bashkohen në librin “Hallka më e fortë”, e një vepër si jo nuk ka vetëm peshën e dokumentimit: është thyerje e heshtjes nga ata zëra të cilët, pos krimit ndaj tyre, u përballën edhe me krimin e radhës: stigmatizimin edhe prej familjarëve. “Më mirë të kishe vdekur...”, ishte fjalia që shumë të mbijetuara të dhunimit e dëgjuan nga familjet e tyre “Hallka...” nga Anna di Lellio dhe Gerantina Kraja është edhe formë rezistence e kërkim përgjegjësie

Përtej një botimi, “Hallka më e fortë: një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë” është akt kujtese, dëshmi e thirrje e fuqishme për drejtësi. Në shoqërinë ku trauma e mijëra grave të përdhunuara mbetet e heshtur, vepra e Anna di Lellios dhe Garentina Krajës shndërrohet në jehonë të mijëra zërave të shtypur duke i dhënë fjalë dhimbjes kolektive që për vite të tëra ka qëndruar nën hije.

Libri – i botuar deri më tash vetëm në anglisht me titullin “The Strongest Link: An Oral History of Wartime Rape Survivors in Kosovo” – është i rëndësishëm fillimisht për faktin se thyen heshtjen e mijërave grave, ndonëse disa prej tyre kanë folur haptazi për krimin. Por janë të pakta në numër. Në prezantimin e veprës është ritheksuar se dhuna seksuale gjatë luftës ishte strategji e qëllimshme për të shkatërruar identitetin e popullit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Derisa njëzet gra flasin në këtë libër, margjinat e turpit të padrejtë zhvendosen në qendër të kujtesës e të dhimbjes kolektive. Ashtu siç ngjau në ngjarjen e së enjtes mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kur emocionet u shprehën në lot derisa mozaiku i tregimeve u interpretua nga aktorja Rebeka Qena. Pa ngjyrime, pa improvizime, pa u pështjellur emocionet me fjalët, ato godisnin fort.

Emocionet kanë qenë të dukshme dhe të qarta nga autoret. Sepse që në fillim u paralajmërua se libri është shumë i vështirë të lexohet. E besa edhe të shkruhet.

Studiuesja Garentina Kraja ka thënë se ka qenë hera e parë që libri është prezantuar në Kosovë. Ka thënë se njëzet gra janë intervistuar midis viteve 2015 deri më 2018.

“Ne jo vetëm që nderojmë të mbijetuarat, por edhe afirmojmë angazhimin tonë kolektiv që të mos heshtim, që të kërkojmë llogaridhënie dhe drejtësi për një krim të llahtarshëm që u krye ndaj tyre. Për librin vizituam njëzet gra në periudhën nga viti 2015 deri më 2018. Libri u botua në qershor të vitit të kaluar. Ruajtëm identitetin e tyre, i identifikuam me emrat më të popullarizuar të gjeneratës së cilës i takojnë”, ka thënë Kraja.

Ajo ka thënë se “Hallka...” e sfidon harresën. Se gratë janë dëshmi e forcës që duke ndarë rrëfimet kanë hapur peshën e tyre të madhe dhe krimin që kërkon drejtësi e llogaridhënie.

“Libri fillon me parashikimin e Sevdije Ahmetit, e cila thotë se lufta e Serbisë në Kosovë u krye ndaj gruas. Dyqind faqet e ardhshme në vazhdim të këtij libri e shpjegojnë si duket në praktikë dhuna ndaj gruas që nuk ishte rastësi, por një politikë e qëllimshme dhe dhunimi si mjet i përzgjedhur. Dhunimet ishin sistematike, të përhapura dhe pjesë e pandarë e krimeve të kryera ndaj popullatës civile për të terrorizuar dhe spastruar etnikisht Kosovën”, ka thënë Kraja.

Në diskutimin për librin janë trajtuar edhe aspekte që ndikojnë në heshtjen e grave. Se si shkollat e ndaluara për gratë nga shoqëritë patriarkale nuk mbesin në kujtesë nga to si periudhë e bukur e jetës, por si strehë ku është shembur e gjithë jeta e tyre.

“Do ta shihni se si derisa represioni serb përshkallëzohet në Kosovë, vendet e sigurta bëhen të pasigurta. Për shembull shkolla, nga një vend që është protagoniste e rrethimit me lumturi, shndërrohet në një të drejtë që mohohet dhe përfundimisht në një kamp përdhunimi”, është shprehur Garentina Kraja, studiuese dhe këshilltare e pavarur për çështje që variojnë nga drejtësia tranzicionale deri tek ekstremizmi i dhunës.

“Hallka...” e sfidon harresën e gratë janë dëshmi e forcës që duke ndarë rrëfimet kanë hapur peshën e tyre të madhe dhe krimin që kërkon drejtësi e llogaridhënie

Ajo ishte këshilltare e ish-presidentes Atifete Jahjaga (2011-2016) mbi çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë. Karrierën e filloi si gazetare duke mbuluar luftën në Kosovë, fillimisht për “Kohën Ditore”, gazetën e parë të pavarur të Kosovës, dhe më vonë si korrespondente për “The Associated Press” për gati një dekadë. Kraja qe një nga gazetaret e para që raportoi mbi shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dokumentoi gjerësisht krimet e luftës në fundvitet ’90.

