Kulturë

“Go Go Kosovo!” vizualizon ëndrrat, pamundësitë e rrugën deri te medaljet e arta olimpike

Në “Go Go Kosovo!” kapërthehen dy kohë të pazakonta të sportistëve në vend: paralufta dhe paslufta. Brenda 75 minutash doze krenarie, këmbëngulje e humori, shpalosen sfidat e artistëve dhe puna e madhe e ekipit modest olimpik të Kosovës teksa përgatitet të bëjë histori në Lojërat Olimpike në Rio në vitin 2016. Dokumentari nën regji të Jane Stockdale dhe Jordan Laird është jashtë garës zyrtare të “DokuFestit”

“Në Kosovë, për 20 vjet, politikanët ishin heronjtë. Tani atletët do të jenë heronjtë”, janë fjalët që i thotë Besim Hasani, ish-president i Komunitetit Olimpik të Kosovës në dokumentarin e metrazhit të gjatë nën regji të Jane Stockdale dhe Jordan Laird. Brenda 75 minutash doze krenarie, këmbëngulje e humori, shpalosen sfidat e artistëve dhe puna e madhe e ekipit modest olimpik të Kosovës teksa përgatitet të bëjë histori në arenën botërore. Në “Go Go Kosovo!” me nëntitull “Një vend i vogël me ëndërr të përmasave olimpike” kapërthehen dy kohë të pazakonta të sportistëve në vend: paralufta dhe paslufta. Pikëndalesa është te Lojërat Olimpike në Rio në vitin 2016, kur për herë të parë sportistët kosovarë u lejuan të garojnë në Lojërat Olimpike. “Go Go Kosovo!” është dhënë premierë në kuadër të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”, që nisi më 6 gusht dhe përfundon të shtunën.

“Kjo ëndërr nuk është vetëm ëndrra ime, është ëndrra e të gjithë sportistëve prapa meje. Nëse kjo ëndërr e imja nuk realizohet, nuk realizohet as ëndrra e tyre”, tregon tutje Besim Hasani, që asokohe ishte i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës. Në dokumentar ai zë hapësirën kryesore. Njëherësh është njeriu që i ka prirë procesit të ndërkombëtarizimit të KOK-ut. Ai rrëfen edhe për sfidat e sportistëve para luftës së fundit, kohën kur sporti ndali edhe mbajtjet e ushtrimeve nëpër garazhe fshehtas pushtuesit të atëhershëm serb. E pas luftës shpalos një tjetër luftë: rezistencën e këmbënguljen e sportistëve për të qenë dhe për t’u trajtuar të barabartë me të gjithë sportistët e botës.

Kapitull tjetër i filmit janë përgatitjet për “Rio 2016”. Mes personazheve është xhudistja Majlinda Kelmendi që pikërisht në Rio fitoi medaljen e parë olimpike. Të artën. Atë vit ekipi olimpik përbëhej nga tetë sportistë. Përveç Kelmendit, filmi kap emocionet e rrugëtimit sportiv edhe të Musa Hajdarit, Vijona Kryeziut, Qëndrim Gurit, Nora Gjakovës e Hazir Asllanit, por edhe pjesës tjetër të stafit, si trajnerëve Driton Kuka e Zijadin Kryeziu.

“Kam pasur fatin të veproj në kushte me të vështira. Është dashur t’i fshihja, t’i fusja nën fanellë diplomat e certifikatat, që të mos takoheshim me policinë serbe. Në atë kohë ishte e pamundur të garosh në Lojërat Olimpike, në ato rrethana dhe në ato kushte, sepse nuk ishim të pranuar as si shtet as si asociacion sportiv dhe ne, përkundër padrejtësive, kemi vazhduar stërvitjet dhe i kemi mbajtur aktivitetet, por brenda kornizës së Kosovës”, ka thënë në dokumentar Kryeziu, trajner i atletikës.

