Në Los Angeles po mbahet edicioni i 63-të i “Grammy Awards” ku pritet të shpërblehen më të mirët e muzikës gjatë vitit 2020. Komediani dhe moderatori, Trevor Noah, hapi edicionin me një monolog. Ai bëri shaka për mënyrë e mbajtjes së një ceremonie me rëndësi gjatë pandemisë. Theksoi fuqinë e muzikës dhe ofroi një fjalim shpresëdhënëse për vitin në vazhdim.
“Sonte do të festojmë muzikën me të mirë e që na ka prekur dhe që ka shpëtuar jetët tona gjatë këtij vitit të pashembullt”, ka thënë Noah, i cili vitin e kaluar ishte i nominuar për “Best comedy album”.
Këtë vit për nga nominimet dominon Beyoncé e cila garon në nëntë kategori, pastaj Dua Lipa, Ricch dhe Taylor Swift me nga gjashtë nominime dhe Howard me pesë. Në mesin e të nominuarëve të tjerë janë edhe John Beasley, Justin Bieber, Phoebe Bridgers, DaBaby, Eilish, David Frost dhe Megan Thee Stallion.
Lipa është e nominuar për gjashtë çmime “Grammy”, përfshirë albumin e vitit, albumin më të mirë pop për “Future Nostalgia”, këngën dhe incizimin e vitit dhe performancën më të mirë pop për “Don’t Start Now” dhe performancën më të mirë pop si duo a grup për bashkëpunimin e saj me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy, për këngën “Un Dia”. Dua Lipa pos garës për çmimet prestigjioze do të ketë edhe një performancë.
Këngëtarja kosovare Dua Lipa u shfaq shumë tërheqëse në tepihun e kuq të “Grammy Awards”. Ajo ka veshur një fustan ngjyrë rozë të markës “Versace” që ka formën e një fluture të lakuar përpara se të japë performancës së saj. Fustani përmbante një pëlhurë vezulluese me rrjetë argjendi që i tregonte këmbët e saj. Dua ishte kombinuar me fustanin duke lyer sytë e saj me një rozë të lehtë dhe ngjyrë livandë.

“Queen Bey” është gati për të marrë fronin në “Grammys”. Këngëtarja fitoi çmimin e 26-të “Grammy” dhe është rrugës për të thyer rekordin që e mban Alison Krauss me 27 sosh.
Beyoncé, pretendenti kryesor i këtij viti me nëntë nominime, fitoi dy çmime para-ceremonisë, përfshirë performancën më të mirë rep për "Savage" me Megan Thee Stallion dhe për videoklipin më të mirë për “Brown Skin Girl”. Këtë të fundit e ndau me vajzën Blue Ivy Carter, e cila gjithashtu po përjeton një natë historike: 9 vjeç, është fituesja e dyta më e reja që merr një çmim “Grammy”.
Gjatë ceremonisë pritet që të shihet nëse Beyoncé, do të shpërblehet edhe për nominimet e tjera këngën dhe incizimin e vitit, performancën më të mirë R&B dhe këngën më të mirë rap.
Koha.net do të raportojë në kohë reale gjatë gjithë ceremonisë.