Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Gjurmë të grafikës” nxjerr nga thesaret edhe vepra të papara shqiptare

Në retrospektivën e grafikës që nga themelimi i saj në Kosovë e deri më tash, kualiteti i veprave është i dallueshëm

Në retrospektivën e grafikës që nga themelimi i saj në Kosovë e deri më tash, kualiteti i veprave është i dallueshëm. “Gjurmët e grafikës” është një udhëtim unik në kapitujt e artit profesionist në Kosovë

Titulli është si një lloj paralajmërimi. Ekspozita “Gjurmë të grafikës” i ngjan një lloj gërmimi thesaresh të artit shqiptar duke nxjerrë prej aty edhe vepra që nuk janë parë deri më tani në publik. Kuruar nga Genc Rezniqi, ekspozita është unike dhe e veçantë për faktin se shumë prej veprave janë shfaqur premierë ndonëse datojnë që nga fundi i viteve ‘50. Disa si asnjëherë më parë debutojnë para publikut si grafistë. Janë emra të shquar të cilët kanë shënjuar artin shqiptar

Ekspozita “Gjurmë të grafikës” në Galerinë e Arteve të Prishtinës është udhëtim i thellë nëpër kohë, në kujtesë e në identitet artistik. Vjen si retrospektivë e grafikës si medium që nga themelimi i saj në Kosovë e deri më tash, duke i dhënë zë një tradite që nuk është shuar kurrë, por vetëm është transformuar. 

Kuruar nga Genc Rezniqi, ekspozita është unike dhe e veçantë për faktin se shumë prej veprave janë shfaqur për herë të parë ndonëse datojnë që nga fundi i viteve ‘50. Disa si asnjëherë më parë debutojnë para publikut si grafistë. Artisti i shquar, pionier i modernizmit në këto anë, Nysret Salihamixhiqi i cili vdiq në tetor të vitit 2011, është njeri shembull. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Artisti e profesori Adem Rusinovci ka thënë se shumë prej veprave kanë qenë befasi për të. 

“Kjo është një befasi shumë e madhe edhe për mua të them të drejtën sepse ka punë të cilat pavarësisht moshës sime dhe punës e njohjes që e kam me gati të gjithë artistët e ekspozuar, ka punë që i shoh për herë të parë. Të shohim punën e Nysret Sahihamixhqit që është në fund të viteve ’50 kjo flet mjaftueshëm për një cilësi, në këtë rast për çështjen e grafikës. Mendoj që kulmi i gjithë ekspozitës është puna e Agim Salihut. Për mua është një artist shumë bashkëkohor që do t’ia kishte lakmi çdo shtet ta ketë”, është shprehur Rusinovci. 

Ka thënë se në retrospektivën e grafikës që nga themelimi i saj në Kosovë e deri më tash, kualiteti i veprave është i dallueshëm. 

“Në Kosovë është punuar kryesisht stili i artit bashkëkohor. Është për habi që në vitin 1958 veprat e Salihamixhiqit, të Ferrit e të tjerë, korrespondojnë me një art bashkëkohor që edhe sot punohet në shumë vende të botës. Është për habi që në atë vit, kur Akademia nuk ka qenë fare e hapur në Prishtinë, as Shkolla e Lartë Pedagogjike, neve na vijnë artistë, mund të them lirisht, të përmasave evropiane. Kjo është kënaqësi e madhe”, ka thënë Rusinovci më tej. 

Sikur edhe vjen nga titulli, pikërisht gjurma është një ndër karakteristikat kryesore të mediumit të grafikës. Përtej imazhit, ka ardhur si histori e gdhendur, si mendim i shtypur në sipërfaqen e bardhë. 

Në këtë ekspozitë janë shfaqur veprat e artistëve Adem Dërmaku, Agim Salihu, Engjëll Berisha, Fatmir Krypa, Fatmir Zajmi, Fevzi Tyfekçi, Flaka Haliti, Gani Llalloshi, Gjelosh Gjokaj e Hamdi Terziqi. 

Teksturat e efektet e veprave janë unike secila nga njëra-tjetra. E përbashkët e secilës është edhe arti i kontrastit. Raporti dritëhije ka krijuar tension vizual. Bardhezi nuk është mungesë ngjyrash në këtë rast, por gjuhë e fuqishme më vete, ndonëse shumë prej artistëve e kanë thyer rregullin. 

Në muret e galerisë janë edhe veprat e Hysni Krasniqit, Karmon Fan Ferrit, Matej Rodiqit, Muslim Mulliqit, Nysret Salihamixhiqit, Rexhep Ferrit, Shaip Çitakut, Shemsedin Kasapollit, Shyqri Gjurkajt, Shyqri Nimanit, Simon Shirokës, Tomislav Trifiqit, Xhevdet Xhafës, Ymer Shaqirit e të Zoran Jovanoviqit. 