Majlinda Kelmendi është padyshim ajo që në një formë e realizon ëndrrën e të gjithëve duke marrë medaljen e parë olimpike. “Kur dikush u përpoq të më shtynte ose të më trajtonte sikur të mos isha gjë, unë vetëm se ndihesha më e fortë. Dhe atëherë kur nuk isha në gjendje të kisha flamurin tim apo të dëgjoja himnin tim, unë thjesht tregoja se jam më e mira në botë, pa marrë parasysh se çfarë bëni ju”, thotë xhudistja Kelmendi në dokumentarin që përfundon me shije triumfi, pa marrë parasysh rrethanat.

Pas dokumentarit, regjisorët iu drejtuan publikut me nga një video-mesazh. Fotografja dhe regjisorja nga Skocia, Jane Stockdale, ka thënë se ideja për këtë dokumentar ka nisur para 9 vjetëve kur ishte në Kosovë dhe po flitej për lojërat olimpike në Londër.

“Të gjithë ishin të entuziazmuar por edhe të frustruar pasi Kosova nuk mund të garonte dhe pasi e mësova rrëfimin e ekipit olimpik të Kosovës isha e prekur nga pasioni, entuziazmi dhe dedikimi saqë thashë ‘shpresoj ta arrini këtë dhe kur kjo do të ndodhë, do të jem e lumtur të realizoj një dokumentar për këtë”, ka thënë Stockdale, e cila ka përdorur edhe materiale nga arkiva personale e sportistëve, por edhe xhirime nga media ndërkombëtare e vendore.

Një mesazh e ka lënë edhe Jordan Laird, regjisor dhe shkrimtar skocez nga qyteti i Edinburghit.

“Udhëtimi që shpaloset në këtë film nuk ka qenë i lehtë, por nëse është diçka që kemi mësuar nga Besimi, Malinda, Neziri, Toni, nga të gjithë që janë përfshirë në të, ka qenë se kërkohet shumë punë, dedikim, durim dhe ndonjëherë diçka thjesht merr më shumë kohë”, ka thënë Laird i cili ka bërë regjinë e një numri të madh të videoklipeve, reklamave, dokumentarëve e emisioneve televizive, si dhe ka qenë regjisor i 35 episodeve të BBC-së për emisionin televiziv dedikuar futbollit “A View From The Terrace”.

Përmes një video-mesazhi, trajneri Driton Kuka ka thënë the së është kënaqësi që në një dokumentar është përmbledhur një rrugëtim jashtëzakonisht i rëndësishëm për sportin e Kosovës dhe kampionët e vendit gjatë Lojërave Olimpike, por edhe para e pas. E Nora Gjakova, po ashtu përmes një video-mesazhi, ka thënë se ani pse në Lojërat Olimpike në Rio nuk kishte arritur të fitonte medalje, suksesi ka ardhur pas pesë vjetëve. Sivjet ajo ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokio.

“Kjo tregon se me punë dhe përkushtim sukseset mund të arrihen”, ka thënë Gjakova, e cila që bashku me kolegen Distria Krasniqi e kanë çuar në tri numrin e medaljeve të arta për shtetin më të ri të Evropës. E Besim Hasani, ai që e hap dokumentarin, pas shfaqjes së tij ka thënë se asnjëherë nuk mendon se është atraktive apo interesante ajo që e bën.

“Ti vetëm shkon prapa një ëndrre me shpresë që një ditë të jemi të barabartë me të tjerët. E kam thënë gjithmonë edhe para ndërkombëtareve që ju nuk e keni këtë ndjenjën që e kemi ne, sepse ju keni qenë të barabartë. Por të jesh i pabarabartë dhe një ditë të jesh i barabartë me të tjerët është një ndjenjë të cilën e përjetojnë vetëm ata që nuk kanë qenë të barabartë”, ka thënë Hasani. Ka shtuar se duhet akoma më shumë përkrahje dhe punë për t’i mbështetur sportistët në vend. Para se të shfaqej dokumentari ‘Go Go Kosovo!’, është shfaqur edhe dokumentari “Pa Vend” i regjisori Samir Karahoda, i cili pati premierën e tij kombëtare më 7 gusht, pikërisht në “DokuFest”. Të dy filmat kapin sakrificat e sportistëve dhe thirrjen për t’i mbështetur akoma më shumë të njëjtit.