“Hallka më e fortë: një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”, përtej një përmbledhjeje rrëfimesh është konsideruar edhe si formë rezistence e kërkim për përgjegjësi. Se përmes zërave të grave që guxuan të flasin sfidohet harresa dhe pjesa e historisë që mbetet në margjina.

Sociologia italiane Anna di Lellio, hulumtimet dhe publikimet e së cilës fokusohen në Kosovë, ka treguar se kontaktet me gratë e intervistuara janë ndihmuar nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës. Rëndësi në fjalën e saj i ka kushtuar heshtjes së grave në raport me krimin e kryer ndaj tyre.

“Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve të cilët nuk flasin ose mohojnë krimet e tyre. Ata kurrë nuk duhet të falen. Nga intervista kemi mësuar shumë. Kemi mësuar që heshtja e grave është fenomen shumë kompleks. Kemi mësuar se ka shumë heshtje dhe për çdo heshtje duhet të dimë kontekstin, akterët, origjinën dhe pasojën e saj. I kërkova aktores Rebeka Qena të flasë me zërin e grave në libër për të shpjeguar gjithë këtë”, ka thënë Di Lellio.

Ajo ka bërë me dije se viktimat e përdhunimit u kanë treguar se “pas përdhunimit ishin fizikisht të paafta të flisnin. Kur u bashkuan me familjet, ishin në gjendje shoku”.

Në “Hallka...”, gratë përshkruajnë terrorin e luftës, makthet, mendimet, e madje edhe tentativat për vetëvrasje.

“Disa gra tentuan të vetëvriten... por ne e dimë ketë vetëm sepse dështuan ta bëjnë”, është shprehur sociologia italiane duke shtuar se rrëfimi i shumë grave përfshin një frazë që shfaq dëshpërim të thellë, faj, turp, dhimbje e çka jo tjetër.

“‘Më mirë të kishe vdekur...’, ishte fjalia që shumë të mbijetuara të dhunimit e dëgjuan nga familjet e tyre. Kur nga viktima u kthyen në fajtore. Faktikisht të gjitha ato kanë dëshirë vdekjen dhe kjo nuk është e drejtë, sepse ato nuk janë fajtore”, ka thënë Anna Di Lellio.

Publikimet e fundit të saj kanë të bëjnë me Kosovën. Në mars të vitit të kaluar ka promovuar librin e saj “Jugosllavia u shemb në Trepçë” që u botua në italisht si nevojë e njohjes së Kosovës nga publiku italian, që pak ka njohuri për këtë ngjarje historike. Në shqip u përkthye nga profesoresha Majlinda Bregasi. Vepra e saj ilustron momentet e kthesës së historisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë. Di Lellio ka punuar si këshilltare politike e kryeministrit, si komisionere për Media nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe si analiste hulumtuese dhe këshilltare për programin e riintegrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Diskutimi është moderuar nga studiuesja e sociologia Linda Gusia. Sipas saj, rrëfimet janë fort të përjetuara, aq sa lidhen nyjë me të kaluarën, por edhe nxisin të frymëzojnë për të ndjekur ato.

“Ky libër është i dokumentuar me ndjeshmëri dhe me kujdes të veçantë dhe i shkruar duke përcjellë përvojën e thellë  hulumtuese, vetëdijen e detajuar për ngjarjet përcjellëse politike, historike dhe ato kulturore të Kosovës. Libri me konturat poetike është një zhytje syçelur me ndërthurje të rrëfimeve të përvojave personale të këtyre grave të cilat shpalosin, në mënyrën më tronditëse, strukturat dhe sistemin shtypës të së kaluarës, të rrethanave që çuan në luftë në Kosovë. Është pikërisht kjo ndërthurje që të trondit duke lexuar”, ka thënë Gusia.

Ajo është studiuese feministe dhe sociologe. Gusia është drejtoreshë e Institutit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Hulumtimet e saj janë përqendruar në temat e gjinisë, feminizmit, aktivizmit, hapësirës, kujtesës dhe rezistencës.

Ngjarja është organizuar në kuadër të programit “Në bisedë”, bashkorganizuar nga “Heritage Space” dhe e financuar nga Qeveria suedeze dhe Universiteti i Prishtinës. Diona Budina e angazhuar në këtë program të “CHwB Kosova” është shprehur se libri është i vështirë për t’u lexuar.

“Jam e sigurt që ka qenë edhe i vështirë për t’u shkruar. Është një dëshmi dhe një akt i kurajës së pari dhe mbi të gjitha i grave që kanë pranuar të intervistohen dhe të tregojnë të vërtetat e tyre”, është shprehur ajo.

Sipas saj, libri “thur një narrativë polifonike që nderon kompleksitetin e përvojës së të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe refuzon të reduktojë subjektivitetin e tyre në sigurinë e viktimës”.

Është vlerësuar se libri “Hallka më e fortë: një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë” kontribuon në përpjekjet globale për të kuptuar dhunën seksuale në konflikt, duke  e trajtuar jo veç si tragjedi, por edhe si krim që kërkon përgjegjësi institucionale dhe ligjore. E, dokumentimi shihet si një hap drejt saj.