Aty çdo thurje e veprës me laps a praktikë tjetër është si fragment historie i fiksuar në sipërfaqen e veprës. 

Ekspozita nuk ka tekst kuratorial që e shpjegon atë. Por kuratori Genc Rezniqi ka thënë se janë 38 punime që datojnë që nga viti 1956 e deri në krijimtarinë e viteve të fundit nga artistë të brezit të tanishëm. 

“Prej pasluftës, është ekspozita e parë e grafikës dhe e këtij lloji e këtij formati me një numër kaq të konsiderueshëm të artistëve që janë marrë me këtë medium. Nuk ka qenë aspak e lehtë, ka qenë shumë sfiduese. Afër 90 për qind e punëve që janë ekspozuar, kanë qenë të pashfaqura më parë. Një pjesë e tyre janë të marra prej koleksionit të Galerisë Kombëtare, një pjesë prej artistëve dhe pjesa më e madhe prej koleksionistëve privatë të cilët na i kanë huazuar për këtë ekspozitë”, ka thënë ai. 
Ka përmendur teknikat e përdorura për veprat: midis tyre autoriale, linogdhendje, akuatinë, bakërshkrim, gur litografik. 

Janë 38 punime që datojnë që nga viti 1956 e deri në krijimtarinë e viteve të fundit nga artistë të brezit të tanishëm

Ekspozita ka ardhur si organizim i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, udhëhequr nga artisti Kamuran Goranci. Ai e ka konsideruar këtë ekspozitë tejet të veçantë. 

“Është e veçantë kjo ekspozitë për shkak se janë vepra që nuk janë parë ndoshta për 40 ose 30 vjet për opinionin e gjerë e edhe për artistët. Ka për shembull rastin ku Muslim Mulliqin nuk e kam parë asnjëherë që ka punuar grafikë në një nivel kaq të lartë. Gjelosh Gjokaj pastaj. Këtu e kemi plejadën e artistëve që kanë lënë gjurmë në grafikën e Kosovës, por edhe jashtë saj. Prandaj e ka këtë veçanti dhe është pritur shumë mirë prej artistëve”, ka thënë ai. 

E drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, para publikut ka thënë se në vepra nuk ka vetëm forma dhe kompozime. Sipas saj ka edhe ndërprerje e vazhdimësi, harresë e rikthim si dhe prani të së kaluarës në të tashmen. 

“Në këtë ekspozitë, artistët pjesëmarrës vijnë si bartës të këtyre gjurmëve. Secili me gjuhën e vet vizuale, me përvojën, kujtesën e ndjeshmërinë që e formëson. Ata nuk janë vetëm autorë veprash, por dhe ndërmjetës të një tradite që vazhdon të shkruhet. Përmes teknikave grafike ata krijojnë hapësira, individualja dhe kolektivja ndërthuren, ku historia personale takohet me atë të përbashkët. Këta artistë me qasjet e tyre të ndryshme e zgjerojnë kuptimin e grafikës si praktikë dhe si reflektim duke na ftuar të lexojmë jo vetëm imazhin, por edhe procesin, kohën dhe gjurmën që qëndron pas tij”, ka thënë Halimi.

Në fjalimin e saj në hapje të ekspozitës ka thënë se “grafika nuk është vetëm disiplinë artistike, ajo është një mënyrë e të menduarit për ekzistencë sepse çdo gjurmë është një akt, një ndërhyrje në boshllëk, një dëshmi se dikush ka qenë, ka prekur, ka lënë një shenjë”. 

Ekspozita në këtë frymë i shkon fort edhe vendit ku është hapur – Galerisë së Arteve në Prishtinë e cila u rihap solemnisht në fund të vitit të kaluar. Që nga fundi i viteve ‘70, kur edhe u hap Galeria e Arteve në Prishtinë, do të lulëzonte e do të bëhej hapësirë për ekspozimin e pionierëve të artit pamor në Kosovë. Zë vend në një prej hapësirave të Pallatit të Rinisë. Pas luftës së fundit, ai institucion u bë Galeria Kombëtare e Kosovës. E themeluar në vitin 1979, Galeria do të vinte si domosdoshmëri pas themelimit të Akademisë së Arteve në vitin 1973. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1990, artistët e vendit do të promovonin veprat e tyre e të merrnin vlerësime. Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, arti i Kosovës do të heshtej institucionalisht. Ekspozitat do të ndërpriteshin si rrjedhojë e situatës politike kur shqiptarët jetuan nën regjimin e dhunshëm serb. Ekspozita “Gjurmë të grafikës” shfaq shpirtin e grafikës nga nisja e deri më sot. Shpirtit krijues shqiptar, si një lloj dokumenti ku çdo artist ka lënë gjurmë që nuk fshihen, por thellohen me kohën.

© KOHA Ditore